presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu takoi ambasadorin e Norvegjisë, z. Sverre Johan Kvale 

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu ritheksoi mirënjohjen e institucioneve dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e gjithanshme që ka dhënë Norvegjia për vendin tonë. Gjatë një takimi që pati sot në kabinetin e tij me z. Sverre Johan Kvale, i cili, me këtë rast, i dorëzoi edhe letrat kredenciale, Presidenti Sejdiu tha se Kosova është e përkushtuar që ta vazhdojë edhe në të ardhmen frymën shumë të mirë të bashkëpunimit me Norvegjinë.

“Norvegjia u ka ndihmuar shumë qytetarëve tanë, edhe në ditët më të vështira që ka kaluar vendi ynë, kur ata u detyruan ta lënë Kosovën dhe të kërkojnë strehim në botën e jashtme. Mbështetja e Norvegjisë për ne ka qenë e shumanshme edhe pas vitit 1999, në përpjekjet tona të përbashkëta për rimëkëmbjen e jetës në Kosovë dhe për forcimin e institucioneve demokratike”, tha Presidenti Sejdiu, duke e çmuar lart edhe angazhimin personal të ambasadorit Sverre Johan Kvale për përshpejtimin e shumë proceseve të rëndësishme në Kosovë.
Ndërsa, ambasadori Kvale, duke i shprehur Presidentit Sejdiu falënderimin për pëlqimin e dhënë që ai të jetë ambasador i shtetit norvegjez në Republikën e Kosovës, theksoi se marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërmjet Norvegjisë dhe Kosovës do të intensifikohen edhe më tej.
“Norvegjia vazhdon ta ketë Kosovën prioritet në rajon dhe ne do të vazhdojmë t’i mbështesim institucionet tuaja në të gjitha fushat, e sidomos në arsim, ku kemi një përqendrim të veçantë të investimeve tona”, tha ambasadori Kvale. Po ashtu, ai e njoftoi Presidentin Sejdiu se angazhimi i tij i mëtejshëm do të ketë cak kryesor shtrirjen e bashkëpunimit ekonomik, përkatësisht nxitjen e biznesit norvegjez për të investuar në Republikën e Kosovës.

This site is registered on wpml.org as a development site.