Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu prit sot në takim pjesëmarrësit e Seminarit XXVIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili po i zhvillon punimet në Prishtinë.
Presidenti Sejdiu, si mik dhe përkrahës i vazhdueshëm i këtij seminari me traditë, edhe në kohët më të vështira, ka folur para mysafirëve të shumtë nga të gjitha anët e globit për historinë e seminarit dhe vështirësitë për mbajtjen e traditës së organizimit të tij në kohët e vështira të viteve të nëntëdhjeta.Ai ka lavdëruar organizatorët për punën e bërë në mbajtjen e kontinuitetit të këtij manifestimi të rëndësishëm kulturor, ndërsa ka çmuar shumë kontributin e dhënë nga seminaristët, si ata në të kaluarën ashtu edhe pjesëmarrësit e tashëm, duke i quajtur ata si vlerësues objektivë të rrethanave në Kosovë.Presidenti Sejdiu theksoi se përmes Seminarit Kosova ka ndërtuar një traditë të mirë për të ndihmuar studiuesit e vendeve të ndryshme të botës që të zhvillojnë dhe të përparojnë hulumtimet e tyre.Presidenti Sejdiu gjithashtu ka folur para pjesëmarrësve për zhvillimet në Republikën e Kosovës dhe hapat që po bën shteti ynë për përfaqësim sa më të denjë në botë dhe për inkuadrim sa më të shpejtë institucionet ndërkombëtare. “Kosova po ndërtohet një shtet i demokracisë moderne, i të gjithë qytetarëve, pa dallime etnie”, tha Sejdiu, duke shtuar se Kosova është një shtet stabil, i cili ka bashkëpunim të mirë me të gjithë dhe ku qytetarët që jetojnë në të e shohin perspektivën e zhvillimit.