Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu takoi sot ambasadoren e Republikës së Francës në Kosovë, znj. Delphine Borione, e cila solli letrat kredenciale të nënshkruara nga Presidenti Nicolas Sarkozy.
“Republika e Francës, bashkë me vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe me SHBA-të ka qenë e rreshtuar fuqishëm në kompozicion e drejtë mbështetës për Kosovën”, tha Presidenti Sejdiu, duke ritheksuar falënderimin e qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për ndihmën që ka dhënë Franca për vendin tonë. Po ashtu, Presidenti Sejdiu e çmoi lart rolin që po luan tani diplomacia franceze dhe veçmas Presidenti Sarkozy dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Bernar Kushner, për mbështetjen e gjithanshme të Republikës së Kosovës nga vendet e Bashkimit Evropian, ku aktualisht Franca ka presidencën e radhës. Ndërkaq, ambasadorja Borione, pasi theksoi se ndihej tepër e nderuar që do ta përfaqësonte vendin e saj si ambasadore e parë në Republikën e Kosovës, ripohoi përkushtimin e plotë të Francës për ta ndihmuar Kosovën edhe në ardhmen. Gjithashtu, ajo tha se përveç në fushë të sigurisë dhe të zhvillimit ekonomik, Franca angazhohet për mbështetjen e Kosovës edhe në fushë të kulturës, shkencës, arsimit etj.