– Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të fabrikës së detergjentit “Blixt” në fshatin Lladoc të Podujevës, një investim ky i përbashkët kosovaro-suedez, fryt i bashkëpunimit të nisur kohë më herët mes dy kompanive nga Republika e Kosovës dhe Suedia.
Presidenti Sejdiu në fillim të fjalës së tij e quajti nder të madh pjesëmarrjen në atë që ai e quajti një ngjarje të rëndësishme që shënon një nismë të mbarë të zhvillimit ekonomik të vendit”. “Për mua është vërtetë nder i madh të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme, që shënon kulmin e bashkëpunimit më të mirë të mundshëm të njerëzve të Kosovës me miqtë tanë”, tha Presidenti Sejdiu. “E di se shumë familje të Kosovës, në kohë të vështira, e kanë lënë vendin, të detyruar për të bërë rezistencë, pjesa tjetër këtu por edhe pjesa tjetër për të mbajtur Kosovën nga katër anët e botës. Por është paralelisht punë e madhe që krahas asaj që është bërë në Kosovë për të pasur këtë ditë, njëkohësisht edhe realizimi i projekteve të mëdha të bizneseve dhe zhvillimit të ekonomisë tonë e cila ka qenë e shkatërruar” tha President Sejdiu.Presidenti Sejdiu theksoi se përkundër faktit se kishte tendenca të vazhdueshme dhe veprime nga më të ndryshmet për stopimin e zhvillimit ekonomik të vendit tonë, për mbylljen e shkollave dhe për të na ndalur frymën dhe jetën, megjithatë sot jemi këtu dhe i gëzohemi edhe realizimit të amanetit të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Hasan Ramdanit dhe gjithë të rënëve për këtë ditë, por i gëzohemi së tepërmi edhe këtij zhvillimi. “Pse ka qenë e shkatërruar dhe goditja më e madhe pse i është bërë ekonomisë dhe shkollave. Është bërë për të mos ekzistuar, për të mos pasur bukë, për të mos pasur nxënës, për të mos pasur dije, për të nxënë frymën tonë dhe për të shkatërruar qenien tonë.Por fatmirësisht jemi këtu, edhe sot rrëzë këtyre fshatrave të bukura të Llapit, ku është bërë rezistencë e madhe dhe s’mund të harrojmë asnjë prej njerëzve që kanë dhënë veten e tyre për të pasur këtë ditë të ecjes së lirshme, për të pasur këtë ditë kur amaneti i edhe i Zahirit edhe i Hakifit edhe i Hasan Ramadanit edhe i gjithë të tjerëve, po realizohet në mënyrë të mirë sepse liria e ka kuptimin kur një popull merr frymë lirshëm por edhe zhvillohet lirshëm”, tha Presidenti Sejdiu.“Kjo punë që keni bërë, kaq kapitale, me moton e bardhësisë, i sjell bardhësi Kosovës. Dhe besoj gjithë ata njerëz të vullnetit të mirë në partneritet do të kontribuojnë që plasmani i kësaj fabrike të zë tregun e Kosovës, të zë tregun në zgjerim edhe në vendet e tjera të Evropës Juglindore por edhe më gjerë dhe unë mendoj se pikërisht ju keni shpërthyer me kualitet. Dita e sotme është ditë e bardhë, sepse ju filloni prodhimin, është ditë kur do të jetë një mundësi më tepër edhe për punësimin e shumë njerëzve, pra për t’u siguruar ekzistencë shumë familjeve por të njëjtën kohë edhe për të shpërthyer me kualitet”, theksoi Presidenti Sejdiu.“Ka vende që dëshirojnë të na zënë frymën. Flas për fqiun tonë verior. Ju i dini përpjekjet e mëdha që i bënë për të ndalë eksportin e Kosovës. Nuk do t’ia dalë, sepse në radhë të parë s’ia kanë dalë edhe në kohë më të vështira dhe në radhë të dytë e gjithë bota e civilizuar sot, edhe Suedia mike, i hapin portat e bashkëpunimit dhe ai bashkëpunim do të ecë, ndërsa këta merren me bllokada të ndaljes së eksportit të Kosovës dhe të zënies së aleatëve të këqij për të zënë frymën e ecjes tonë të mëtejme. Por, nuk do t’ia dalin, edhe njëherë e përsëris”, tha ndër të tjera Presidenti Sejdiu.Kryetari i komunës së Podujevës, Ilaz Pireva është shprehur shumë i kënaqur me përurimin e kësaj fabrike dhe me faktin se komuna e Podujevës ia ka dalë të tërheq biznese të huaja për të investuar në vendin tonë.Ai ka theksuar faktin se ky investim tregon se komuna e Podujevës dhe Republika e Kosovës ofron kushte dhe siguri për investime të huaja, ndërsa ka edhe biznese serioze vendore, të gatshme për të zhvilluar këtë bashkëpunim dhe për të ndikuar në zhvillimin e ekonomisë dhe në uljen e shkallës së papunësisë.Përfaqësuesi i kompanisë suedeze, Bengt Anderson ka shpjeguar arsyet pse kompania suedeze ka vendosur të hyjë në investime në Republikën e Kosovës, konkretisht në komunën e Podujevës. “Kemi kontaktuar me shumë njerëz këtu dhe kemi biseduar me ta, por ndër takimet tona të mëpasme ka qenë me z. Bajram Zejnullahu , i cili është një njeri jashtëzakonisht i mençur dhe i dijshëm, dhe pas këtij kontakti me Bajramin ne vendosëm që të vijmë këtu dhe të investojmë në Kosovë”, tha z.Anderson.“Ne kemi filluar me këtë biznes, sepse kemi menduar se është një biznes shumë i mirë por me këtë biznes do të vazhdojmë edhe në vende të tjera. Ky është vetëm hap i parë që kemi filluar me këtë investim, por ne do të vazhdojmë edhe me projekte të tjera.Kapaciteti i kësaj fabrike është 4 mijë tonë në vit, lënda e parë vjen nga Skandinavia. Së pari këtu do të fillojmë me shitje, më pas edhe jashtë vendit”, shpjegoi Anderson, duke shfaqur shpresë që President i Kosovës do të vijë pas një viti edhe për një fabrikë tjetër.