presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së parë të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu mori pjesë sot në ceremoninë solemne të organizuar nga Instituti Gjyqësor i Kosovës, me rastin e diplomimit të gjeneratës së parë të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë. Presidenti Sejdiu ka mbajtur një fjalë rasti dhe ka çmuar lart përgatitjen e gjeneratës së parë të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë.

“Mund ta kem më lehtë të flas me ju, sepse shumicën e jush i kam takuar edhe në kohët e mëhershme në studime. Jam i emocionuar me atë që dëgjova për përgatitjen e juaj, për gatishmërinë e juaj që të hyni në një proces të ri të marrjes së barrës të rëndësishme për vendin, në të njëjtën kohë për shfrytëzimin e mirë të mundësive të mëdha që ka ofruar Kosova me mbështetjen ndërkombëtare që të bëni studime të këtij tipi, edhe komplementare, për të përgatitur veten tuaj për misionin për të cilin jeni përcaktuar”, tha Sejdiu.Presidenti Sejdiu tha, se mësimi, dija dhe shkolla s’ka fund asnjëherë dhe janë të pafundme. Pavarësisht faktit se keni mbaruar studimet, keni pjesë të përvojës të deritanishme, keni kryer me sukses këtë cikël të rëndësishëm të arsimit profesional specifik, mos e ndalni veten, studioni edhe më.“Pa e kuptuar gabimisht, latinët e vjetër e kanë pasur një shprehje “Ruajuni njeriut i cili ka lexuar vetëm një libër, ruajuni njeriut që lexon vetëm një kod”. Studioni thellësisht atë që ka dhënë dija njerëzore sot, që ka dhënë shkenca për të pasur një armë të fuqishme të ballafaqimit me atë që do ta ndeshni nesër”, vijoi Sejdiu.Duke folur rreth nevojave imediate që ka tani vendi ynë, Presidenti Sejdiu tha se Kosova, në këtë kohë, veçanërisht ka nevojë emergjente të shpejtojë hapin e saj në ndërtimin e mirëfilltë të strukturës së organeve, të sundimit të ligjit edhe të sigurisë paralel me tjerët, por posaçërisht në këto dy fusha, të cilat janë fusha të ndjeshme për faktin se ndeshen ditë e për ditë me të gjitha elementet e tjera që japin natyrën edhe njerëzore dhe bëjnë implementimin e misionit të saj, edhe natyrën e shtetit, edhe natyrën e gjithë zhvillimeve të tjera. “Do të jeni njerëz që drejtpërdrejt do të ballafaqoheni me sfidën e parë të ruajtjes dhe të kultivimit permanent të të drejtave dhe lirive njerëzore, pa dallime etnie, të ruajtjes dhe kultivimit të asaj që e kemi sot bashkëkohëse në standardet më të larta”, tha Presidenti Sejdiu.Duke çmuar lart rolin dhe rëndësinë që kanë gjyqtarët dhe prokurorët në vendin tonë, Presidenti Sejdiu foli edhe rreth sfidave me të cilat natyrisht do të ballafaqohen kjo gjeneratë të porsadiplomuarve. “Dhe ku janë sfidat? Janë sfidat në mosrealizimin e tyre kur do të ndesheni, eventualisht, janë sfidat në vënien e drejtësisë në vend, në akuzën me bazë apo në akuzën e pabazë, janë sfidat në shumë aspekte të tjera që lidhen në të përditshmen që do ta ndeshni në jetën apo në shekullin e punës në vazhdim. Keni përcjellë raportin e progresit për Kosovë, në evaluimin pozitiv që i jepet Kosovës në shumë elemente, në vrojtimet objektive ka edhe diçka që na sugjerohet të punojmë më shumë. Ne do ta kemi në vazhdimësi mbështetjen ndërkombëtare dhe miqtë tanë, por, në të njëjtën kohë, është sfidë dhe kërkesë e jona që të sigurojmë potencialin tonë, që të funksionojë mirë, të ecë si një makinë e ndezur përherë me gjithë mekanizmin e saj dhe të lëviz suksesshëm, sepse është e interesit për të gjithë. Është e interesit që Kosova pikërisht mbi këtë bazë të shpejtojë hapin e saj në përmbushje të kritereve për integrim”, tha Sejdiu.Presidenti Sejdiu tha se nuk është interesi i institucioneve të vendit, që Kosova të bëhet shtet i dorës së fortë, por interesi, qëllimi është që Kosova të bëhet shtet i garantimit për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim etnie e feje. “Asnjëherë, nuk dua të investoj në idenë që Kosova të bëhet shtet i dorës së fortë apo i shtrëngimit të qytetarëve të vet. Jo! Kosova të bëhet shtet i garantimit të perspektivës së çdo qytetari edhe me funksionimin e institucioneve më të rëndësishme që ka në pushtetet e ndara gjithmonë, por këto duhet të funksionojnë si duhet, kur të gjitha hallkat e sistemeve punojnë dhe bashkëpunojnë mirë. Edhe prej organeve preventive, edhe prej organeve të pretencës në çështjet që duhet të shqyrtohen në gjyqësor, edhe prej gjyqësorit vet në të gjitha nivelet apo rrafshet ekzistuese të tij”, theksoi Sejdiu.Presidenti Sejdiu tha se kemi një vakuum të madh në këtë kohë dhe se po e paguajmë në barrën tonë, atë që na e kanë planifikuar dikur që të zhbëhemi totalisht. Kemi pasur një vakuum edhe të shkollimit, edhe të studimeve të thelluara, edhe të provimeve të jurisprudencës, edhe të problemeve të tjera.“Para do kohe kemi pasur atë që quhet provimi i etikës dhe njerëzit kanë kapërcyer apo s’kanë kapërcyer. Dua të ndalem pak në analizën që do të jetë pjesë e studimeve tona edhe përtej. A është bërë mirë në raste të caktuara? Nuk kam aluzione konkrete, që dikush ka dhënë provimin e etikës si dije por nuk e ka sjelljen, veprimin, back-graundin profesional të etikës së plotë apo dikush që ka rënë në provimin e etikës dhe nuk mund ta ketë mundësinë e hyrjes së tij në llogaritje për të qenë gjyqtarë apo prokurorë i vendit”, tha Presidenti Sejdiu.Prandaj, vijoi ai, duhet të investojmë në procese, që të krijohet një bazë e mirë, e qëndrueshme e njerëzve që i duhen Kosovës të të gjitha etnive. Jam shumë i gëzuar që sot vërtet kemi arritur të përfundojmë një cikël të rëndësishëm të përgatitjes plus të të gjithë juve që jeni prezentë, them dhe e kam shtruar idenë edhe në takimet e mëhershme  që ky cikël të shndërrohet në nivel të shkollës apo do ta quaja të Akademisë profesionale të magjistraturës, që njerëzit e shohin jo si filtër por si shans plus për të krijuar një fond të mirë që i duhet Kosovës.Në fund Presidenti Sejdiu tha se është një thënie nga latinët e vjetër se “njeriu nuk ka lindur vetëm për veten por edhe për atdheun”. Çka dua të them. nuk jeni njerëz të ambicieve personale, nuk jeni njerëz që do të krijoni karrierën e juaj për të krijuar profitin për xhepin tuaj, por jeni njerëz që i duheni vendit në misionin tepër të ndjeshëm por tepër human dhe të peshës së madhe për të ardhmen tonë.

This site is registered on wpml.org as a development site.