Presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Fatmir Sejdiu bashkë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, zhvilluan sot një takim të përbashkët me Komandantin e KFOR-it Gjeneralin Markus Bentler.
Pas një bisede përmbajtjesore u dakorduan në plotëni për vazhdimin e bashkëpunimit midis KFOR-it dhe FSK-së.
Nga ky takim Zyra e Presidentit të Kosovës lëshon këtë komunikatë:
Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës e definojnë Misionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Mbështetja e KFOR-it për Forcën e Sigurisë së Kosovës është rrjedhimisht e kufizuar në trajnimin dhe mentorimin e një force, misioni i së cilës është reagimi ndaj krizave emergjente, mënjanimi i mjeteve plasëse dhe mbrojtja civile. Kjo mbështetje është e mbështetur në vendimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut, qëllimi i të cilit ka qenë dhe mbetet vazhdimi i përkrahjes për FSK-në derisa ajo të ketë arritur Kapacitetet e Plota Vepruese.
Institucionet e Republikës së Kosovës theksojnë nevojën e bashkërendimit me KFOR-in, në rastet e paraqitjes publike të Gardës Ceremoniale.
Institucionet e Republikë së Kosovës mirëpresin mbështetjen e KFOR-it për FSK-në ndërsa ato ruajnë dhe aplikojnë parimet e respektit të ndërsjellët, bashkëpunimit të afërt dhe transparencës së plotë.
Ne jemi të bindur se zotimet e lartpërmendura janë një bazë e qëndrueshme për KFOR-in për të vazhduar bashkëpunimin dhe përkrahjen e tij për FSK-në.