presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi takojnë shumë krerë shtetesh në një takim në Fondacionin “Clinton Global Iniciative”

Nju-Jork, 21 shtator 2010. – Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu po vazhdon vizitën në SHBA, duke zhvilluar një varg aktivitetesh dhe takimesh me udhëheqës shtetesh, që po qëndrojnë në Nju-Jork në kohën e sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Pas ligjëratës që mbajti dje në Universitetin e Harvardit, e cila zgjoi interesim shumë të madh të pjesëmarrësve, Presidenti Sejdiu gjatë ditës së sotme ka marrë pjesë në një takim në Fondacionin “Clinton Global Iniciative” (Nisma Globale Klinton), këtu në Nju-Jork, i shoqëruar edhe nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Me këtë rast, Presidenti Sejdiu u takua me ish-presidentin e SHBA-ve dhe mikun e madh të shqiptarëve dhe të Kosovës, Bill Klinton, si dhe me ish-sekretaren amerikane të Shtetit, zonjën Medlin Ollbrajt, me të cilët bisedoi rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë.

Në takim ishin të pranishëm dhjetëra udhëheqës shtetesh, me shumë prej të cilëve Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi patën takime të përzemërta.

Me këtë rast, Presidenti Sejdiu theksoi se në Republikën e Kosovës është krijuar një realitet i ri, sidomos pas mendimit të qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, dhe rezolutës së miratuar javën e kaluar në OKB.

Gjatë takimeve me udhëheqësit e shteteve që e kanë njohur Republikën e Kosovës, Presidenti Sejdiu i njoftoi ata për zhvillimet në vendin tonë dhe të arriturat e shënuara në të gjitha fushat në planin e brendshëm, si dhe përpjekjet që po bëjnë institucionet e Republikës për të siguruar njohje të reja, si dhe për të siguruar anëtarësimin sa më të shpejtë në vendit në mekanizmat ndërkombëtarë.

Ai gjithashtu kërkoi prej tyre që të ndikojnë te shtetet e tyre mike që ta njohin më parë Republikën e Kosovës.

Ndërsa, udhëheqësve të shteteve që ende nuk e kanë njohur shtetin më të ri në botë, Republikën e Kosovës, Presidenti Sejdiu u përkujtoi edhe një herë se Kosova tashmë ndodhet në një moment të ri dhe shumë të rëndësishëm në zhvillimin e saj. Ai theksoi se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me mendimin e saj shumë të qartë sa i përket pavarësisë së Kosovës, ka konfirmuar se Kosova vërtet është një rast i veçantë dhe se pavarësia e saj është rezultat i rrethanave shumë specifike.

Mendimi i kësaj Gjykate, theksoi ai, nuk lë më asnjë dilemë që ndonjë shtet mund të ketë pasur lidhur me njohjen e Republikës së Kosovës.

“Nisma Globale Klinton” u themelua në vitin 2005 nga Presidenti Bill Klinton. Bazuar në përvojat e tij, Presidenti Klinton krijoi këtë nismë, për të reflektuar besimin se bashkëpunimi në të gjitha fushat mundëson përballjen me sfidat e mëdha botërore.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.