DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu dekretoi tetë Misione Diplomatike dhe nëntë Misione Konsullore

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu ka dekretuar sot themelimin e tetë Misioneve Diplomatike dhe nëntë Misioneve Konsullore të Republikës së Kosovës.

Duke u bazuar në Nenin 84, pika 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në nenin 5, pika 1 të Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, dhe pas konsultimit me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Presidenti Sejdiu ka dekretuar themelimin e Misionit Diplomatik në nivel ambasade në këto shtete: Republika e Sllovenisë, me seli në Lubjanë, Republika e Kroacisë, me seli në Zagreb, Mbretëria e Holandës, me seli në Hagë, Mbretëria e Suedisë, me seli në Stokholm, Republika Çeke, me seli në Pragë, Republika e Hungarisë, me seli në Budapest, Republika e Bullgarisë, me seli në Sofje, dhe në Japoni, me seli në Tokio.

Po kështu, Presidenti Sejdiu ka dekretuar themelimin e Misioneve Konsullore në: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Mbretërinë e Bashkuar, në Republikën e Francës, në Republikën Federale të Gjermanisë, në Republikën e Italisë, në Konfederatën e Zvicrës, në Republikën e Austrisë, në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Mbretërinë e Suedisë.

Dekretimi i Misioneve Diplomatike dhe nëntë Misioneve Konsullore të Republikës së Kosovës hyn në fuqi menjëherë, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme udhëzohet të ndërmarrë të gjitha veprimet për zbatimin e këtij dekreti.

This site is registered on wpml.org as a development site.