DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Pacolli uroi arsimtarët dhe veteranët e arsimit për Ditën e Mësuesit

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, priti një grup të arsimtarëve dhe të veteranëve të arsimit.

Në një bisedë të gjatë dhe miqësore, Presidenti Pacolli i uroi mysafirët e tij për Ditën e Mësuesit, i falënderoi ata për kontributin e madh që kanë dhënë dhe po japin për arsimin në Kosovë në kohët më të vështira, si dhe u dëshiroi shëndet të mirë e shumë fat. “Unë kisha nderin të kaloj disa çaste me edukatorët tanë, mësuesit tanë, me njerëzit të cilët unë shumë i vlerësoj, me njerëz që kanë vlera, me njerëz që kanë kontribuar dhe kontributi i tyre vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm për Kosovën. Nuk kam pasur mundësi që t’i takoj të gjithë ata që i takojnë kësaj kategorie, por simbolikisht pata nderin t’i kaloj disa çaste të bukura, duke ndërruar mendime të ndryshme dhe duke u frymëzuar edhe më tepër që të punojmë për shoqërinë tonë”, tha Presidenti Pacolli pas takimit, duke shtuar se shoqëria jonë ka nevojë të ecë përpara, ka nevojë për ndihmë, ka nevojë për këshilla. Duke folur në emër të arsimtarëve dhe veteranëve të arsimit, profesori dhe shkrimtari Ramiz Kelmendi u shpreh: “E ndjeva veten jashtëzakonisht të nderuar. Lum ai shtet e lum ai pushtet i cili nderon arsimtarët e vet”. Ndërsa mësuesja Sofije Kllokoçi, që ka qenë arsimtare e Presidentit Pacolli, evokoi kujtime nga ajo kohë dhe u shpreh shumë e gëzuar që nxënësi i saj ka arritur kaq shumë suksese dhe është bërë President i vendit.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.