presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Pacolli u takua me kryetarin e LSI, z.Ilir Meta

Presidenti i Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli zhvilloi sot një takim me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), z.Ilir Meta, me të cilin diskutoi për një varg temash të rëndësishme për bashkëpunimin në mes të dy vendeve, por edhe për projektet e përbashkëta dhe vazhdimin e punës për sigurimin e sa më shumë njohjeve për Kosovën, por edhe për trasimin e rrugës së saj drejt integrimeve euroatlantike.

“Ishte kënaqësi e madhe që të takohemi me presidentin e ri të Kosovës, z.Behgjet Pacolli për t’i uruar edhe nga afër për këtë detyrë shumë të rëndësishme. Unë besoj se kjo detyrë e re dhe shumë e lartë është një mundësi e shkëlqyer për Presidentin Pacolli për të çuar më tej kontributin e tij i cili ka qenë mjaft i ndjeshëm edhe më parë në procesin e njohjes së Kosovës, pasi konsolidimi i pozitës ndërkombëtare është një prioritet i jashtëzakonshëm, ashtu sikur edhe vizioni i tij për ekonominë besoj se do të ndihmojë shumë në zhvillimin ekonomik jo vetëm të Kosovës, por edhe zhvillimin ekonomik të të dy vendeve”, tha z.Ilir Meta. “LSI mbështet politikën e presidentit të Kosovës, të qeverisë së Kosovës, mbështet forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve, midis dy qeverive, midis dy parlamenteve, dhe jemi të bindur se projektet madhore të cilat kanë përparuar me mjaft sukses në Shqipëri, por po përparojnë edhe në Kosovë do t’i forcojnë edhe më tej marrëdhëniet e shkëlqyera midis shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, i cili është fare konvencional”, tha z.Meta. “Ishte një takim i rëndësishëm për mua. Takimi me mikun është gjithnjë i veçantë. Z.Meta është njeri që ka dhënë kontribut shumë të madh për afirmimin e shtetit të Kosovës, ka punuar shumë për njohjet e Kosovës”, theksoi ndërkaq Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli. “Mund t’iu them se ai ka lënë ende punë të pakryera, për të cilat është nevojitur kohë dhe unë sot e luta që krejt këtë punë që ka mbetur pa u kryer, që të vijë në Kosovë dhe të bisedojmë, që të mos ndalemi. Kemi shumë punë për të kryer dhe puna e z.Meta për njohjet është shumë e rëndësishme. Jam i sigurt se z.Meta, me energjinë e tij, me vullnetin e madh, do të përballoj çdo sfidë në mënyrë të suksesshme. Bashkëpunimi me të do të jetë shumë i madh. Ne e vlerësojmë shumë punën që ka bërë për Kosovën dhe besoj se ky aktivitet do të vazhdojë edhe më tej”, theksoi Presidenti Pacolli.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.