DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti: Në Nju Jork mora mbështetje nga liderët botërorë për dialogun Kosovë – Serbi

Nju Jork, 27 shtator 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të sesionit vjetor të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara të OKB-së, ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.

Presidenti Thaçi dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Mogherini, kanë diskutuar për fazën e  fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi ka rikonfirmuar edhe një herë gatishmërinë e palës kosovare për dialogun dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare ligjërisht obligative.

“Pas anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, si dhe marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë, është krijuar një momentum historik për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, që do të zgjidhte njëherë e përgjithmonë mosmarrëveshjet dhe do të krijonte perspektivë të qartë të anëtarësimit në BE”, ka thënë presidenti.

Kreu i shtetit ka theksuar se këto ditë nga takimet e shumta që ka zhvilluar me përfaqësues shtetesh në Nju Jork, ka marrë mbështetjen e plotë për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si parakusht për një paqe të qëndrueshme në Ballkan.

Nga ana tjetër Federica Mogherini ka paralajmëruar dinamizimin e dialogut, dhe ka ofruar mbështetjen e saj dhe të BE-së në lehtësimin e këtij procesi jo të lehtë, por të domosdoshëm për hapjen e perspektivës për të dyja vendet në BE.

Presidenti Thaçi ka vazhduar takimet e shumta me krerët botërorë, të cilët po marrin pjesë në Sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.