Prishtinë, 22 tetor 2018 – Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka pritur ekipin e Forcës së Sigurisë së Kosovës që ka marrë pjesë në garën “Cambrian Patrol” në Britani të Madhe, ku ka fituar Medaljen e Bronztë.
Presidenti Thaçi e ka falënderuar komandantin Rrahman Rama dhe ekipin e Forcës së Sigurisë së Kosovës për punën e mrekullueshme që po bëjnë, duke u bërë shembull i mirë për tërë rajonin. “Gjenerali edhe ekipi i tij, me këta eprorë e ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë shembulli dhe mesazhi më i mirë që po dërgohet, se FSK-ja është e gatshme për përgjegjësi shtesë. Është e gatshme t’i përgjigjet rrethanave dhe situatave të reja të krijuara. I përgëzoj eprorët, togerët, ushtarët e FSK-së dhe komandantin për punën e tyre shumë të mirë, por edhe për suksesin e ri, të shkëlqyer që e kanë arritur ditë më parë me pjesëmarrjen e tyre në garën në Britani, ku kanë marrë pjesë 144 ekipe”, ka thënë presidenti Thaçi. Ndërsa, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, ka thënë se kjo është një prej garave më prestigjioze në botë dhe Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë për herë të dytë. “Është shumë me rëndësi që këto përvoja po i bartim edhe brendapërbrenda institucionit tonë. Edhe në vitin e kaluar e kemi organizuar një lloj kësi gare, të cilën e kemi quajtur “Shqiponja patrulluese”. Ideja ka qenë që ta bëjmë një test të brendshëm, me qëllim dhe synim që vitin e ardhshëm ta bëjmë vetë një garë që do të jetë ndërkombëtare, me të gjitha ato përvoja që i kemi marrë prej Mbretërisë së Bashkuar”, ka thënë komandant Rama. Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka thënë se janë të gatshëm që të marrin përgjegjësi shtesë dhe do të vazhdojnë me kryerjen e obligimeve dhe detyrave që u caktohen me ligj dhe Kushtetutë. Gara e “Cambrian Patrol” është një ngjarje vjetore e organizuar dhe drejtuar nga Brigada e Këmbësorisë së 160-të dhe Selia e Uellsit, me seli në Brecon të Britanisë së Madhe. Forca e Sigurisë së Kosovës këtë vit ka marrë pjesë me 11 pjesëtarë në këtë garë ndërkombëtare dhe pavarësisht vështirësive të krijuara nga stuhia “Cullum”, ka arritur ta fitoi Medaljen e Bronztë.