Prishtinë, 20 dhjetor 2017 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.
Presidenti Thaçi ka thënë se kjo marrëveshje përfundimisht e zgjidhë një problem qenësor për Kosovën.Ky termocentral energjetik, sipas presidentit Thaçi, jo vetëm që stabilizon sektorin e energjisë, por i jep edhe energji të re zhvillimit ekonomik të Kosovës.“Kjo kontratë paraqet investimin më të madh privat në historinë e Kosovës dhe kontribuon në rritjen ekonomike. Për më tepër, kjo marrëveshje është edhe vazhdimësi e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh presidenti Thaçi.Ai ka thënë se nuk mund të ketë tregues më domethënës për pozicionimin e Kosovës si destinacion për investime, se kjo marrëveshje e sotme, e cila përfshin rreth 1.3 miliardë euro investime.“Investimet e huaja direkte po shënojnë suksese të reja, të cilat përkthehen në ndikim pozitiv dhe nxisin krijimin e vendeve të reja të punës. Vlen të theksohet se vetëm gjatë fazës së implementimit të këtij projekti, do të krijohen rreth 10 mijë vende të reja të punës. Këto suksese janë rezultat i punës së palodhshme dhe insistuese të institucioneve të Kosovës për të përmirësuar klimën e investimeve. Ky progres, Kosovës i konfirmohet edhe nga matës të ndryshëm ndërkombëtarë të ekonomive globale”, ka thënë ai.Presidenti Thaçi ka thënë se përveç që e zgjidhim një problem të ndjeshëm për vendin tonë, me këtë investim po dërgojmë edhe sinjale të qarta në botë se jemi vend me potenciale dhe shtet që ofron siguri për investime.“Orientimi i Kosovës kah integrimet euroatlantike është i gjatë dhe kërkues, por është një garanci që shteti ynë është në rrugën e duhur për zhvillim të qëndrueshëm”, ka thënë ai.Me të filluar operimin, presidenti Thaçi ka thënë se termocentrali “Kosova e Re” pritet të ketë një jetëgjatësi prej 40 vjetësh.“Ky planifikim afatgjatë do t’i mundësojë shoqërisë sonë të projektojë një të ardhme prosperuese për gjeneratat që vijnë. Dhe kjo periudhë jo vetëm që do të kontribuojë në qëndrueshmërinë furnizuese, por edhe do të garantojë pavarësi nga çmimet rajonale të energjisë, prej të cilave Kosova nuk do të varet në të ardhmen”, ka thënë ai.Gjatë këtyre dekadave, i pari i vendit ka thënë se institucionet do të kenë kohë të mjaftueshme të krijojnë kapacitete të reja prodhuese të bazuara në burime të energjisë së ripërtëritshme.Ai ka thënë se kjo marrëveshje historike, e cila po bëhet në prag të 10 vjetorit të pavarësisë, e çon Kosovën me hapa të sigurt drejt pavarësimit energjetik.