Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu mori pjesë në hapjen solemne të Panairit të produkteve bujqësore, në të cilin foli për prioritetet e përgjithshme të punës së institucioneve dhe bizneseve në zhvillimin ekonomik të Kosovës. “Toka dhe produktet e saj janë baza e ekzistencës së një populli. Kjo është çështja esenciale të cilës duhet kushtuar vëmendjen më të madhe të mundshme.Insistimi themelor i Kosovës me pjesën mbështetëse legjislative dhe investuese duhet të jetë në punimin e mirë të të gjithë sipërfaqes së tokës së Kosovës”, theksoi Presidenti Sejdiu.
“Sipas shënimeve që kemi, rreth dyzet për qind e tokës së Kosovës nuk punohet. Nuk mund t’ia shtrijmë dorën askujt. Konkurrenca është e nevojshme edhe në tregun rajonal dhe më gjerë, por konkurrenca bëhet në radhë të parë kur t’i sigurosh kushtet për punë në radhë të parë në shtëpinë tënde. Dhe besoj se e kemi shansin dhe në momentet kur Kosova do të punojë të gjithë sipërfaqen e tokës, ajo do të hyjë në një rrafsh të ri të kulturave të shumta, të cilat i duron klima e Kosovës”, vijoi Presidenti.Më tej, Presidenti Sejdiu theksoi se një nga dritaret themelore të orientimit të Qeverisë së Kosovës është mbështetja në zhvillimin intensiv dhe të shpejtë të agroekonomisë, e cila është edhe prioritet i Bankës Botërore. “Pse mos të shpejtojmë hapin dhe njerëzve tanë t’u ofrojmë edhe ekspertizën bashkë me këshillat dhe gjithçka që është e nevojshme, por paralelisht t’ju ofrojmë edhe mbështetjen që atyre u siguron garanci të investimit të drejtpërdrejtë”, tha ai.“Llogaria është e thjeshtë, a ka njeri llogari ta punojë tokën apo ta blejë miellin për ekzistencë, dhe nëse nuk ka interesim të drejtpërdrejt në mbështetje, mbase mund t’i dalë në llogari personale të ngushtë një llogari më e favorshme sesa të merret me tokë gjithë vitin”, shtoi ai.Presidenti foli edhe për nevojën e prodhimit dhe plasimit të produkteve vendore në tregun vendor dhe të jashtëm si dhe planifikimin e startimit të mirë me atë që quhen ushqime ekologjike.“E njoh mirë tokën e Kosovës, e cila ka rreth njëqind e gjashtëmbëdhjetë tipe të tokës, dhe e ka pjesën e tokës më të mirë që mund ta ketë një vend në kuptimin e përmbajtjes së brendshme dhe rezistencës edhe nga të ftohtit dhe temperaturat e larta edhe të kualitetit mineral andaj t’i japin shansin që të punojmë. Në fund, krejt lufta për ekzistencën apo mosekzistencën e qenies sonë ka qenë rreth tokës”, tha Presidenti Sejdiu.Në fund të fjalës së tij, Presidenti Sejdiu ka folur edhe një herë për çështjen e papunësisë në vend. Ai u ka bërë thirrje Odës Ekonomike dhe Aleancës Kosovare të Biznesit që të ndikojnë te mbi dyzetmijë bizneset aktive në vend, në mënyrë që ata të punësojnë edhe nga një punëtor në ndërmarrjen e tyre, në mënyrë që të ndikojnë në uljen e shkallës së lartë të papunësisë në vend.