Prishtinë, 3 maj 2017 – Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot e ka hapur zyrtarisht konferencën ndërkombëtare “Prishtina Media Days”, e cila është organizuar nga Departamenti i Gazetarisë së Universitetit të Prishtinës, në bashkëpunim me Universitetin e Vjenës dhe me Southeast European Media Organization (SEEMO), si dhe është mbështetur nga Zyra e Presidentit të Kosovës.
Duke ua uruar 3 Majin, Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, presidenti Thaçi shprehu mirënjohje për të gjithë gazetarët që me guxim dhe profesionalizëm vazhdojnë të kryejnë punën e tyre fisnike, të informimit të drejtë të opinionit publik.“Liria e shtypit, e cila në kuptimin më të gjerë përfshin lirinë e shprehjes së mendimit dhe të drejtën për t’u informuar është një nga liritë themelore të njeriut dhe ndër më të dëshiruarat. Përpjekjet për të realizuar këtë liri janë përpjekje që nderojnë historinë e kulturës njerëzore”, u shpreh presidenti Thaçi.Ai tha se gazetaria në Kosovë ka qëndruar e palëkundur përkundër presioneve dhe joshjeve, duke u rritur dhe fuqizuar gjithnjë e më shumë.“Ju përgëzoj për pavarësinë dhe integritetin profesional që keni ruajtur. E përgëzoj edhe transmetuesin publik për pavarësinë redaktuese që ka ruajtur, përkundër përpjekjeve të politikës për ta cenuar dhe për ta ndikuar”, shtoi ai.Presidenti Thaçi dënoi çdo kërcënim kundër gazetarëve dhe i përgëzoi edhe organet e rendit dhe ligjit që kanë vepruar menjëherë kundër kërcënuesve.“Përpjekjet për të penguar gazetarët në punën e tyre, kërcënimet kundër tyre, janë të papranueshme në shoqërinë kosovare dhe do të luftohen me forcën e ligjit. I përgëzoj organet e rendit dhe ligjit që kanë vepruar menjëherë kundër atyre që guxojnë të kërcënojnë gazetarët. Kam kërkuar edhe që drejtësia të zbulojë fatin e gazetarëve të zhdukur apo atyre të vrarë në Kosovë para, gjatë dhe pas luftës”, shtoi ai.Presidenti theksoi se është i mirëseardhur lajmi se këtë vit progresi në Kosovë njihet edhe nga “Reporterët pa Kufij”, që renditi vendin tonë për tetë vende më lartë se një vjet më parë në shkallën e lirisë së shtypit.“Përkushtimi ynë, i tërë shoqërisë, është që të mbrohet dhe të forcohet edhe më tutje liria e të shprehurit”, u shpreh presidenti Thaçi.Ai përgëzoi mediat dhe shoqërinë civile edhe për debatin publik për ndryshimet fillestare të propozuara në kodin penal, që cenonin lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes.“Kjo edhe një herë dëshmoi fuqinë e mediave dhe të debatit të lirë”, theksoi presidenti Thaçi.Në përputhje me kompetencat e tij, presidenti Thaçi tha se është përkushtuar që nga dita e parë që të mbrojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.Ai tha se zhvillimi i teknologjisë informative ka krijuar mundësi që nuk i kemi pasur kurrë më parë për t’u shprehur dhe për të komunikuar.“Sot është më lehtë se asnjëherë më parë që të shprehemi dhe të ndajmë mendimet tona. Por, kjo e ka bërë edhe më të lehtë se kurrë më parë që të abuzohet me lirinë e të shprehurit. Kjo është sfidë jo vetëm për shoqërinë kosovare, por për tërë botën. E tërë bota po përballet me fenomenin e lajmeve të rrejshme, por edhe me përpjekjet e regjimeve jodemokratike që nëpërmjet luftës hibride të abuzojnë me lirinë e shprehjes dhe të cenojnë rendin e vlerave dhe parimeve që ndërtojnë shoqëritë liberal-demokratike”, u shpreh ai.Presidenti Thaçi theksoi se sfidë sot nuk është vetëm ruajtja e lirisë së shprehjes nga përpjekjet për të kufizuar atë, por edhe mbrojtja e saj nga përpjekjet për të abuzuar me të.