Prishtinë, 26 korrik 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së sotme ka bërë homazhe dhe ka vendosë kurore lulesh tek lapidari i heroit Enver Zymeri.
Kreu i shtetit ka thënë se është vazhdimësi e nderimit shtetëror për heroin e Kosovës, Enver Zymeri, i cili ra në mbrojtje të atdheut, në krye të përgjegjësive shtetërore.“Shteti i Kosovës, populli i Kosovës, do ta vlerësojnë lartë jetën, punën, aktivitetin dhe gjithë atë përkushtim jetësor që Enveri i ka kushtuar familjes, atdheut, kombit, shtetit”, ka thënë presidenti Thaçi.Enver Zymeri, sipas presidentit Thaçi, ka treguar më së miri sesi punohet dhe si kryhen përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore.“Enveri ishte njeriu, i cili tregoi më së miri se si punohet dhe si kryhen përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, në mbrojtje të kushtetutshmërisë, në mbrojtje të ligjshmërisë dhe definitivisht kjo ditë e rënies së Enverit, është ajo e marrjes së kontrollit të pikave kufitare, që simbolizon edhe bashkimin e Kosovës”, ka thënë ai.Në fund, presidenti Thaçi ka thënë se Enverin do ta kujtojnë dhe do të ndjehen krenarë gjithmonë kolegët e tij, bashkëpunëtorët e tij dhe gjithë bartësit e institucioneve.