presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti dekoroi ambasadorin Khalilzad me medaljen “Urdhri i Pavarësisë”

Prishtinë, 21 qershor 2017 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot e ka dekoruar ambasadorin Zalmay Khalilzad me medaljen “Urdhri i Pavarësisë”, për kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se ambasadori Khalilzad njihet në Kosovë si ambasador i presidentit Bush në Kombet e Bashkuara, si mbështetës i madh i aspiratës së popullit tonë për liri, barazi dhe drejtësi, në kohën kur Kosova përgatitej për të shpallur pavarësinë e saj.“Ambasadori Khalilzad e kishte bërë Kosovën çështje kryesore të kryesimit të radhës së Këshillit të Sigurimit nga SHBA-ja. Edhe ai, sikurse presidenti Bush, tha se ‘enough is enough’ dhe se çështja e Kosovës nuk mund të zvarritej pafundësisht në Këshillin e Sigurimit. Prandaj, mirënjohja që i ndahet sot është mirënjohje e popullit të Kosovës për angazhimin e tij për pavarësinë e Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.Ndërsa, ambasadori Khalilzad u shpreh i kënaqur që është kthyer në Kosovë pas 10 vjetësh dhe po i sheh të gjitha arritjet që ka bërë populli dhe lidershipi i Kosovës.“Isha në Kosovë 10 vjet më parë si pjesë e Misionit të gjetjes së fakteve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Jam i kënaqur që jam kthyer 10 vjet më vonë dhe po shoh të gjitha arritjet që ka bërë populli dhe lidershipi i Kosovës. Kosova është e pavarur dhe ka krijuar institucione të shkëlqyera. Është njohur si një shtet i pavarur nga shumica dërrmuese e anëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare dhe ka një ekonomi që funksionon mirë. Kosova ka përparim të brendshëm në pajtimin ndëretnik, në marrëdhëniet me Serbinë, në dialogun, në qëndrimin e saj ndërkombëtar, më gjerësisht në aspiratat e saj për t'iu bashkuar BE-së dhe institucioneve tjera perëndimore. Pra, në një periudhë të shkurtër kohore është arritur shumë dhe unë jam mirënjohës që jam dëshmitar 10 vjet më vonë për sukseset”, tha ambasadori Khalilzad.Presidenti Thaçi theksoi se mirënjohjen më të mirë për miqtë tanë, për ata që gjithmonë na mbështeten, populli dhe institucionet po e shprehin çdo ditë duke punuar që shtetin tonë ta bëjmë shtëpi të të gjithë qytetarëve dhe një vend ku të gjithë janë të barabartë. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.