presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti: Beteja e Koshares e shembi gurin e piramidës së kufirit që ndau një shekull shqiptarët

Koshare, 9 prill 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare dhe ka marrë pjesë në tubimin përkujtimor, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”, për nder të betejës së Koshares.

Presidenti Thaçi ka thënë se çdo fillimvit, veçanërisht në muajt mars, prill dhe maj, Kosova shënon ngjarje të dhimbshme dhe krenare, të sakrificës dhe të rezistencës, të lidhura me vitet e luftës 1998-1999.Këto vite, presidenti Thaçi i ka quajtur vite vendimtare, ku fati i Kosovës po zgjidhej përfundimisht, duke realizuar ëndrrën shekullore të shumë brezave – çlirimin nga sundimi i administratës, policisë dhe ushtrisë serbe.“Edhe në këtë 19 vjetor të çlirimit dhe 10 vjetor të Pavarësisë së Kosovës u kujtuan masakra e Likoshanit dhe Çirezit, Epopeja e UÇK-së në Prekaz, Epopeja e Dukagjinit, masakra në Krushë, në Celinë, në Izbicë e në Rezallë. Do të shënohen e kujtohen me respekt e dhembje ngjarje të ngjashme në muajt në vijim, për të na rikujtuar faktin që liria dhe pavarësia e Kosovës ka pasur një çmim të lartë”, ka thënë ai.Kreu i shtetit ka thënë se me krenari sot kujtojmë përvjetorin e 19-të të betejës së Koshares.“Kujtojmë luftën e lavdishme të djemve dhe vajzave që iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare fuqishëm pas shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm nga Shtabi i UÇK-së. Në Koshare, UÇK-ja dëshmoi faktin që kishte hyrë në një fazë më të lartë të rezistencës. Me kapacitetet njerëzore dhe teknike ishte e aftë për t’u përballë me forcat serbe në luftë frontale. Si rezultat i përgatitjes taktike dhe strategjike, me aktet e vendosmërisë dhe trimërisë së pashembullt u arrit një fitore historike – shembja e gurit të piramidës së kufirit që kishte ndarë një shekull tokat shqiptare”, ka thënë presidenti Thaçi.Ai ka shtuar se me respektin më të lartë shtetëror dhe kombëtar, sot nderojmë sakrificën e ushtarëve dhe oficerëve të rënë në luftë për liri.“Kujtojmë heronjtë Sali Çeku, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahu. Shprehim nderimet më të larta për invalidët dhe veteranët e betejës së Koshares dhe të Pashtrikut”, shtoi ai.I pari i vendit theksoi se Kosova sivjet po shënon denjësisht përvjetorin e dhjetë të pavarësisë dhe 19 vjetorin e çlirimit.Këto qëllime madhore, sipas presidentit Thaçi, nuk mund të arriheshin pa sakrifica të mëdha, pa vizionin e qartë politik për vlera demokratike perëndimore dhe pa përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendeve të BE-së dhe të NATO-s.“Kosova, përkundër sfidave, është tregim i suksesshëm i shtetndërtimit. Në çdo kohë u jemi mirënjohës shteteve mike që na përkrahën edhe në fazat e konsolidimit të brendshëm edhe në afirmimin ndërkombëtar. Kosova vazhdon me këmbëngulje synimin në integrimet euroatlantike”, ka thënë ai.Presidenti Thaçi ka shtuar se pavarësia e Kosovës është bërë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, përkundër faktit që shteti fqinj, Serbia, ende pengon anëtarësimin tonë në OKB dhe organizata tjera ndërkombëtare.Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova nuk ka orientim tjetër, përveç atij euroatlantik.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.