Prishtinë, 6 maj 2019 – Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka pritur një delegacion të madh të arbëreshëve të Italisë.
Presidenti Thaçi ka thënë se është kënaqësi e veçantë që ky delegacion arbëresh gjendet në mesin tonë, në Kosovën e lirë, të pavarur që së shpejti shënon 20 vjetorin e çlirimit.“Ndjehem shumë i nderuar dhe i privilegjuar që t’u drejtohem motrave dhe vëllezërve të gjakut dhe gjuhës sonë. Atyre që u bënë pishtar i ruajtjes dhe zhvillimit të vlerave kulturore mbarëshqiptare për më se 6 shekuj. Shqiptarët e çdo kohe dhe të çdo brezi, kudo që janë, ndihen krenarë me ju dhe kanë çfarë të mësojnë nga jeta, puna dhe vepra juaj, sepse ju jeni rrënjët tona të mirëfillta, origjinale, gjeneza dhe fillesa jonë”, u shpreh presidenti Thaçi.Kreu i shtetit ka thënë se arbëreshët janë shëmbëlltyra dhe modeli i shqiptarëve pa ndikimin e pushtimit 500 vjeçar otoman.“Ju jeni fija e pashkëputur dhe e mirëfilltë e qytetërimit shqiptar. Keni ruajtur gjuhën e të parëve tanë, traditat, besimin, kulturën autoktone, mbi të gjitha perlat folklorike: rapsoditë dhe vallet. Rapsoditë dhe vallet arbëreshe kanë qenë dhe mbeten perla unike të kulturës shqiptare. Ato i kanë kapërcyer kufijtë e Italisë së Jugut dhe këndohen kudo ndër shqiptarët, në dasmat dhe gëzimet e tyre”, ka thënë ai.Presidenti Thaçi i ka thënë delegacionit arbëresh se si në të kaluarën, ashtu edhe sot, në kishat tuaja ruhen shenjat shqipe.“Nga ju dolën figura të mëdha që u bënë frymëzimi i kombit dhe më gjerë. Arbëreshët kanë qenë gjithmonë një faktor pozitiv në Itali. Keni kontribuar në jetën politike dhe kulturore të Italisë. Ta përmendim këtu Françesko Krispin, i cili ka luajtur një rol të madh në lëvizjen për bashkimin e Italisë. Ai u bë kryeministër i vendit dhe ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Xhuzepe Garibaldit. Po kështu një shembull i pjesëmarrjes së arbëreshëve në sferën politike italiane është edhe Antonio Gramshi e shumë figura të tjera”, shtoi presidenti Thaçi.I pari i vendit ka thënë se tri gjëra ishin të shenjta për arbëreshët dhe u bënë kult.“Kult u bënë figura e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, e cila u rilind tek arbëreshët, flamuri dhe gjuha shqipe”, u shpreh ai.Në kolonitë e tyre, brenda një populli me kulturë të madhe, që njerëzimit i dha Renesansën, presidenti Thaçi tha se arbëreshët ruajtën dhe zhvilluan identitetin kombëtar.“Ju, me punën, studimin dhe përkushtimin tuaj, bëtë që vlerat kombëtare, gjuha dhe kultura shqiptare jo vetëm të ruhen, por edhe të zhvillohen më tej edhe atëherë kur populli nën Perandorinë Osmane ishte pothuajse në errësirë kulturore dhe prapambetje ekonomike dhe sociale. Ju i keni dhënë kuptim lëvizjes më të rëndësishme politike dhe kulturore shqiptare Rilindjes Kombëtare, në krye me kolosin e letërsisë Jeronim De Rada, i cili është themelues i letërsisë moderne shqipe”, tha ai.Presidenti Thaçi pohoi se Jeronim De Rada është rilindësi ynë më i madh me profil të zhvilluar kombëtar dhe i ushqyer me vlera të Oksidentit.“Ne sot jemi krenarë për kontributin që ju vazhdoni të jepni në atdheun tuaj të dytë, në Itali. Vlerat e padiskutueshme intelektuale dhe kulturore të arbëreshëve kanë qenë një faktor i rëndësishëm në pozicionimin e Italisë krah vendeve që përkrahin vlerat demokratike dhe lirinë e popujve, duke bërë që Italia të rreshtohet ndër të parat vende që njohën Pavarësinë e Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.Kreu i shtetit theksoi se populli shqiptar do t’i jetë përjetësisht mirënjohës punës dhe veprës së arbëreshëve të Italisë.