Presidenca e Republikës vazhdon të jetë plotësisht e përkushtuar në forcimin e partneritetit me akterë kryesor vendas dhe ndërkombëtar për arritjen e objektivave për avancimin e barazisë gjinore në vend.
Në këtë drejtim, Presidenca iu është bashkangjitur konferencës së Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), të mbajtur më 25 tetor, në panelin mbi perspektivat dhe sfidat në procesin e përfshirjes dhe promovimit të grave në strukturat partiake dhe në proceset vendimmarrëse.
Në panel, znj. Learta Hollaj, këshilltare kryesore e Presidentes Vjosa Osmani për zhvillim të qëndrueshëm dhe partneritet ka folur për rëndësinë e mbajtjes së Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në këtë kohë përcaktuese për të ardhmen e sigurisë së përbashkët në kontinent dhe më gjerë. Në veçanti, znj. Hollaj ka theksuar se Forumi ka konfirmuar se përfshirja e grave në procese vendimmarrëse e politikbërëse kontribuon në shoqëri më të sigurta dhe më paqësore dhe se angazhimi në këtë drejtim duhet të jetë i gjithanshëm dhe sistematik.