DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Përmbledhja e vizitës së Presidentes në SHBA

Gjatë vizitës së fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidentja Osmani zhvilloi takime të rëndësishme me zyrtarë të lartë amerikanë dhe përfaqësues të Kongresit, për të thelluar partneritetin strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.

Në kuadër të kësaj vizite, Presidentja Osmani takoi:

Zv. Sekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, me të cilin diskutoi për ndërtimin e kapitujve të rinj të bashkëpunimit strategjik, në përputhje me vizionin e Administratës Trump – me fokus në siguri, zhvillim dhe investime strategjike.

Ndihmës Sekretarin në detyrë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan Hanrahan, me të cilin u rikonfirmua përkushtimi për avancimin e partneritetit në fusha kyçe si mbrojtja dhe ekonomia.

Ambasadoren Dorothy Shea, të ngarkuar me punë në Misionin e SHBA-ve në OKB, me të cilën u diskutua përkrahja amerikane për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kombet e Bashkuara, si dhe fuqizimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.

Senatorin Andy Kim, me të cilin diskutoi forcimin e bashkëpunimit në siguri, zhvillim ekonomik dhe inovacion.

Kongresistin Ritchie Torres, mik i dëshmuar i Kosovës, me të cilin u riafirmua përkushtimi i palëkundur për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.

🎙 Në Hudson Institute në Washington D.C., Presidentja mbajti fjalimin kryesor dhe mori pjesë në diskutimin për rëndësinë e lidershipit amerikan për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor.

🎓 Në Johns Hopkins University, Presidentja mori pjesë në diskutimin për rolin e Kosovës në arkitekturën globale të sigurisë dhe përforcimin e aleancës transatlantike.

🎙 Në Atlantic Council, në një tryezë të rrumbullaktë, në prani të diplomatëve e ekspertëve, Presidentja Osmani foli për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, si dhe për rëndësinë strategjike të anëtarësimit të Kosovës në NATO.

🎖 Në New York, Presidentja Osmani dekoroi me medalje presidenciale disa prej kontribuuesve më të mëdhenj për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës – pjesëtarë të diasporës shqiptaro-amerikane që u bënë zëri, guximi dhe forca e Kosovës në ditët më të vështira.

🏆 Me ftesë të Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, Presidentja Osmani mori pjesë në darkën zyrtare të organizuar nga FIFA për Kupën e Botës për Klube, ku takoi personalitet të shquara nga bota e politikës e sportit.

Kosova qëndron krah për krah me Shtetet e Bashkuara – në vlera, në vizion dhe në veprim.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.