Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, me rastin e 8 Marsit, Ditës së Gruas, sot në Gjakovë organizoi një pritje dhe shtroi një drekë për gratë e Krushës, të Gjakovës dhe vendbanimeve të tjera të këtij rajoni.
Në pritje ishte e pranishme edhe zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.
Në emër të grave të mbledhura në këtë rast, kryetarja e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Nysrete Kumnova, në një fjalë emocionale, përshkroi gjendjen e rëndë të nënave, bashkëshorteve, motrave dhe familjarëve të të pagjeturve, të cilat çdo festë, e edhe 8 Marsin, e përjetojnë me dhimbje.
Me këtë rast, ajo i bëri thirrje Presidentit Pacolli që të ushtrojë ndikimin e tij për zbardhjen e fatit të rreth 1820 qytetarëve të Kosovës që ende janë të pagjetur, si dhe për përshpejtimin e identifikimit të mbi 400 mbetjeve mortore që janë në morgun e Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Në emër të grave të mbledhura në këtë rast, ajo falënderoi Presidentin Pacolli për kujdesin që në këtë ditë të tyre, t’u gjendet afër dhe t’i përkrahë ato.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli tha se bashkëndjen dhimbjen që kanë nënat, gratë, motrat e të pagjeturve.
“Gjithmonë kam qenë dhe do të jem afër jush, Më ka lidhur e shkuara, më lidh e tanishmja, dhe sigurisht do të më lidh edhe e ardhmja. I di sakrificat e juaja, i kam të njohura të gjitha. E di se keni vuajtur. Por, ne do të mundohemi që ta ndajmë këtë dhimbje së bashku. Besoj se tani, në këtë ditë, në ditën e juaj, ne duhet t’i gëzohemi kësaj dite, ditës së Kosovës së lirë, që ne sot e gëzojmë e për të cilën kanë rënë vëllezërit, burrat, djemtë e juaj. Lavdi atyre”, tha në fillim të fjalës së tij Presidenti Pacolli.
“Të gjitha ju, të nderuara motra që jeni këtu, e di se pritni shumë nga ne dhe nuk di a do të jemi në gjendje t’ua kthejmë hakun, për gjithë atë që keni bërë për ne. Por, unë mund t’ju premtoj se do të punoj me gjithë fuqinë, që ta ndieni se ju jeni të vlefshme për ne. Prandaj, në këtë ditë që ju përket juve, t’i gëzohemi ardhmërisë dhe t’i gëzohemi shpresës”, vijoi Presidenti Pacolli.
“Kosovarët dinë ta duan nënën e tyre, motrat e tyre, dinë t’i respektojnë ato. Por, kjo nuk mjafton. Duhet edhe shumë punë që t’u kthehet haku juve”, vijoi ai.
Më tej Presidenti Pacolli theksoi se e gëzon fakti se sot, nëpër institucionet e Kosovës së lirë, sheh motrat tona, të cilat kryejnë funksione të rëndësishme dhe dhashtë Perëndia që në të ardhmen të kemi edhe më tepër.
“Parlamenti i Kosovës ka një të tretën nga gjinia femërore. Ju jeni të përfaqësuara shumë bukur. Prej këtu ju dërgoj një mesazh deputeteve që të punojnë, të punojnë për kauzën tonë, të punojnë për një ardhmëri më të mirë, të punojnë edhe për juve. Ju meritoni që të jeni të përfaqësuara sa më mirë. Ne sot në Qeverinë e Kosovës kemi femra të cilat janë të përfaqësuara shumë mirë. Kemi zëvendëskryeministre, shefe të departamenteve të ndryshme, zonja që punojnë për shoqërinë kosovare. Jam i bindur se nuk është e rastit që ato zonja janë aty. Ato do të dinë të punojnë edhe për shoqërinë kosovare, por posaçërisht për ju. Ju tani, në këtë ditë, gjeni një moment dhe gëzohuni. Është dita juaj. Sado qoftë simbolik, ky tubim këtu të jetë një moment, një shkas që të festojmë së bashku”, tha ndër të tjera në fjalën e tij Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.