Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, në një letër drejtuar Shoqatës të Burgosurve Politikë, me rastin e tridhjetëvjetorit të demonstratave të 11 marsit të vitit 1981, vlerësoi lart angazhimin e të gjithë organizatorëve dhe pjesëmarrësve të këtyre demonstratave.
Në letrën e Presidentit Pacolli thuhet:Të nderuar veprimtarë, organizatorë dhe pjesëmarrës të demonstratave studentore dhe gjithëpopullore të 11 Marsit të vitit 1981. Kam kënaqësinë dhe nderin që t’ ju përshëndes dhe t’ju përgëzoj për veprimtarinë tuaj të çmuar atdhetare në përpjekjet tona shekullore për çlirim dhe për pavarësi.Duke e çmuar lart kontributin tuaj, më lejoni që edhe në emër të qytetarëve të Kosovës t’ju shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e thellë për kurajon dhe guximin tuaj atdhetar, që t’i jepni impuls një lëvizjeje çlirimtare që kishte nisur shumë herët, por që me demonstratat e vitit 1981 mori karakter masovik dhe gjithëpopullor dhe u bë fundament i lëvizjes së mëvonshme politike dhe ushtarake që shtyri krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës.Duke u përkulur para veprës tuaj dhe gjithë atyre veprimtarëve që ranë në altarin e lirisë, zotohem se do të vihem me gjithë qenien time, brenda Institucionit që përfaqësoj, në mision të jetësimit të idealit dhe amanetit të atyre brezave që i vunë themelet e shtetit të pavarur dhe sovran të KosovësQoftë e lavdishme vepra e juaj, populli i Kosovës është mirënjohës për këtë.Me respekt,Behgjet Pacolli,President i Republikës së Kosovës