DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Në 26-vjetorin e Masakrës së Mejës, në emër të Presidentes Osmani, këshilltarët, Ismet Kasniqi dhe gjeneral Sefer Isufi, bënë homazhe dhe nderime për nder të viktimave

Sot, në 26-vjetorin e Masakrës së Mejës, krimit më makabër të kryer nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë ndaj popullatës civile shqiptare gjatë luftës së vitit 1999, në emër të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, këshilltarët, Ismet Kasniqi dhe gjeneral Sefer Isufi, bënë homazhe dhe nderime për nder të viktimave.

Në këtë përvjetor të dhimbshëm, kujtojmë me pietet të thellë 376 civilë të pafajshëm, burra, gra e fëmijë, të cilët u masakruan mizorisht nga forcat kriminale të regjimit gjenocidal të Serbisë, ndërsa shumë prej tyre edhe sot e kësaj dite mbesin të pagjetur. Ky krim makabër, si shumë të tjera anembanë Kosovës, vazhdon të mbetet i pandëshkuar, duke rënduar plagët e hapura të familjarëve dhe gjithë popullit tonë.

Presidentja Vjosa Osmani, në emër të Republikës dhe popullit të Kosovës, riafirmon përkushtimin e palëkundur për drejtësi, për të kërkuar me këmbëngulje zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë dhe ndëshkimin e autorëve të këtyre krimeve.

Kujtimi për martirët e lirisë të Mejës dhe gjithë Kosovës do të jetojë përjetë në zemrat tona.

Lavdi përjetë të rënëve!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.