presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Mesazh i Presidentit Sejdiu me rastin e 24 marsit

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu u është drejtuar qytetarëve të vendit me një mesazh, me rastin e njëmbëdhjetëvjetorit të fillimit të fushatës ajrore të NATO-s për shpëtimin e popullit të Kosovës nga spastrimi etnik.
Në vijim po e japim tekstin e këtij mesazhi:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,Sot, më 24 mars 2010, mbushen njëmbëdhjetë vjet nga fillim i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi. Siç e thoshte Presidenti ynë historik, dr. Ibrahim Rugova kjo ditë ka hyrë në historinë moderne të Kosovës si njëra ndër datat më të rëndësishme të saj. Ndërhyrja e Aleancës Veriatlantike për ndalimin e krimeve të paramenduara që po i bëheshin popullit të Kosovës paraqet një akt të lartë të humanizmit të bashkësisë ndërkombëtare, e cila nuk qëndroi indiferente ndaj tragjedisë që po përjetonim, por ndërhyri me vendosmëri për t’u dhënë fund vuajtjeve apokaliptike nëpër të cilat po kalonim.Falë intervenimit të NATO-s, rezistencës sonë të përgjithshme dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendi ynë arriti lirinë dhe iu bashkua familjes së madhe të kombeve sovrane, të cilat synojnë së bashku një botë më të lirë, më të prosperuar dhe më paqësore. Njëmbëdhjetë vjet pas fillimit të kësaj fushate, Kosova ka shënuar progres në të gjitha fushat e jetës. Republika e Kosovës është pavarësuar dhe është njohur ndërkombëtarisht nga 65 vende, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumica e vendeve të Bashkimit Evropian dhe vende të tjera demokratike anekënd botës. Ajo po dëshmohet çdo ditë si një faktor shumë i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në këtë pjesë të Evropës Juglindore, duke nxitur po kështu bashkëpunimin me vendet fqinje dhe të rajonit. Institucionet e Republikës, me gjithë vështirësitë që i has secili vend i porsapavarësuar, po punojnë për zhvillimin ekonomik dhe për krijimin e vendeve të reja të punës, si dhe për përmirësimin e mirëqenies së jetës së të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, në mënyrë që vendi ynë të shpejtojë hapin drejt integrimeve euroatlantike.   Duke ju uruar edhe një herë këtë ditë të shënuar, ritheksoj se fushata ajrore e NATO-s u dha fund përpjekjeve të qëllimshme dhe sistematike për spastrim etnik dhe gjenocid ndaj popullit të Kosovës, ndaj ne do t’u jemi përherë mirënjohës të gjitha vendeve që dërguan djemtë dhe bijat e veta në luftë për çlirimin e Kosovës.Në këtë ditë feste, urimet të përzemërta u shprehim ushtarëve dhe komandantëve të të gjitha zonave të KFOR-it, si dhe gjeneralit Bentler, të cilët po bëjnë mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës.Zoti e bekoftë NATO-n!Zoti i bekoftë të gjithë të rënët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës!Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

This site is registered on wpml.org as a development site.