DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Kosova anëtarësohet në Justice Action Coalition

Me iniciativë të Presidencës së Republikës së Kosovës, si pjesë e zotimeve të Samitit për Demokraci, Kosova është anëtarësuar në Justice Action Coalition, duke iu bashkuar kështu Shteteve të Bashkuara dhe një grupi të shteteve tjera demokratike që synojnë ta promovojnë kolektivisht drejtësinë e përqendruar tek qytetarët në të gjitha nivelet.

“Përmes këtij koalicioni, Republika e Kosovës do të kontribuojë në zhvillimin e strategjive dhe prioriteteve ndërkombëtare të cilat kanë për qëllim qasjen e barabartë në drejtësi për të gjithë”, ka thënë Presidentja Osmani, duke rikonfirmuar edhe një herë përkushtimin e palëkundur për forcimin e sundimit të ligjit dhe demokracisë në Kosovë dhe jashtë saj.

Republika e Kosovës, përgjatë vitit të kaluar ka arritur suksese të rëndësishme në të tri zotimet e Samitit për Demokraci, të cilat kishin për qëllim fuqizimin e sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, luftimin e autoritarizmit, avancimin e të drejtave të njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen me fokus në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore.

Për shkak të këtij suksesi, nga më shumë se 100 shtete pjesëmarrëse, Presidenca e Republikës së Kosovës, si institucion udhëheqës në Kosovë përgjatë “Vitit të Veprimit”, në kuadër të Samitit për Demokraci, është përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë që të bashkudhëheqë me grupin tematik për sundim të ligjit.

Presidentja Osmani në Samitin e Dytë për Demokraci ishte folëse në seancë plenare me presidentin Macron, kryeministrin britanik, Sunak dhe kancelarin gjerman Scholz, ku ndër të tjera, riafirmoi se përkushtimi i Republikës së Kosovës për demokraci ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i pathyeshëm.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.