Gjatë vizitës zyrtare në Japoni, në kuadër të delegacionit presidencial të udhëhequr nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, këshilltaret Rejhan Vuniqi dhe Donika Kadaj, zhvilluan një takim të rëndësishëm me Zëvendësministrin për Ekonomi, Tregti dhe Industri të Japonisë, z. Takehiko Matsuo.
Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësues të bizneseve kyçe nga Kosova dhe përfaqësues të sektorit privat, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Diskutimet u përqendruan në nxitjen e investimeve direkte nga Japonia në Kosovë, si dhe në krijimin e lidhjeve të reja ndërmjet komuniteteve të biznesit.
Ky angazhim është pjesë e vizionit të Presidentes Osmani për të avancuar marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, përmes diplomacisë ekonomike, duke krijuar kështu mundësi të reja zhvillimore për vendin tonë.