presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Jahjaga: Me marrëveshjen nuk humb askush

(Intervistë e Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga në “Novi Magazin”, publikuar më 8 maj 2013)

1.    Si do t’ia përshkruanit me disa fjalë marrëveshjen e Brukselit, dikujt i cili nuk është i udhëzuar në situatën politike, historike dhe shoqërore të Serbisë dhe Kosovës?

Marrëveshje e pritur gjatë dhe tejet e nevojshme. Zgjon shpresë se politika në këto hapësira po ec në drejtim të së ardhmes duke mos iu kthyer së kaluarës. Ndoshta për herë të parë në histori dy përfaqësuesit legalë dhe legjitimë të dy shteteve ose dy popujve takohen si të barabartë dhe të lirë e merren vesh dhe nënshkruajnë marrëveshjen me të cilën rregullojnë çështje të caktuara të cilat kanë të bëjnë me marrëdhënie të ndërsjella mes tyre.

Marrëdhëniet tona në të kaluarën nuk kanë qenë të mira dhe kanë shkaktuar shumë dhimbje e vuajtje. Kemi pasur luftë në Kosovë, e jo në Serbi, dhe ka pësuar populli. E kemi kaluar periudhën e vrasjeve, plagosjeve dhe masakrimeve, dhunimeve, maltretimeve e plaçkitjeve, si dhe djegies, shkatërrimit e plaçkitjes së të mirave tona…

Marrëveshja në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, me përkrahjen e plotë të SHBA-ve, është faqe e re në marrëdhëniet tona, kontribut paqes dhe stabilitetit, marrëveshjes reciproke dhe bashkëpunimit për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe vendeve tona. Ky është edhe parakusht i vendeve tona në rrugën e integrimeve evropiane.

2.    Tani e njëjta pyetje- ç’është vlera më e madhe e marrëveshjes së Brukselit dhe cilat detaje të asaj ujdie i veçoni si thelbësore – por ta dini se është përgjegjësi që, për opinion në Serbi, ta shpjegoni më hollësisht.

Së pari, pse u arrit marrëveshja. Që këtë palët e bënë me vetëdijen e tyre, me vullnetin e tyre të mirë, me përgjegjësi politike e shtetërore, pa kurrfarë imponimi nga anë të tjera.

Republika e Kosovës është shtet i ndërtuar mbi parimin qytetar, ku të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, fetare apo racore, janë plotësisht të barabartë në të drejtat dhe liritë e tyre. Serbët si qytetarë të barabartë kanë të njëjtat të drejta si edhe shqiptarët dhe popujt e tjerë. Gjuha serbe është në përdorim zyrtar në tërë territorin e Kosovës, pa marrë parasysh se a jetojnë ata në një komunë apo jo. Nga 38 komuna në Kosovë me procesin e decentralizimit janë krijuar edhe komuna me shumicë të banorëve serbë edhe në rastet kur numri i banorëve nuk kalon numrin prej pesë mijë banorë. Komuna Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovica Veriore, Novobërdë, Shtërpcë, Kllokot, Partesh dhe Ranillug janë komuna në të cilat popullata serbe udhëheq qeverinë komunale. Në Kosovë komunat kanë autonomi të gjerë vendosjeje për financa, shëndetësi, shkollim, gjyqësi, polici, rregullimin hapësinor, urban etj. Me marrëveshjen e Brukselit e tërë kjo konstatohet dhe konkretizohet edhe Asociacioni i komunave serbe të veriut të Kosovës.

E tërë kjo që qëndron në marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e garantuar me Kushtetutë dhe ligje të Republikës së Kosovës. Risi është se tani edhe Serbia është pajtuar se do të ndihmojë që në katër komunat në veri të Kosovës të shpërbëhen të gjitha institucionet dhe strukturat ilegale dhe paralele dhe që, këtë vit, në këto katër komuna, ashtu si edhe në të gjithë territorin e Kosovës, të mbahen zgjedhjet lokale dhe të zgjidhen strukturat legale dhe legjitime të qeverisjes.

3.    A është fjala për vërtetimin e Planit të Ahtisarit apo qeverisja e Kosovës ka bërë hapin e integrimit sa më të shpejtë të serbëve të Kosovës nga veriu në Asociacion?

Ne dëshirojmë që të gjithë serbët e Kosovës t’i integrojmë si të barabartë dhe me dëshirën e tyre në shoqërinë kosovare. Shumica e serbëve këtë edhe e bënë nëse llogarisim se rreth njëqind mijë qytetarë të komunitetit serb jeton në pjesën qendrore dhe jugore të Kosovës e se rreth 60 mijë jetojnë në territorin verior të lumit Ibër. Ne duam që serbët të kenë të njëjtat të drejta si edhe të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës, pa marrë parasysh se në cilën pjesë të territorit të shtetit jetojnë. Të drejtat dhe liritë e tyre kombëtare assesi nuk janë çështje për t’u theksuar. Këto janë të drejta të paprekshme, të garantuara edhe me Kushtetutë e ligje të Republikës së Kosovës.

4.    Sa përfiton me këtë marrëveshje shoqëria kosovare në tërësi, sa komunitetet etnike, veçanërisht serbët, e sa dhe/në çka humbin?
Askush nuk humb. Në veri të Kosovës vendoset rendi dhe ligji. Edhe Republika e Serbisë angazhohet dhe ndihmon konform marrëveshjes në realizimin e të drejtave kombëtare, fetare dhe të drejtave të tjera të popullit serb në Kosovë, si dhe në zhvillimin ekonomik. E tërë kjo politikë tani do të drejtohet publikisht, me një mënyrë të caktuar të mbikëqyrjes nga ana e Bashkimit Evropian të sendërtimit të marrëveshjes.

5.    A duhet që gjatë dhe për shkak të implementimit, të ndryshohen ligjet dhe dispozitat dhe cilat ?

Komisionet e të dy shteteve po punojnë konkretisht në implementimin e secilës pikë të marrëveshjes dhe do të bëjnë tërë atë që është e nevojshme.

6.     A pritni rezistencë brenda komunitetit shqiptar ndaj aplikimit të marrëveshjes?

Marrëveshja është nënshkruar nga dy kryetarët e qeverive. Si e tillë nuk ka dimension kombëtar. Partitë e caktuara politike dhe subjekte janë kundër  marrëveshjes. Ndikimi i këndvështrimit është proporcional me fuqinë e tyre politike. Çështjet zgjidhen brenda institucioneve: në Qeveri dhe Kuvend…

7.    Zgjedhjet lokale, sipas informatave në disponim, janë planifikuar për në tetor. Ka indikacione se atëherë mund të jenë edhe zgjedhjet për Kuvend të Kosovës. A do të ishte mirë të bashkohen zgjedhjet dhe pse nëse po, e pse nëse jo?

Këtë vit është e paraparë që të mbahen zgjedhjet lokale, për kuvende komunale dhe për kryetar të komunave. Zgjedhjet parlamentare varen nga marrëveshjet ndërmjet subjekteve dhe partive politike. Në rrjedhë e sipër është procesi i reformës zgjedhore dhe mënyra e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, në Kuvend apo përmes votës së drejtpërdrejt të qytetarëve. Ende ka mospajtime rreth njësive zgjedhore, rreth listës së hapur apo të mbyllur etj. Ekziston dëshira që në zgjedhje parlamentare të mos hyhet me ligje të vjetra. Mirëpo, vendimin përfundimtar do ta sjellë Kuvendi i Kosovës.

8.    Procesi i parë i paralajmëruar, ta themi ashtu, transformimi i strukturave të sigurisë në veri dhe kyçja e tyre në SHPK. Çka do të thotë kjo konkretisht dhe si e në cilin afat do të zbatohet, duke përfshirë emërimin e komandantëve komunalë dhe regjionalë.

Marrëveshja është e qartë dhe konkrete. Policia e Kosovës është unike dhe vepron nën një komandë dhe strukturë.

9.    Javëve të ardhshme priten të ashtuquajturat bisedat teknike së pari për telekomunikacionin dhe energjinë, e pastaj edhe tjerat. Nuk ka dyshim se edhe kërkesat e pensionistëve të Kosovës do të përfshihen, nga një anë, e nga ana tjetër janë kthimet/borxhet dhe në përgjithësi çështjet e pasurisë. A mundeni për secilën çështje të cekur të na thoni pozicionin e Prishtinës zyrtare?

Po me siguri do t’i shfrytëzojmë përvojat e të tjerëve me respektim të ligjshmërisë, konventave dhe standardeve ndërkombëtare. Në këtë mund të na ndihmojë edhe procesi i sukcesionit ndërmjet republikave nga ish-Jugosllavia. Nuk kemi kurrfarë paragjykimesh dhe në këto biseda nuk ka kushtëzime. Palët punojnë në mënyrë të pavarur me konsiderata ndaj njëri-tjetrit në baza plotësisht të barabarta.

Delegacionet tanimë kanë fituar rutinë të caktuar në punë dhe kjo është mirë se i kontribuon suksesit.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.