presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Intervista e Presidentes së Republikës së Kosovës, SH.S. Vjosa Osmani-Sadriu për Diário de Notícias, Lisbonë, Portugali, 30.10.2021

“Cdokush në Kosovë është falenderues ndaj pranisë së Portugalisë në kuadër të KFOR-it.” Nga Leonídio Paulo Ferreira 30 Tetor 2021 – 00:11

E zgjedhur Presidente me premtimin për të luftuar korrupsionin, fronti diplomatik mbetet gjithashtu prioritet për Vjosa Osmanin, përderisa rreth njëqind vende e njohin pavaresinë e Kosovës të shpallur më 2008, KB mbeten ende të mbyllura. Duke qenë 39 vjecare, përfaqesuese e brezit të ri të politikanëve kosovarë, ajo thotë së është e gatshme të ndërtojë një marrëdhënie paqësore me Serbinë, por e akuzon Serbinë për një fushatë ndërkombëtare agresive kundër Kosovës. Ajo erdhi në Lisbonë për të marrë pjesë në Global Summit of Women.

Si janë marrëdhëniet me Serbinë, e cila vazhdon të refuzojë njohjen e pavarësisë së Kosovës? E di qe keni deklaruar se jeni e gatshme të ndërtoni marrëdhëniet më të mira të mundshme, madje të rregullta, mes Kosovës, ku Ju jeni Presidente dhe Serbisë? Si e përshkruani situatën aktuale?

Për fat të keq kemi një situatë të vështirë, të krijuar nga fqinji ynë verior, me synime destabilizuese jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj Bosnjës, Malit te Zi dhe vendeve të tjera të rajonit. Por, pavarësisht sulmeve kundër nesh dhe synimeve për të destabilizuar vendin tonë, Kosova ka qenë gjithmonë nje fqinj paqësor dhe konstruktiv. Ne gjithmonë e kemi shtrirë dorën e miqësisë dhe të bashkëpunimit, madje edhe duke qenë të vetëdijshëm që Serbia jo vetëm që nuk ka kërkuar falje, por as nuk ka vënë drejtësi për viktimat që shkaktoi gjatë regjimit të Millosheviqit në ish-Jugosllavi e posacërisht në Kosovë. Unë fuqishëm besoj se ekzistojnë disa parime bazë, apo parakushte, për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme në rajonin tonë… e një prej tyre është drejtësia. Jo vetëm në rajonin tonë, por po të hedhim një vështrim në historinë botërore, do të shohim se nuk ka vend ku është arritur kjo paqe e qëndrueshme pa vënë drejtësi ndaj viktimave të shkaktuara nga lufta. E ndërsa ne kemi numrin më të madh të fëmijëve të vrarë gjatë luftës në krahasim me vendet e tjera të rajonit për kokë banori, më shumë se 20.000 gra të dhunuara nga forcat e Milosheviqit, e kemi humbur mijëra jetë civilësh neë vetëm pak muaj, drejtësia nuk u vendos në asnjë nga këto raste. Ky fakt na bën të kërkojmë dicka që është thelbësore: ballafaqimi me të kaluarën. Ballafaqimi me të kaluarën është shumë i rëndësishëm nëse duam që rajoni ynë të ecë përpara, por pavarësisht përkushtimit të Kosovës për dialogun me Serbinë, për të siguruar marrëdhënie të mira tregtare, për të mos patur pengesa në lëvizjen e lirë të mallrave e të njerëzve, dhe për të mos pasur bllokada ndaj njëri- tjetrit në arenën ndërkombëtare, Serbia bën të kundërtën. Ajo vazhdon të zhvillojë një fushatë të egër kundër Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, vazhdon të abuzojë me dialogun, duke u percjellë informacione jo të vërteta disa vendeve e vecanërisht atyre që janë gjeografikisht më larg, duke thënë se dialogu është i përqëndruar në statusin e Kosovës – e që padyshim që nuk është ky qëllimi i dialogut – dhe ka nisur një sërë nismash destabilizuese me ndihmën e Rusisë, duke mbajtur gjallë tensionet dhe konfliktet e duke e lënë rajonin plotësisht jashtë integrimeve evropiane, duke shkuar kundër asaj që duam dhe mbështesim. Pavarësisht gjithë kësaj, përpjekjet tona janë të sinqerta, ne jemi shumë të qartë në synimet tona, ne flasim në menyrë të sinqertë me miqtë tanë në BE dhe SHBA dhe më gjerë, kemi marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë fqinjët tanë dhe hapat që po ndërmarrim janë drejt krijimit të marrëdhënieve të mira me Serbinë, por fatkeqësisht nuk mund të them që Serbia është duke bërë të njëjtën gjë.

Ka kritika ndaj Kosovës në lidhje me respektimin e të drejtave të minoriteteve, në mënyrën sesi ky shtet i ri i trajton njerëzit që nuk janë me etni shqiptare. Unë e di që Ju keni lindur në Mitrovicë, një qytet që shpesh është skenë e përleshjeve mes grupeve etnike. Si është situata me grupet minoritare, vecanërisht me serbët në Kosovë?

Ky kriticizëm nuk është i bazuar në realitet e për këtë unë i ftoj ata kritizerë që të vijnë e të shohin realitetin në Kosovë me sytë e tyre. Po ndaj me ju disa fakte: Kosova ka një nga standardet më të larta në mbrojtjen e pakicave etnike e që percaktohet në Kushtetutën tonë dhe nuk e gjeni askund tjetër në vendet e BE-së apo jashtë saj. Pakicat etnike kanë ulëse të garantuara në Parlament, janë të përfaqësuara në të gjitha institucionet shtetërore dhe kanë të drejta që nuk gjenden në asnjë Kushtetutë tjetër Europiane. Duke qenë vetë viktimë të një represioni, jemi siguruar që askush në Kosovë të mos ndihej më ashtu. Multietniciteti është në fakt një nga pikat tona më të forta, është parimi bazë i Kushtetutës sonë. Dhe është kjo arsyeja që kur dikush propozon një zgjidhje ku territoret të ndahen në baza etnike, ne refuzojmë. Ne nuk besojmë në monoetnicitetin, ne besojmë se multietniciteti e bën një vend jo vetëm më të larmishëm, por edhe më të fortë, sepse diversiteti është pasuri. Pastaj, nëse shohim raportet ndërkombëtare, shohim se nuk ka pasur sulme vecanërisht domethënëse fetare në dekadën e fundit. Për më tepër, nëse shohim shifrat e sakta të krimeve të motivuara nga ndasitë etnike, ato jane 0.03% të totalit. Por, ne ende jemi të përkushtuar që atë shifër ta cojmë në zero. Sipas OSBE, në xhamitë e Kosovës ka më shume sulme dhe grabitje se në kisha. E gjithë kjo tregon se aktet bazuar në urrejtje etnike në Kosove janë në rënie. Dhe për momentin ato janë më të ultat në gjithë rajonin. Unë personalisht jam shumë e përkushtuar për t’u treguar të gjitha komuniteteve në Kosovë, duke përfshirë edhe komunitetin serb që jeton në Kosovë, se synimi ynë është që të gjithë të ndjehen të sigurtë, por gjithashtu të kenë një perspectivë punësimi, shkollimi e suksesi në vend. Une jam lindur dhe kam jetuar në Mitrovicë për 18 vite, dhe vecanerisht pas luftës kam folur me shqiptarët në jug, me serbët në veri, boshnjakët e turqit që jetojnë në qytet dhe të gjithë shprehnin të njëjtat probleme: papunësia, mungesa e mundësive ekonomike dhe në rastin e grave, diskriminimi. Ja përse zgjidhja duhet të jetë e përbashkët, multietnike. Për këtë arsye, kushdo që beson se zgjidhja qëndron te izolimi apo ndarja etnike e ka gabim. Dhe ne vetëm duhet ta shohim botën si tërësi për të ardhur në përfundimin që kjo lloj zgjidhjeje nuk ka qenë asnjëherë e suksesshme, nuk ka funksionuar asnjëherë. Policia jonë është multietnike, gjyqtarët tanë jane multietnikë; edhe kur vjen fjala te lufta kundër krimit dhe korrupsionit, gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë punojnë ngushtë me gjyqtarët dhe prokurorët serbë. Në të kaluarën, ata që kanë qenë të përfshirë në krim të organizuar kanë qenë edhe shqiptarë edhe serbë, por askush nuk pyeste për përkatësinë etnike. Sot, përpjekjet efektive për të luftuar krimin dhe korrupsionin janë multietnike, sepse ata punojnë të gjithë së bashku dhe janë të suksesshëm në këtë partneritet. 

Ju i referoheni korrupsionit, i cili rëndon shume në imazhin e Kosovës dhe që ndikon në perspektivën europiane të integrimit në BE. A jeni optimiste?

Absolutisht po. Mund të them që korrupsioni i përket së shkuarës, sepse është shumë e rëndësishme të thuhet se institucionet e sapozgjedhura po punojnë aktivisht në platformën kundër korrupsionit. Reforma e parë e rendesishme e institucioneve të reja është në sistemin gjyqësor, sepse ne besojmë se pa shtetin e së drejtës nuk mund të kemi sukses në asnjë fushë tjetër, qoftë ne ekonomi, integrime, investimet te të rinjtë, barazia gjinore. E gjithë kjo lidhet me të paturit e një sistemi të fortë gjyqësor, të aftë për të garantuar siguri dhe barazi për të gjithë. Ky është prioriteti ynë, sepse lidhet drejtpërdrejt me suksesin tonë në të gjitha fushat e tjera. Dhe përpjekjet tona për reformën në drejtësi nuk janë bërë vetëm sepse e kërkon BE-ja, por mbi të gjitha, sepse është ajo që ne besojmë se është më e mira për qytetarët. Ne po punojmë së bashku me BE-në dhe është e qartë se kemi nevojë për mbështetjen e disa vendeve anëtare, veçanërisht për aksesin në instrumentet financiare, për të siguruar që mekanizmat që po ndërtojmë të jenë të suksesshëm. Në të njëjtën kohë, kemi nevojë edhe për mbështetje politike dhe morale, sepse kjo nuk është një betejë e lehtë.

Ka ende pesë vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën, por do të doja t'ju pyesja konkretisht për anëtarësimin në OKB. Kam dëgjuar që së fundi i keni bërë një apel Indisë, sepse me kundërshtimin e vendeve të mëdha si India, veçanërisht Rusia apo Kina, është e pamundur të bëhesh anëtar. Sa optimiste jeni për një ndryshim në pozicione?

Ne kemi jetuar në një kohë kur pjesa më e madhe e botës nuk mund ta identifikonte Kosovën as në hartë. Kur ish-presidenti ynë Ibrahim Rugova udhëtoi botën nga njëri skaj në tjetrin, duke folur për pavarësinë e Kosovës në atë kohë, askush nuk e shihte si opsion. Dhe e vërteta është se Kosova ka arritur diçka që dikur mendohej e paimagjinueshme: pavarësinë dhe sovranitetin, me mbështetjen e kaq shumë kombeve demokratike në mbarë botën. Është një mrekulli që pas kaq shume sakrificash dhe përpjekjesh të qytetarëve e Kosovës, ata sot mund ta gëzojnë lirinë që u është dhënë si e drejtë. Është një arritje e jashtëzakonshme – edhe nëse shumë njerëz e marrin si të mirëqenë… dhe unë nuk jam nga ata njerëz. Unë jam optimiste, por në të njëjtën kohë jam shumë e duruar, sepse e kuptoj që me vende si India gjërat nuk janë aq të shpejta sa do të donim. Kur bëhet fjalë për t'u bërë anëtare e OKB-së, ne jemi njohur nga shumica e anëtarëve të BE-së, por problemi është me Rusinë, e cila po kërcënon të përdorë të drejtën e vetos. Fatkeqësisht, për shkak të mungesës së reformave brenda sistemit të BE-së, vende si Rusia bllokojnë realitetet në mbarë botën, bllokojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut në mbarë botën, bllokojnë një sërë vendimesh që Këshilli i Sigurimit të OKB-së duhet t'i kishte zgjidhur shumë kohë më parë. Por, në rastin e Kosovës, ka një argument edhe më të fortë që OKB-ja të na mbajë krahët hapur, që është mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku unë pata fatin të përfaqësoj vendin tim përkrah avokatëve të tjerë. GJND-ja ishte shumë e qartë se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë ishte shumë e qartë se ajo nuk mund të krahasohet me synimin e territoreve të tjera nëpër botë për t'u bërë e pavarur. Në të vërtetë, GJND-ja mori parasysh historinë tonë për të arritur në përfundimin se zhvillimet e fundit të pas pavarësisë ishin akte të kryera nga populli i Kosovës që përfaqësonin vullnetin e të njëjtit popull, dhe si rrjedhim ishin të ngjashme me procesin e pavarësisë, gjë që nuk u arrit përmes përdorimit të dhunës nga Kosova ndaj kombeve të tjera dhe që nuk shkeli asnjë nga parimet themelore të organizatës ndërkombëtare. Përkundrazi, u pranua se Kosova është një shtet i formuar si shumë të tjerë që tani janë anëtarë të OKB-së dhe po ashtu ka konfirmuar se shumica dërrmuese e krimeve janë kryer nga Serbia në Kosovë. Dhe një element tjetër i rëndësishëm, që ç’monton diskutimin mes Rusisë dhe Serbisë për rezolutën 1244 –  GJND-ja sqaron se kjo rezolutë është dashur të jetë një regjim juridik për Kosovën vetëm deri në momentin kur të përcaktohet statusi përfundimtar. Dhe kur kjo ndodhi, në vitin 2008, ai regjim ligjor nuk zbatohet më, sepse ekziston një i ri tashmë i krijuar nga institucionet e reja të Kosovës, i zgjedhur nga populli. Çdo hezitim që mund të ketë ndonjë vend në lidhje me Kosovën mund të shpërbëhet nga vetë opinioni i GJND-së. Siç tha një gjykatës brazilian në Gjykatën Ndërkombëtare, gjykatësi Trindade, “vendet ekzistojnë për njerëzit dhe jo anasjelltas” dhe kur vende si Serbia abuzojnë me integritetin territorial dhe sovranitetin për të kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit, gjenocid, humbasin automatikisht të drejtën e përdorimit të parimit të integritetit territorial dhe sovranitetit dhe sidomos përdorimi i tyre si mburojë mbrojtjeje, sepse nuk mund të ketë asgjë për të mbrojtur vendet që kryejnë krime të kësaj natyre, prandaj të gjithë këta faktorë janë argumente të rëndësishëm që shpresoj se do të merren parasysh nga vendet kur të marrin vendimin për integrimin e Kosovës në OKB.

Në vizitën tuaj në Portugali duke synuar zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, a janë pikënisje kujtimet e mira të pjesëmarrjes së ushtrisë portugeze në KFOR?

Të gjithë në Kosovë u jemi shumë mirënjohës pranisë portugeze në NATO. NATO dhe të gjithë ushtarët e KFOR-it, edhe sot, edhe 20 vjet pas luftës, konsiderohen si shpëtimtarët tanë. Një sondazh i fundit tregon se pothuajse 90% e njerëzve në Kosovë i besojnë shumë KFOR-it, duke e bërë atë një nga rastet shumë të rralla në botë ku prezenca ndërkombëtare është e çmuar, edhe pas dy dekadash. Ne kemi pasur gjithmonë marrëdhënie të mira me ushtrinë portugeze në Kosovë dhe kam pasur rastin të shpreh mirënjohjen time në këtë vizitë në Lisbonë, por mendoj se gjëja më e rëndësishme që duhet theksuar këtu është forcimi i marrëdhënieve njerëzore midis njerëzve dhe vendeve dhe ura lidhëse që është krijuar mes dy vendeve tona, një urë që ne duam të jetë gjithnjë e më e fortë. Ajo që është e rëndësishme të kihet parasysh në këto raste, është se edhe pse Kosova dikur ishte një zonë lufte, sot është një vend dhe shoqëri e begatë, me perspektiva të mëdha për fuqizim ndërkombëtar dhe zhvillim të biznesit, përmes shkëmbimit të njohurive, edukimit, në mënyrë që të garantojmë sa më shumë vizitorë, sepse ka një sërë avantazhesh turistike si në Portugali ashtu edhe në Kosovë, veçanërisht në segmentin e turizmit malor. Dhe nëse është e vërtetë që kontakti i parë i madh mes dy kombeve është siguruar tashmë që nga ardhja e ushtarakëve portugezë, pse të mos vendosen ura të reja, si bashkëpunimi në industrinë teknologjike, partneritetet universitare, rritja dypalëshe e investimeve. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu: ne duhet të krijojmë forca të reja dhe bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, e cila është një nga prioritetet e mia.

Islami në Kosovë është mjaft i moderuar, por duke parë një vend me shumicë myslimane, a është e habitshme të shohësh një grua si presidente?

Kosova është një shoqëri multi-fetare dhe multikulturore. Kushtetuta jonë e përcakton vendin si një shtet laik. Sigurisht që ka fe të ndryshme në Kosovë, por ne jemi të njohur në mbarë botën për tolerancën tonë fetare. Ka familje ku njëri është mysliman dhe tjetri katolik dhe gjithçka është në rregull. Ne kemi një komunitet shumë aktiv katolik, me të cilin punoj ngushtë dhe siç e dini prindërit e Nënë Terezës janë nga Kosova dhe ajo është ende një nga figurat më të admiruara nga të gjithë, e kuptuar si shembull për shembujt e mirë që na ka dhënë. Feja nuk ishte asnjëherë arsyeja pse Kosova nuk përparoi. Ne e respektojmë njëri-tjetrin, e vlerësojmë njëri-tjetrin dhe, edhe pse është një shtet laik, liritë fetare mbrohen në të gjitha format e saj. Shoqëria jonë na ka treguar se është e emancipuar për sa i përket barazisë gjinore dhe dëshmi për këtë është votimi për një grua, duke e bërë atë personin më të votuar në historinë e vendit, diçka që disa vende të BE-së nuk e kanë arritur ende. Zgjedhja ime nuk ishte rezultat i një kalkulimi politik, unë isha personi me më shumë vota, prandaj parlamenti konfirmoi zgjedhjen time si presidente. Edhe pse ne ende po luftojmë diskriminimin, ne mund të shërbejmë si shembull për vendet e tjera për sa i përket arritjeve në jetën publike dhe mbi të gjitha në mënyrën e përfaqësimit të grave – dhe mbi të gjitha përmes votës së qytetarëve.

This site is registered on wpml.org as a development site.