presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Intervista e Presidentes për revistën gjermane STERN

Der Stern ka zhvilluar një intervistë me presidenten kosovare Vjosa Osmani.

Zonja Presidente, të dielën mbrëma janë acaruar përsëri konfliktet në qytetin e Mitrovicës. Sirenat dëgjoheshin në qytetin tuaj të lindjes – Çka ju shkonte në mendje?

Situata nuk krahasohet me sirenat që i dëgjonim në vitet e 90-ta. Mirëpo është situatë krijuar nga po të njëjtit njerëz. Beogradi është burimi i tensionit dhe përshkallëzimit. Tani situata është sërish e qetë, por Kosova  do të vazhdojë rrugën e saj dhe t’i implementojë këto masa. Serbia ka vendosur prej kohësh për qytetarët e Kosovës masa të tilla të hyrjes – nëse do t'i largonte ato pengesa, nuk do të ishim të detyruar të vendosim masa reciprociteti. Megjithatë, ajo që është alarmante është retorika e presidentit serb Vuqiç dhe politikanëve të tjerë në Serbi, e cila ngjanë me atë që njohim nga kohërat e luftës. Me fjalë si “denazifikimi”, tingëllon sikur po kërcejnë me melodinë e Putinit.

Ndryshimi në rregullat e hyrjes, fillimisht u shty për shkak të presionit diplomatik. Çfarë do të bëni ju dhe kryeministri Kurti nëse rikthehen bllokadat? Të shtyhet sërish?

Nuk do e shtyjmë më. Ky ishte afati i fundit për t'u dhënë të gjithë qytetarëve – veçanërisht atyre serbë – mundësinë për t’i kuptuar ndryshimet: Kushdo që kalon kufirin merr një letër. Koha mesatare e pritjes është 20 sekonda. Asnjë dokument identiteti nuk do të konfiskohet, askush nuk do të ndalohet apo ngacmohet. Sigurisht që ne presim që bandat kriminale në veriun e banuar me serbë do të vazhdojnë të luajnë në duart e Beogradit. Por pastaj është detyra e policisë të merret me këta kriminelë. Ne e dimë se ku e kanë vendin kriminelët.

A e shihni veten si presidente e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë? Gjithashtu për serbët e veriut që nuk ju pranojnë si të tillë?

Unë jam presidente e gjithë qytetarëve të Kosovës. Fatkeqësisht për momentin shumë qytetarë tanë të përkatësisë serbe bien pre e propagandës dhe po frikësohen nga strukturat kriminale të mbështetura nga Vuçiqi. Por besoj se me kohë do ta kuptojnë se ai vetëm po i pengon të jetojnë të lumtur në Kosovë. Unë jam në kontakt me serbët në mbarë Kosovën dhe besoj se shumë prej tyre më pranojnë mua si Presidente të tyre.

Për paqe duhet Serbia ta respektojë dhe ta njohë të drejtën e ekzistencës së Kosovës. A janë revolta të tilla, si të dielës së shkuar fillimi i një kërcënimi serioz për Kosovën?

Kosova do të ekzistojë përgjithmonë. Kosova është këtu për të qëndruar dhe askush nuk mund ta ndryshoj këtë. Por duhet të kuptojmë gjithashtu se jetojmë pranë një fqinji që ka një strategji afatgjate: ai nuk do të ndalet së përpjekuri për të destabilizuar vendin tonë. Pra, ne duhet të jemi shumë vigjilentë, t’i ndërtojmë aftësitë tona mbrojtëse dhe ta rrisim bashkëpunimin me partnerët tanë. Lufta në Ukrainë tregon se ne duhet të qëndrojmë së bashku kundër regjimeve që dëshirojnë ta shkatërrojnë demokracinë dhe paqen. Por do të ishte gabim të besohej se janë revoltat e vogla ato që më vonë përshkallëzohen në të mëdha. Pas revoltave gjoja të vogla si ajo e së dielës fshihen synimet e mëdha nga ana e Rusisë dhe Serbisë. Ata i përdorin këto përshkallëzime të vogla si justifikim për planet e tyre.

Për ta çuar Kosovën në rrugën drejt BE-së, që është synimi juaj kryesor dhe i deklaruar, kërkohet paqja me Serbinë. A mendoni se kjo paqe është e mundur?

Unë besoj se paqja me Serbinë është e mundur nëse Serbia udhëhiqet nga një person i cili është i gatshëm të ballafaqohet me të kaluarën. Një person i cili është i gatshëm të distancohet nga Millosheviqi dhe krimet e kryera nga regjimi i tij. Serbia mbetet peng i së kaluarës dhe krimeve të veta. Për momentin nuk shohim ndonjë gatishmëri nga Vuçiqi. Veçanërisht, jo për kërkesën themelore për paqe: njohjen e Kosovës brenda kufijve të saj ekzistues.

Gjatë Luftës së Kosovës, ju dhe familja juaj u detyruat nga trupat serbe të largoheni nga shtëpia. Çfarë keni përjetuar ato ditë?

Trupat serbe na nxorën nga shtëpia si të gjithë shqiptarët e tjerë të Kosovës. Na detyruan të iknim nga vendlindja, si dhe ta shohim ferrin me sytë tanë. Kemi parë krime të tmerrshme të bëra ndaj shqiptarëve. Ne ishim me fat, sepse mbijetuam.

A mendoni se me përvoja të tilla formuese personale, do të mund të punoni ndonjëherë objektivisht drejt paqes me Serbinë?

Sigurisht. Historia është plot me shembuj ku viktimat e krimeve të tilla kanë bërë hapa të rëndësishëm drejt paqes. Ajo që duhej të kalonim ne na e bëri të qartë rëndësinë e lirisë dhe barazisë. Ne duam të sigurohemi që askush në botë nuk do të kalojë nëpër atë kohë të cilën e kemi kaluar ne. Pra, puna për të siguruar që drejtësia për të gjitha viktimat të triumfojë nuk më bën subjektiv. Unë e shoh drejtësinë si parakusht për një paqe të qëndrueshme.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.