DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i u.d Presidentes së Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani – Sadriu në ceremoninë e FSK-së për nder të “Epopesë së UÇK-së”

E nderuara familje Jashari,
I nderuar kryeministër në detyrë, z.Hoti
I nderuar Ministër i Mbrojtjes në detyrë, z.Quni
I nderuar komandant i Forcës, Gjeneral Rrahman Rama
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në vendit tonë,
Të nderuar ushtarë  dhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të nderuar pjesëmarrës,
 
Njëzetë e tre vjet më parë, në 5 marsin e vitit 1998, predhat e forcave serbe që ranë mbi shtëpitë e Jasharajave shënuan kulmin e rezistencës për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, e cila u shndërrua në luftë për çlirim.
Shtëpitë e Jasharajve në fortifikatë të rezistencës ishin shndërruar qysh në sulmin e parë më 30 dhjetor të vitit 1991, sikurse edhe më 22 janar 1998.
Përgjatë 5,6 dhe 7 marsit të vitit 1998, rezistenca e komandantit Adem Jashari, familjes dhe bashkëfshatarëve nga Prekazi, përçoi mesazhin e qartë se liria nuk ka kompromis.
Nga kjo betejë treditore, me gjakun e tyre vunë themelet e lirisë dhe të shtetit të Kosovës komandanti i UÇK-së, Adem Jashari, bashkë me anëtarët e familjes Jashari dhe shumë bashkëfshatarë.
Në këtë betejë, mbijetoi Besarta, vajza e komandantit Hamëz Jashari, si një ogur i mirë se pas gjithë këtyre rënieve heroike, jeta në familjen Jashari, në Prekaz e në Kosovë po vazhdon bashkë me synimin për ta bërë vendin tonë të zhvilluar e prosperues për të gjithë.
 
Në një nga videoincizimet e pakta të Adem Jasharit, misionarit të lirisë sonë, ai e kishte të qartë se çfarë deshi atëherë. Lirinë e vendit, pa asnjë kusht, të lidhur me besa-besë me të gjithë ata bashkëluftëtarë që patën guximin të bëhen shërbëtorë të lirisë.
Në atë incizim ai thoshte: “Jam këmbëngulës në ato parimet që jemi marrë vesh. Besa-besë…vetëm një vdekje, se tjetër s`kemi në këtë jetë, dhe një fjalë e mirë. E kemi thanë që çka do të ndodhë, tanë së bashku do ta japim jetën dhe vetëm besa-besë dhe një vdekje, tjetër s`ka në grykë të pushkës”.
Ky ishte ndër xhirimet e pakta që na kanë mbetur nga trashëgimia më e çmuar, nga ikona e luftës dhe e lirisë sonë.
Faleminderit komandant!
 
 
Të dashur ushtarak
 
Në 23-vjetorin e Epopesë së UÇK-së dhe 13 vjetorin e pavarësisë së vendit, brezat e tashëm dhe të ardhshëm do të jetojnë me shëmbëlltyrën e komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, të cilët mbi fatin e tyre vunë fatin e kombit, duke u flijuar  për lirinë.
Sot 23 vjet më parë, në Prekaz, familja Jashari luftoj për të mbrojtur pragun e shtëpisë, familjen, Prekazin dhe gjithë Kosovën, duke dhënë shembullin e rrallë në historinë e një familjeje, e cila bëri sakrificën sublime të vetëflijimit për atdhe, që ne ta gëzojmë sot lirinë dhe pavarësinë.  
 
Ata dëshmuan se popujt si ky i yni mund të nxjerrin heronj të mëdhenj dhe familje heroike të mëdha.
Ndaj, Prekazi i Ademit është bërë referencë e lirisë, burim frymëzimi për  dashurinë ndaj vendit dhe rast unikat në historinë e re të njerëzimit, kur një familje e tërë ngrihet kundër regjimit shtypës dhe sakrifikohet për të mirën e përgjithshme, për lirinë e vendit.
Ne, sot duhet të përpiqemi çdo ditë që fëmijëve tanë t`ua mbajmë të freskët kujtimin për luftën tonë për liri. T`i edukojmë në frymën liridashëse, duke ua kujtuar rrugën e zorshme deri te liria dhe duke i bërë krenar për vendin në të cilin jetojnë.
Sot ne jemi të lirë, sepse deshi  dhe u sakrifikua komandanti Adem Jashari me bacë Shabanin, Hamzën, familjen dhe bashkëluftëtarët e tij. Sot jemi të lirë edhe pse deshëm që të gjithë qytetarët e Kosovës, sepse ky ishte vullneti i popullit, duke kontribuar secili në mënyrën e vet.
 
Të dashur ushtarë të Forcës
Po e shënojmë sot këtë përvjetor të Epopesë, në kazermën që mban emrin e komandant Adem Jasharit. Ai është fryma, ideja dhe shpirti i FSK-së.
Ju jeni trashëgimtarët e tij, të cilët do ta nderoni emrin e tij, FSK-në dhe shtetin e Kosovës!
Sot, ju bartni mbi supe përgjegjësinë e sigurisë për qytetarët tanë, për shtetin tonë. Ju keni dëshmuar se keni kapacitete jo vetëm për ta transformuar FSK-në në ushtri, por edhe për ta bërë krenar shtetin e Kosovës  brenda dhe jashtë tij.
Sikurse Adem Jashari dikur, sot ju përpara keni misionin fisnik që ta ruani Kosovën, që ajo të mbetet një dhe e tërë. Që ajo të mbetet e përhershme, sikurse dedikimi i juaj dhe i yni njëkohësisht!
Këtë javë, ushtarakë tanë do t`i përcjellim për në misionin e parë paqeruajtës bashkë me forcat e Gardës së Iowas. Ju do ta ndrini emrin e FSK-së, sikurse edhe emrin e shtetit të Kosovës! Krah miqve tanë amerikanë, ju po e bëni historinë tonë të re, të shtetit që kontribuon në paqen globale.
FSK-ja, po zhvillohet edhe më tej si forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s. Prandaj, anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i shtetit tonë.
 
Lufta jonë për liri mbetet e shenjtë sikurse edhe shteti, ndaj të dyja do të jetojnë krahas duke e bërë të mundshme përmbushjen e amanetit të brezave për atdheun tonë, për shtetin tonë, për Republikën tonë! Përgjatë tërë angazhimit tonë mos të harrojmë kurrë porositë e komandantit legjendar Adem Jashari: që të mbesim këmbëngulës në parime, që të mbajmë besën e dhënë, e që jetën, që të gjithë ne, ta kemi në shërbim të atdheut.
 
 
Zoti i bekoftë Forcat tona dhe Kosovën tonë!
 
Nderime atdheut!
  

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.