presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i sotëm i Presidentes Vjosa Osmani mbi 15 vjetorin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në konferencën e Grupit për Ballkan (BPRG)

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Zonja kryetare e Gjykatës Kushtetuese,

Ambasador Grondahl,

I nderuar profesor Kuçi,

Të nderuara profesoresha e profesorë kolegë,

Përfaqësues të shoqërisë civile,

Është kënaqësi t’ju drejtohem sot në këtë forum profesionistësh për t’i paraprirë kështu shënimit të ditës së Kushtetutës sonë si udhërrëfyesi kryesor i jetës institucionale publike.

Në pesëmbëdhjetë vjetorin e Kushtetutës sonë, përveç urimeve më të mira për të gjithë ata që ndihmuan në hartimin e Kushtetutës, por edhe zbatimin e çdoditshëm të saj, na duhet edhe të reflektojmë mbi atë se a përbën kjo Kushtetutë bazë të mirë për ecjen tutje të vendit tonë dhe mbi atë se si ta maksimalizojmë funksionalitetin e saj për nevojat e shoqërisë sonë sot.

Nën këtë reflektim, është e rëndësishme që së pari të ritheksojmë rëndësinë e nivelit më të lartë të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive që garanton kjo Kushtetutë. Me shumë krenari e them gjithmonë se jemi ndër vendet e pakta, nëse jo të vetmet, që kanë një nivel të këtillë të garantimit të të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, por edhe të qytetarëve në përgjithësi. Këto të drejta dhe liri, janë thelbi i vlerave tona shoqërore dhe si të tilla duhet të mbesin të paprekura nga kushdo.

Është po kaq e rëndësishme të ritheksohet fakti se këto të drejta nuk kanë mbetur vetëm deklarative e të shkruara në Kushtetutë, por vërehet qartë se institucionet tona përpiqen çdo ditë që t’i zbatojnë ato, e qytetarët luftojnë për to çdo ditë.

Në një botë ideale, do të prisnim që të drejtat dhe liritë kushtetuese të qytetarëve të zbatohen e të respektohen natyrshëm nga të gjithë. Megjithatë, në realitet, është me rëndësi që edhe në rastet kur ka kërcënim ndaj këtyre të drejtave, institucionet e vendit të reagojnë në mënyrën më të mirë, më efikase të mundshme, me masat e duhura gjithnjë në mbrojtje të këtyre të drejtave. Për këtë arsye, kam bërë thirrje të vazhdueshme për përmirësime në reagime të institucioneve ligjzbatuese sidomos në rastet të dhunës në familje dhe dhunës kundër grave. Gjatë kësaj periudhe të mandatit tim, kam propozuar e shtyrë përpara masa të ndryshme që të përmirësohet reagimi i institucioneve tona në këtë drejtim.

Përderisa punojmë që këto sfida t’i adresojmë çdo ditë, duhet të motivohemi nga përparimet që ka bërë vendi ynë së voni në drejtim të garantimit të sundimit të ligjit. Jemi vendi me vlerësimet më të larta në rajon, në vlerësimet e World Justice Project, në kuadër të të cilit vlerësohen jo vetëm korniza ligjore e vendit tone, por edhe korniza institucionale dhe zbatimi i standardeve në praktikë.

Një armë shumë e fortë e Kushtetutës sonë është gjithashtu korniza institucionale që ajo parasheh, si dhe parakushtin kryesor që ajo kornizë e ka që të funksionojë si duhet: ndarja e pushteteve si dhe barazpesha midis tyre. Është pikërisht kjo ndarje e pushteteve dhe barazpesha midis tyre ajo që do të sigurojë që vendi ynë të ecë përpara duke e mundësuar zbatimin edhe të pjesëve të tjera të Kushtetutës, duke u nisur nga Kapitulli II mbi të drejtat dhe liritë e qytetarëve tanë. Janë pikërisht këto institucione ato të cilat duhet të vihen në lëvizje vetë për të siguruar se çdo shkronjë e kësaj Kushtetute respektohet edhe atëherë kur duhet ta korrigjojnë praktikën e njëri-tjetrit.

Kushtetuta jonë është tejet unike edhe në faktin se i mveshë Presidentes së Republikës një detyrë tejet të rëndësishme; një detyrë substanciale: atë për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve që parashihen në këtë Kushtetutë. Kjo është një nga detyrat më të mëdha që i ka institucioni i Presidentit. Gjatë këtyre dy viteve të mandatit, jam udhëhequr çdo ditë nga ky parim edhe gjatë ushtrimit të kompetencave të tjera, si ato në fushën e drejtësisë, të sigurisë, të politikës së jashtme dhe fusha të tjera. Në anën tjetër, nga vështrimi akademik, jam e bindur se vendit tonë i duhen edhe shumë vite të tjera të ushtrimit të kësaj kompetence për të kuptuar më mirë përmbajtjen e thellë të saj dhe efektin që ajo ka në formësimin e rolit të Presidentes në rregullimin e jetës institucionale, dhe po ashtu shpeshherë edhe në parandalimin e dëmeve të pariaprueshme që mund t’i ndodhin vendit në qoftë se nuk ushtrohet ajo si duhet. Kjo nënkupton në shumë raste parandalimin e dëmeve që do të dëmtonin edhe institucione të tjera dhe besimin qytetarë në to.

Unë jam e lumtur që në këtë përvjetor të Kushtetutës po diskutohet mes profesionistësh për atë se çfarë mund të bëjë më shumë Kushtetuta jonë për vendin tonë. Gjatë këtyre 15 viteve, Kushtetua jonë ka pësuar shumë ndryshime, veçanërisht në kuadër të obligimeve ndërkombëtare të vendit tonë, në kornizën institucionale, si dhe mënyrën se si ato kanë ndërvepruar në të kaluarën. Kemi nisur historinë e saj me institucione ndërkombëtare që mbikëqyrnin pavarësinë e institucioneve tona, e të cilat u larguan me vendim të vendit tonë.

Kushtetuta jonë pësoi edhe ndryshime të tjera atëherë kur shoqëria jonë i konsideroi ato të rëndësishme, dhe besoj që kjo do të ndodhë edhe në të ardhmen, gjithmonë për t’i shërbyer sa më shumë e sa më mirë nevojave të përditshme të shoqërisë. Në kohën që po flasim, para Gjykatës Kushtetuese janë në vlerësim edhe amendamentet për vetingun, si proces jashtëzakonisht i rëndësishëm për të garantuar që institucionet tona të drejtësisë të jenë të udhëhequra nga profesionistë me integritet të lartë. Ndryshime të këtilla, besoj, vetëm sa do të ndihmojnë Kushtetutën tonë që t’i rezistojë kohës, duke ecur në një hap me të dhe kërkesat e saj, e mbi të gjitha siç e përmenda më herët për të rritur besimin qytetar në institucionet e drejtësisë.

Përpara se ta përmbyll, nuk mund të mos flas edhe për rëndësinë e etikës, në zbatimin e ligjit dhe të Kushtetutës sonë. Dua të theksoj se ligjet – në këtë rast edhe vet Kushtetuta si akti më i lartë juridik i vendit tonë- marrin kuptim të plotë atëherë kur i shërbejnë përmirësimit të mirëqenies së përgjithshme e avancimit të të drejtave individuale si dhe interesit kolektiv.

Andaj, gjatë zbatimit të këtyre dispozitave, duhet ngritur gjithnjë pyetjet e duhura; duhet prirur nga parimet e duhura; duhet synuar me ngulm të mos distancohemi nga busulla morale. Devijimi nga ajo çka është e drejtë dhe e duhur, mund edhe të sjellë ndonjëherë përfitime afatshkurtëra për individë ose grupe të caktuara, por dëmi është gjithnjë afatgjatë e me raste edhe vështirë i rikuperueshëm. Dëmi është jashtëzakonisht serioz. Sepse, s’ka gjë më të dhimbshme e më dëshpëruese për një shoqëri se sa të humbin besimin në drejtësinë e ligjit, në etiken e ligjit. Prandaj, një gjë është e sigurt: edhe kur e tashmja mund të sfidohet nga padrejtësia, koha e gjen gjithnjë mënyrën e vet për ta sjell përfundimisht drejtësinë në vend.

Për fund dua të them se gjersa po festojmë këtë 15 vjetor, shpreh gatishmërinë e plotë si Presidente e Republikës së Kosovës për të vazhduar që të jemi së bashku në shërbim të zbatimit të Kushtetutës së vendit, e mbi të gjitha në shërbim të vendit tonë, ashtu siç kërkohet si nga Kushtetuta dhe ashtu siç kam vepruar që nga dita e parë në këtë detyrë.

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.