presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i presidentit Thaçi në Konferencën Rajonale për sigurinë e punës së gazetarëve

I nderuar ambasador Brathu,E nderuar ambasadore Apostolova,I nderuar ambasador Fandler,E nderuar ambasadore Papadopulo,Të nderuar përfaqësues të mediave, të shoqërisë civile,Zonja dhe zotërinj,Më lejoni që së pari t’ju uroj mirëseardhje në Kosovë dhe ta përgëzoj misionin e OSBE-së në Kosovë për organizimin e kësaj konference me rëndësi për gazetarinë në Kosovë dhe në rajon.Jam i sigurt se diskutimet që do të zhvillohen këtu, si dhe fushata që do të lansohet, do të kontribuojnë edhe më shumë në fuqizimin e profesionit të gazetarëve në rajonin tonë.Zonja dhe zotërinj,Gazetaria në Kosovë ndoshta nuk është më e vjetra për nga tradita, por është ndër më të guximshmet në rajon.Gazetarët në Kosovë kanë qenë ndër të parët që janë angazhuar për pluralizëm, për demokraci, për barazi, për të drejta të njeriut dhe për liri të shprehjes.Ndërsa, që nga përfundimi i luftës, në Kosovë janë bërë përpjekje të mëdha që të instalohet një gazetari profesionale, e besueshme dhe gjithmonë në shërbim të publikut.Ne kemi pasur dy rrethana të rëndësishme që kanë rezultuar me gazetari të guximshme.E para, në Kosovë, gazetaria e lirë, e mirëfilltë, ka filluar në kohën e represionit dhe aparteidit.Ndër të parët që janë përballur me represionin dhe përpjekjen për të ndalur zërin që kërkonte drejtësi e barazi kanë qenë pikërisht gazetarët.Në këto rrethana është farkëtuar guximi për t’u përballur me pushtetin, çfarëdo qoftë ai.Por, edhe janë kultivuar vlerat si paanshmëria, profesionalizmi, zelli për të hulumtuar dhe për të kërkuar informatën e saktë, si dhe guximi për të publikuar çdo informatë.Kjo ka pasur çmimin e vet.Gazetarët gjithmonë kanë qenë në thumb të atyre që me dhunë dhe me represion kanë kërkuar të instalojnë politikat e tyre.Janë sulmuar, janë dhunuar, janë kidnapuar dhe janë vrarë.Ka ende gazetarë që janë të zhdukur, që nga lufta.Dje, si President i Republikës së Kosovës, kam marrë iniciativën për themelimin e një Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë.Në kuadër të kërkimit të së vërtetës për atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë në kohën e luftës, do të punohet edhe për zbardhjen e fatit të çdo gazetari që ka pësuar në atë kohë.E dyta, pas luftës në Kosovë, kemi pasur përkrahje të madhe ndërkombëtare në ndërtimin e një gazetarie profesionale, të standardeve më të larta.Ka qenë vetë misioni i OSBE-së që ka udhëhequr përpjekjet për një gazetari profesionale në Kosovë.Është punuar në trajnimin e gazetarëve dhe mediave në përgjithësi, qoftë në kuadër të studimeve për gazetari në Universitetin e Prishtinës, qoftë përmes trajnimeve për gazetarët ekzistues.Është përkrahur formimi i organizatave që mbrojnë gazetarët, të drejtat e gazetarëve, por edhe organizatat që mbrojnë vetë profesionin e gazetarëve.Është përkrahur krijimi i legjislacionit që mbron punën e gazetarëve, si dhe vetë gazetarët.Sot, gazetarët në Kosovë janë të mbrojtur me ligj në punën e tyre. Jo që nuk mund të dënohen për punën e gazetarit, por madje, në Kosovë, gazetarët edhe në gjyq nuk janë të obliguar t’i zbulojnë burimet e tyre.Kjo është bërë me qëllim që të mbrohet sa më shumë kredibiliteti, integriteti dhe profesionalizmi i gazetarisë si profesion.Por, kjo nuk do të thotë që gazetarët e kanë të lehtë punën e tyre.Edhe në Kosovë gazetarët, gazetaria në përgjithësi, përballet me presione mbi punën e tyre. Shkrimet për korrupsionin, për ekstremizmin, për radikalizmin, për të drejtat e barabarta për çdo komunitet, qoftë për komunitetet etnike, qoftë për komunitetet tjera si ai LGBTI, për më të cenueshmit si gratë dhe fëmijët, i vënë gazetarët në kërcënim dhe rrezik të drejtpërdrejtë.Edhe në këtë rrafsh, në Kosovë kemi instaluar mekanizma për mbrojtjen e gazetarëve.Policia e Kosovës angazhohet për t’u dalë në mbrojtje gazetarëve kur kjo është e nevojshme.Kjo bëhet qoftë duke ofruar përcjellje dhe siguri për ta, qoftë duke hetuar burimin e kërcënimit dhe duke sanksionuar ata që kërcënojnë gazetarët.Kjo ka rezultuar me një gazetari të guximshme, dinamike dhe të fuqishme në Kosovë.Zonja dhe zotërinj,Më lejoni të them edhe disa fjalë për sfidat e gazetarisë sot.Edhe këtu Kosova është në hap me botën, pra jo vetëm me të arriturat, por edhe me sfidat me të cilat përballet sot.Sfida kryesore për gazetarët dhe për gazetarinë si profesion nuk vjen nga jashtë profesionit, por nga brenda profesionit.Sot, falë mundësive që ofron interneti, raportimi dhe shpërndarja e lajmeve është bërë më e lehtë se kurdoherë më parë.Por, kjo ka bërë që në profesionin e gazetarisë të depërtojnë edhe ata që gazetarinë nuk e kanë qëllim, por mjet për realizimin e ambicieve tjera të tyre.Kjo e gërryen përbrenda integritetin, profesionalizmin dhe besueshmërinë e profesionit të gazetarit.Së paku në Kosovë, sot nuk është më sfidë liria e të shprehur të gazetarëve.Sfidë është abuzimi dhe keqpërdorimi që i bëhet lirisë së të shprehurit nga ata që gazetarinë nuk e kanë profesion.Edhe këtu, rolin kryesor në mbrojtjen e profesionit e kanë vetë gazetarët.Të organizuar rreth institucioneve të themeluara nga përfaqësuesit e mediave që monitorojnë ruajtjen e standardeve profesionale, vetë gazetarët janë më të thirrurit që të mbrojnë profesionin e tyre nga abuzimet.Ne të tjerëve na takon që t’i përkrahim gazetarët në kultivimin e një ambienti që çmon dhe vlerëson, por edhe që ruan dhe mbron gazetarinë profesionale.Besoj se në këtë konferencë do të gjeni përgjigje edhe për këtë sfidë të gazetarisë së sotme, jo vetëm këtu në Kosovë, por edhe në botë.Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.