presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i presidentit Thaçi drejtuar kabinetit qeveritar për nder të 10 Vjetorit të Pavarësisë

I nderuari Kryeministër HaradinajTë nderuar zëvendës-kryeministra, ministraTë nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,Zonja dhe zotërinj Ju faleminderit shumë i nderuar kryeministër Haradinaj për ftesën që të marr pjesë në këtë mbledhje të Qeverisë së Republikës së Kosovës.Jemi në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë, që për mua, për secilin nga ju, e mbi të gjitha për qytetarët tanë, duhet të jetë një moment krenarie për rrugën tonë të shtet ndërtimit.Gjithashtu, jemi në prag të publikimit të strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor e cila patjetër që duhet të krijoj mundësi unike për anëtarësim në BE për Kosovën dhe tërë rajonin.Është momenti duhur që Bashkimi Evropian të konfirmojë se tërë Evropa Juglindore i përket BE-së, e jo ideologjive tjera që cenojnë vlerat dhe parimet perëndimore.Nënshkrimi i MSA-së për ne ka qenë mirënjohje për reformat që kemi bërë në të gjithë sektorët: në ekonomi, në politikë dhe në sundim të ligjit.Por është edhe udhërrëfyes për rrugën tonë integruese në BE.Duke ju uruar dhe përgëzuar për punën i nderuari kryeministër dhe kabinetin tuaj, unë ftoj qeverinë që të punoj më intensitet të madh për zbatimin e MSA-së dhe të Agjendës Evropiane të Reformave. Në kuadër të kësaj edhe të gjitha institucionet, edhe Presidenca, edhe Parlamenti, edhe nivelet lokale në një bashkëpunim të ngushtë edhe me shoqërinë civile, edhe me mediat, personalitet publike dhe me të gjithë njerëzit kontributdhënës.Natyrisht, fokus i vazhdueshëm i yni duhet të jetë zhvillimi ekonomik, ishte historike nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re nga Qeveria e Kosovës, për çka ju uroj dhe përgëzoj i nderuari kryeministër për rolin tuaj udhëheqës. Rritja e mirëqenies së qytetarëve, rritja e cilësisë së arsimit, shërbimeve mjekësore, rritja e kujdesit për familjet e dëshmorëve dhe kujdesi i vazhduar për veteranët e UÇK-së, hapja e vendeve të reja të punës, e shumë e shumë çështje tjera mbeten prioritete të të gjitha institucioneve të vendit. I nderuari kryeministër Haradinaj, Kabinet qeveritar, Qytetarë të Republikës së Kosovës,  Mua më vjen mirë që në këto dhjetë vjet të shtetit tonë kemi shënuar progres të vazhdueshëm, edhe pse jo gjithmonë aq sa meritojnë qytetarët tanë.Kërkesat e qytetarëve kanë qenë  shumë më të mëdha, se mundësitë që kemi pasur si shtet. Por trendët janë pozitive dhe një gjë e tillë duhet të na motivoj të gjithëve që të ecim përpara.Shtet-ndërtimi për ne, nuk ka qenë aspak një proces i lehtë për arsyet që ne të gjithë i dimë.Kosovës i është dashur që të përballet me sfida shumë të mëdha për të konsoliduar shtetësinë tonë jo vetëm në arenën ndërkombëtare por edhe në planin e brendshëm.Vetëm para dhjetë vitesh, pjesa veriore e Kosovës ishe nën kontrollin e strukturave ilegale të Serbisë.Ndërsa realiteti i sotëm atje është krejt ndryshe. Kemi arritur të mbajmë zgjedhje komunale dhe qendrore, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, përmes të cilave qytetarët tanë kanë zgjedhur liderët e tyre që janë të përfaqësuar në Parlament, në Qeveri dhe në institucionet lokale. Kemi instaluar policinë dhe gjyqësorin tonë.Në pikat kufitare në veri të Kosovës janë policët dhe doganierët kosovarë.I nderuari kryeministër Haradinaj, Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,Brenda kësaj periudhe kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera me shtetet e rajonit.Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 ka dhënë rezultate pozitive, ani pse ka mbetur për tu bërë edhe shumë. Tani jemi futur në fazën përmbyllëse të këtij procesi dhe jemi duke punuar që të arrijmë një marrëveshje përfundimtare e cila nënkupton normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe pajtim nder shtetëror.Pa asnjë dyshim, sot jemi shembull i mirë i paqes dhe pajtimit, shembull i dialogut dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mira me të gjithë.Për një shtet të ri, të vogël, të shkatërruar nga lufta, këto të arritura, për një kohë kaq të shkurtë, janë inkurajuese.Derisa po përgatitemi të festojmë ditëlindjen e dhjetë të shtetit tonë, jemi krenar me të arriturat e njerëzve tanë në shumë fusha.Medaljet në sport, shpërblimet në art e kulturë, të arriturat në shkencë e inovacion të të rinjve kosovarë e bëjnë krenar çdo qytetar të Republikës sonë.Sukseset e tyre meritojnë edhe më shumë vend në hapësirën tonë publike dhe vëmendje më të madhe të institucioneve tona.I nderuari kryeministër Haradinaj, Të nderuar anëtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës,Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, Derisa numërojmë të arriturat e shtetit të Kosovës, sigurisht që nuk mund të mos i përmendim edhe aspiratat për të ardhmen si dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi.Edhe pse e dimë se cili është destinacioni ynë, rruga deri në NATO e BE nuk është e lehtë dhe e shpejtë.Kjo kërkon përkushtim dhe punë të përqendruar në përballimin e sfidave, atyre të menjëhershme si dhe të atyre afatgjata.Sfidat e menjëhershme mbesin plotësimi i të gjitha kushteve për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, transformimin e shpejtë e të suksesshëm të Forcës së Sigurisë në Forcat e Armatosura të Kosovës, luftimi i radikalizmit dhe ekstremizmit si dhe ruajtja e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha fenomeneve tjera negative. Por duhet qenë inkurajues në angazhimet që kemi bërë deri më tani, sepse kemi plotësuar kriteret për liberalizim, natyrisht duke mirëpritur dhe janë shumë të mirëseardhur përpjekjet e fundit që të gjendet një rrugëdalje për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Është për lëvdatë edhe puna e pjesëtarëve të FSK-së që të përfshijnë të gjitha komunitetet dhe të shtojnë nivelin e profesionalizmit, ndërtimin multietnik të kësaj ushtrie, duke bërë të mundur  themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.Si shoqëri kemi qenë të vendosur dhe kemi vepruar bashkë, në nivel institucional dhe në nivel të përgjithshëm shoqëror, që ta parandalojmë depërtimin e ekstremizmit dhe radikalizmit në shoqërinë tonë.Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet pjesë aktive e luftës antiterroriste, pra e koalicionit global antiterrorist. Duke qëndruar prapa obligimeve tona ndërkombëtare, nga njëra anë demonstrojmë  përgjegjësi të lartë para bashkësisë ndërkombëtare dhe, nga ana tjetër, ruajmë dhe forcojmë partneritetin me aleatët tanë ndërkombëtarë.Ndër sfidat afatgjate janë ato të njëjtat që kanë qenë sikur të gjitha shtetet tjera fqinje – zhvillimi ekonomik dhe forcimi i sundimit të ligjit.Edhe sa i përket gjykatës speciale ani pse e padrejtë historikisht, Kosova ka marrë obligimet e veta dhe do t’i kryej me përpikëri marrëveshjet që kemi arritur. Edhe ky vendim është bërë për të ruajtur partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n. I nderuari kryeministër Haradinaj,  Kabinet qeveritarËshtë e vërtetë që në historinë tonë, nocioni shtet shumë gjatë ka qenë sinonim  i një trupi të huaj dhe armiqësor.Por, fatbardhësisht, prej çlirimit të Kosovës, e sidomos dekada e fundit dëshmon faktin që për herë të parë në histori kemi shtetin tonë, që punon për paqe, siguri dhe mirëqenie të qytetarëve tanë.Ndërtimi i shtetit kërkon sakrifica dhe punë të përhershme.Ne e kemi për detyrë që të punojmë me përkushtim për forcimin e mëtutjeshëm të shtetit tonë.Për këtë qëllim, ne duhet t’i kultivojmë dhe kompletojmë shenjat e identitetit tonë shtetëror.Qeveria e Kosovës, e ka pasur e ka dhe do ta ketë mbështetjen time të plotë. Do ta ketë mbështetjen time të plotë në thellimin e reformave në legjislacion, në ekonomi, në politikë, konsolidimin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar si shtet. Prandaj, ju uroj i nderuari kryeministër Haradinaj ju dhe ekipin tuaj, për hapat që i keni ndërmarrë në këtë periudhë të shkurtër kohore. Jam shumë i vetëdijshëm për lëshimet, dobësitë, sfidat që mund të ballafaqohemi në punët tona ditore, por rrugëtimi ynë është i qartë i saktë, dhe me vizion euroatlantik. Në shërbim të këtij qëllimi, si presidenti i Republikës së Kosovës, duke ju falënderuar edhe njëherë për ftesën tuaj që të marrë pjesë në këtë mbledhje të Qeverisë në prag të shënimit të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, duke përfituar nga kjo mundësi e sotme, por edhe traditë e re që uroj që të vazhdon edhe në të ardhmen, unë dua të bëj sot me mirëkuptimin tuaj tri propozime të cilat shpresoj se do të marrin përkrahjen e kabinetit qeveritar dhe të qytetarëve të vendit tonë.Së pari, shteti i Kosovës ka nevojë për ndërtimin e kompleksit rezidencial të institucioneve shtetërore si domosdoshmëri e kohë dhe prezantimit real të  zhvillimit të Kosovës.Së dyti, vuajtjet tona shekullore dhe përpjekjet për liri janë të ngulitura në mendjen e secilit nga ne. Por kjo nuk mjafton.Kujtesës sonë kolektive historike, patjetër i duhet një objekt muze, të cilin unë propozoj ta quajmë Muzeu i Pavarësisë, ku do të ruhen dhe ekspozohen artefaktet materiale të një procesi të gjatë historik që pasqyron vuajtjet dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi.Dhe së treti, kryeqyteti i Republikës së Kosovës, Prishtina, gjithashtu ka nevojë për ndërtimin e një Obelisku të Lirisë, si monument i kujtimit dhe i nderimit për sakrificën e të gjitha gjeneratave për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, para të cilit do të nderonin qytetarët e Kosovës dhe të gjithë miqtë tanë nga bota.Unë dua të besoj së shteti ynë, përkundër sfidave të mëdha që kemi, do të gjej mënyrën e duhur për t’i bërë realitet këto projekte të rëndësishme, të cilat do të bëhen pjesë e trashëgimisë sonë historike pozitive.I nderuar kryeministër Haradinaj, Kabinet qeveritar,Qytetarë të Republikës së Kosovës, Këto dhjetë vite kanë qenë vite të suksesit por edhe të mësimit me përgjegjësitë dhe obligimet që kemi përballë institucioneve tona shtetërore.Kemi ecur shumë dhe kemi arritur suksese të pamohueshme.Jemi mirënjohës për sakrificat e bëra nga gjenerata të tëra për shtetin tonë.Pas pak do të shënojmë edhe 20 vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, dhe Epopejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E dimë se cili është destinacioni ynë, integrimi i Kosovës në OKB, BE dhe NATO, për këtë na nevojitet punë dhe përkushtim i të gjithëve, i Qeverisë, Presidencës, Parlamentit, partive opozitare, shoqërisë civile, mediave, të gjithë njerëzve vullnetmirë në Kosovë dhe mbështetjen e diasporës, por unë kam besim se bashkë do t’ia arrijmë. Kam besim tek qytetarët tanë, ne duhet ta kultivojmë besimin e qytetarit tek politika dhe institucionet që duke punuar së bashku dhe me përkushtim, jo vetëm që do të ecim me hapa të sigurt drejt familjes euro-atlantike, por do të forcojmë edhe më tepër dashurinë dhe respektin për shtetin tonë, për të kaluarën tonë, por para së gjithash për të ardhmen tonë.Edhe njëherë Gëzuar dhjetëvjetorin e shtetit të Kosovës juve kryeministër i nderuar, juve Kabinet qeveritar, qytetarë të Republikës së Kosovës, është një nder dhe kënaqësi e veçantë që kisha këtë mundësi që t’ju drejtohem sot dhe ju falënderoj për këtë mundësi edhe njëherë i nderuari kryeministër.  

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.