I nderuar Kryeministër Kurti,
E nderuar Ministre Nagavci,
I nderuar drejtor Hetemi,
Shumë të nderuar përfaqësues të institucioneve, familjarë, mësimdhënës, ish-nxënës e dëshmitarë të asaj kohe të rëndë,
Përfaqësues të shoqërisë civile e të botës akademike,
Të nderuar të pranishëm,
Ka histori që edhe me kalimin e viteve nuk zbehen, sikundër që ka krime, të cilat nuk harrohen kurrë, ngase heshtja do të ishte tradhti ndaj së vërtetës, ndaj drejtësisë dhe ndaj vetë atyre që e përjetuan këtë krim.
Helmimet masive të nxënësve shqiptarë në Kosovë, në vitet ‘89-‘90, janë një krim i tmerrshëm, i cili edhe sot kërkon përgjigje dhe kërkon drejtësi.
Një aromë që fillimisht dukej e parëndësishme, por që brenda pak minutash shndërrohej në panik e në ankth, nxënës që humbnin ndjenjat, marramendje, të vjella, djersitje e probleme me frymëmarrjen.
Këto ishin simptomat dhe kjo ishte pamja e viteve ‘89-‘90, kur nisi helmimi i nxënësve të Kosovës nga regjimi kriminal serb.
Kjo aromë, që më vonë doli të jetë një agjent kimik nervor, ishte preludi i një prej sulmeve më të rënda ndaj fëmijëve shqiptarë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo nuk ishte një rastësi, por një akt i paramenduar kundër nxënësve të shkollave tona, por edhe njerëzve të tjerë.
Procesi i helmimit zgjati për shumë ditë ndërmjet viteve ‘89–‘90, dhe preku një gamë të gjerë institucionesh, përfshirë institucione parashkollore, shkolla fillore, të mesme, të larta, një institucion kulturor dhe një ndërmarrje ekonomike. Sipas të dhënave të grumbulluara edhe nga z. Halim Hyseni, që kemi nderin ta kemi sot këtu, në total janë helmuar mbi 7,000 njerëz gjatë asaj periudhe.
Në vetëm pak javë, shkollat në Prishtinë, Podujevë, Ferizaj, Gjilan, Vushtrri, Mitrovicë, Kamenicë e shumë qytete të tjera u shndërruan në skena dhimbjeje e frike.
Në shumë raste, ambulancat, sidomos ato të drejtuara nga stafi serb, refuzonin t’u ofronin ndihmë fëmijëve shqiptarë. Në vend që t’u jepej ndihma elementare mjekësore, ata stigmatizoheshin, talleshin e shpërfilleshin.
Nga ana tjetër, shumë mjekë dhe infermierë shqiptarë që ngritën alarmin për helmim e u dolën në ndihmë nxënësve të asaj kohe u larguan nga puna nga regjimi serb, duke u akuzuar për propagandë, e pastaj ua ndaluan edhe të flisnin në media vendore e ndërkombëtare.
Të nderuar të pranishëm,
Pas analizave të para, ekspertët e pavarur vunë në pah praninë e substancave të rrezikshme neurotoksike, të cilat janë përdorur edhe nga regjimet më brutale në botë.
Më 8 shkurt 1992, profesori A. Heyndirckx, ekspert shkencor dhe drejtor i Laboratorit Ndërkombëtar të Universitetit IRUL, në studimin e tij “Çka ka të bëjë me Kosovën”, konkludoi se ndaj nxënësve ishte përdorur një gaz nervor organiko-kimik, sarin dhe tabun, substanca të njohura botërisht si materie kimike luftarake. Ky konstatim shkencor e vërteton atë që prindërit, mësuesit dhe mjekët shqiptarë e panë me sytë e tyre se ndaj fëmijëve tanë u krye një sulm kimik.
Ky akt çnjerëzor ishte një sulm i mirorganizuar, i koordinuar, tipik për një aparat shtetëror represiv që kërkonte të thyejë shpirtin e një populli, duke goditur më të pambrojturit, fëmijët, nxënësit dhe të rinjtë.
Serbia jo vetëm që e kreu krimin, por edhe e mohoi atë pastaj, duke angazhuar gjithë propagandën shtetërore, shërbimin sekret, diplomatët, madje edhe disa mjekë të tyre, duke e cilësuar tërë këtë situatë si një “histeri masive”. Një fyerje e rëndë për familjet, një goditje e dyfishtë për fëmijët e helmuar. Por faktet dihen botërisht. Qindra raste të rënda të helmimeve janë dokumentuar tashmë. Analizat mjekësore ekzistojnë, dhe provat shkencore dhe dëshmitarët e kohës konfirmojnë mijëra raste të tjera që e vulosin të vërtetën.
Fëmijët që u rrëzuan ato ditë nëpër korridoret e shkollave, si pasojë e helmimit, u shndërruan në simbol të një qëndrese të heshtur, por të pathyeshme. Ato ditë, teksa Serbia provonte t’i largonte shqiptarët nga shkollat, nga gjuha, nga arsimi, fëmijët shqiptarë u kthyen në pjesëmarrës dhe dëshmitarë të rezistencës kombëtare. Ata u bënë brezi që u edukua në shtëpi, në bodrume, në garazhe, në shkolla të improvizuara. U bënë brezi që refuzoi të dorëzohej dhe të heqte dorë nga dinjiteti, liria dhe e drejta në arsim.
Pavarësisht rrezikut, këta fëmijë të helmuar qëndruan të palëkundur, ata ishin pararendësit e lirisë sonë. Sepse Serbia helmoi të rinjtë tanë, por nuk arriti të helmojë vullnetin e tyre. Këto helmime ishin pjesë e skemës së gjerë të aparteidit serb dhe krimeve kundër njerëzimit, që kryheshin ndaj popullit tonë në ato vite. Krime këto, që pastaj u shndërruan në kampanjë gjenocidi kundër popullit të Kosovës në vitet ’98-’99.
Nuk ishin akt i izoluar, por pjesë e një sistemi të tërë represioni, që synonte fillimisht mbylljen e shkollave shqipe, përjashtimin e mësimdhënësve shqiptarë dhe ushtrimin e dhunës sistematike, e cila u shndërrua në qëllim të qartë për të shkatërruar popullin tonë.
Helmimi i fëmijëve ishte sinjali më i qartë se Serbia nuk do të ndalej para asgjëje për të tentuar nënshtrimin e popullit tonë. Por, as nuk mundën e as nuk ia dolën.
Sot, kur flasim për këtë histori të dhimbshme, nuk flasim për ta zgjuar dhimbjen, por për ta zgjuar ndërgjegjen. Sot e kësaj dite nuk është identifikuar asnjë autor, asnjë përgjegjësi zyrtare nuk ka marrë Serbia dhe si zakonisht ajo refuzon mos të pranojë të vërtetën. Kosova nuk do të reshtë së kërkuari drejtësi, pavarësisht këtij mohimi të së vërtetës nga ana e Serbisë. Do të vazhdojmë të punojmë në dokumentim dhe të kërkojmë përgjegjësi për këtë krim. Kjo, ngase vetëm kombet që kujtojnë dhe e respektojnë të kaluarën, ndërtojnë paqe të vërtetë e afatgjatë. Dëshmia jonë është themel i lirisë sonë.
Të nderuar të pranishëm,
Helmimet ishin fillimi i asaj që do të pasonte më vonë, luftës së viteve ’98-‘99, spastrimit etnik dhe gjenocidit të kryer nga regjimi serb. E gjithë kjo është pjesë e së njëjtës doktrinë kriminale që përdori regjimi i Millosheviçit.
Por, pavarësisht kësaj Kosova u ngrit, u mbrojt, dhe me luftën stoike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me udhëheqjen e mençur të Presidentit Rugova si dhe me ndihmën e aleatëve arriti lirinë dhe u pavarësua.
Sot Kosova është e lirë, pikërisht sepse gjenerata të tëra sakrifikuan gjithçka për liri e dinjitet.
Historia e helmimeve të nxënësve shqiptarë në Kosovë nuk është vetëm histori dhimbjeje, por edhe e rezistencës. Është histori e mosdorëzimit dhe e vullnetit për të mbijetuar, për të mësuar, për të jetuar dhe për të qenë të lirë. Është histori që na mëson se liria lindi në bankat shkollore, por edhe në oborret e shkollave ku u helmuan fëmijët tanë, por nuk u thyen asnjëherë.
Prandaj, ne sot kujtojmë për të mos harruar kurrë, por edhe për të mos lejuar që akte të tilla makabre të përsëriten kudo qoftë. Kjo kujtesë është në funksion të ndërtimit të një të ardhmeje me dinjitet dhe me drejtësi.
Lavdi brezit që e mbajtën gjallë arsimin dhe dinjitetin shqiptar në vitet më të errëta!
Drejtësi për fëmijët e helmuar!
Ju faleminderit!
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR
