I nderuar Kryeministër Kurti,
Kryetar Basha,
Ministër Sveçla,
Drejtor Hoxha,
Udhëheqës të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare,
Të nderuar oficerë dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,
Miq e mysafirë,
Polici i shërben rendit edhe kur vetë përballet me rrezikun. Kjo frazë e njohur përmbledh më së miri misionin fisnik, sakrificën dhe besnikërinë ndaj atdheut të secilit prej jush.
Sot, në 26-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, ne kremtojmë historinë e Policisë, e cila është histori e kurajos, përkushtimit dhe përballjes me sfidat nëpër të cilat ka kaluar dhe kalon çdo ditë shteti ynë. Policia e Kosovës është ndër shtyllat më të forta të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial.
Nga ditët e para të themelimit e deri më sot, ju keni dëshmuar se nuk ka rrethanë, nuk ka krizë dhe nuk ka kërcënim, që mund ta lëkundë besnikërinë tuaj ndaj Republikës. Sidomos gjatë viteve të fundit, në periudha të ndjeshme, veçanërisht në veri të vendit, ju keni treguar profesionalizëm dhe guxim të pashoq, duke garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve tanë, pa dallim.
Ky përkushtim nuk është vetëm detyrë ligjore, por mbi të gjitha është akt atdhetarie. Sepse çdo uniformë e Policisë së Kosovës është shërbim, është simbol i rendit, i ligjit dhe i dinjitetit tonë shtetëror.
Policët tanë janë të gatshëm që, krahas garantimit të sigurisë brenda vendit, të kontribuojnë edhe në misione ndërkombëtare të sigurisë, duke e vendosur kështu Kosovën në hartën e partneritetit global. Për këtë arsye, mbetet domosdoshmëri, që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, sepse aty e ka vendin Policia jonë, në mesin e policive profesionale që mbrojnë paqen, rendin dhe sigurinë kudo në botë.
Të nderuar të pranishëm,
Sot përkulemi me nderim e mirënjohje të thellë para policëve tanë, që dhanë jetën në krye të detyrës. Ata mbetën roje të përjetshme të Republikës sonë, duke na kujtuar se liria dhe paqja asnjëherë nuk janë dhuratë, por janë sakrificë e përditshme. Amaneti i Afrim Bunjakut, Enver Zymberit dhe heronjve tanë të tjerë është përgjegjësi për të gjithë ne, në mënyrë që çdo pëllëmbë e Republikës së Kosovës të mbrohet me çdo kusht.
Të dashur pjesëtarë të Policisë së Kosovës,
Ju jeni shembulli më i mirë se si dashuria për vendin dhe shërbimi i ndershëm e bëjnë Kosovën më të fortë dhe më të sigurt. Një falënderim i veçantë shkon për të gjitha gratë police, të cilat bëjnë sakrificë të shumëfishtë në nderim të uniformës dhe në mbrojtje të Republikës sonë dhe të çdo qytetari pa dallim. Në këtë 26-vjetor, ne shikojmë pas me krenari dhe përpara me vendosmëri. Sfida do të ketë gjithmonë, por ju e keni dëshmuar se jeni gati t’i përballoni ato me dinjitet dhe guxim.
E ardhmja e Kosovës është e sigurt, sepse është një e ardhme që ju e ruani çdo ditë me integritetin dhe përkushtimin tuaj.
Le të mbetet gjithmonë e qartë: Republika e Kosovës qëndron e fortë, e lirë dhe krenare, sepse Policia e saj gjithnjë është në krye të detyrës.
Sot prandaj po festojmë jo vetëm ditëlindjen e Policisë, por edhe rrugën e besimit, krenarisë dhe shpresës që ajo ka ndërtuar përgjatë këtyre 26 viteve. Policia jonë nuk është thjesht një uniformë – Ju jeni mburoja e shtetit tonë, dhe arsyeja pse ne ecim të sigurt, pse fëmijët tanë ndihen të lirë dhe pse e ardhmja jonë gjithnjë do të jetë e ndritur. Prandaj, ky përvjetor na kujton se kur shërbejmë me dashuri për atdheun, ne bëhemi një forcë që nuk mund të thyhet kurrë.
Prandaj, le të largohemi sot nga kjo ceremoni me zemra të mbushura me shpresë dhe me besim në të ardhmen të gjithë bashkë – policë e qytetarë, mund të ndërtojmë një Kosovë ku gjithnjë mbizotëron drejtësia, siguria dhe paqja.
Urime të gjithëve përvjetori i Policisë së Kosovës, e qofshi gjithmonë burim krenarie e dritë udhërrëfyese për Republikën tonë!
Lavdi të gjithë policëve të rënë në detyrë!
Zoti e bekoftë Policinë e Kosovës!
Zoti e bekoftë Republikën tonë të lirë!
Ju faleminderit!