Është kënaqësi e veçantë të jem me ju këtë mbrëmje, teksa shënojmë Ditën Kombëtare të Republikës së Austrisë.
Më lejoni që, në emër të të gjithë popullit të Republikës së Kosovës, t’ju përcjell urimet më të përzemërta për Republikën e Austrisë dhe të gjithë qytetarët e saj.
Dita Kombëtare e Austrisë, e shënuar çdo vit më 26 tetor, përkujton një moment kyç në historinë e vendit: miratimin, në vitin 1955, të Ligjit Kushtetues Federal për Neutralitetin e Përhershëm, pas rivendosjes së sovranitetit të plotë të Austrisë. Dje, Austria e shënoi këtë ditë për herë të 61-të që nga shpallja e saj si festë zyrtare. Kjo ditë simbolizon lirinë, pavarësinë dhe vendosmërinë e një shteti për të ndërtuar të ardhmen e tij mbi parimet e paqes dhe të bashkëjetesës.
Të nderuar të pranishëm,
Sonte, krahas festimit të Ditës Kombëtare të Austrisë, festojmë edhe miqësinë e qëndrueshme ndërmjet dy vendeve tona, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë. Kjo miqësi është ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, si liria, demokracia, respektimi i të drejtave të njeriut dhe përkushtimi ndaj paqes e partneritetit.
Austria ka qenë pranë Kosovës në periudhat më të vështira të historisë sonë. Ajo ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe ka dhënë një kontribut të çmuar në proceset e shtetndërtimit, forcimit të institucioneve dhe konsolidimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar.
Kontributi austriak në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në vendin tonë, përmes pjesëmarrjes në misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, është gjithashtu dëshmi e përkushtimit të saj ndaj stabilitetit të Kosovës dhe të rajonit tonë. Njëkohësisht, Austria ka qenë një mbështetëse e fuqishme e aspiratave tona evropiane dhe euroatlantike, duke qëndruar përkrah nesh në rrugëtimin drejt një të ardhmeje të sigurt, demokratike dhe të integruar në strukturat evropiane. Për të gjitha këto, shpreh mirënjohjen time të thellë për Republikën e Austrisë, institucionet e saj dhe qytetarët e saj.
Jam e bindur se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona do të vazhdojnë të forcohen dhe të thellohen edhe më tej. Ekziston një potencial i madh për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë arsimin, shkencën, kulturën, teknologjinë, ekonominë dhe inovacionin. Investimi në këto fusha do të krijojë mundësi të reja për qytetarët tanë, do të afrojë edhe më shumë shoqëritë tona dhe do t’i japë një dimension të ri partneritetit Kosovë–Austri.
Besoj fuqishëm se, duke u mbështetur në miqësinë e ndërtuar ndër vite, në besimin e ndërsjellë dhe në vlerat tona të përbashkëta, do të vazhdojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi që u shërbejnë brezave të sotëm dhe atyre që vijnë.
Të dashur miq,
Popullit austriak i uroj paqe, mirëqenie dhe prosperitet të vazhdueshëm, ndërsa Republikës së Austrisë suksese në të gjitha sfidat dhe në kontributin e saj për një Evropë paqësore e të bashkuar.
Gëzuar Ditën Kombëtare të Republikës së Austrisë!
Faleminderit shumë.
