DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në shënimin e Javës për të drejtat e viktimave të krimit

I nderuar u.d. Kryeprokuror, z. Kelmendi,
I nderuar Kryesues i KPK-së, z. Maloku,
I nderuar kryetar i Gjykatës Supreme, z. Peci,
I nderuar Ambasador Hovenier, 
Ambasador Wigemark, 
Të nderuar përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare,
Të nderuar të pranishëm, 
Zonja dhe Zotërinj;

Dëshiroj që fillimisht të shprehë vlerësimin tim për organizimin e shënimit të javës së viktimave dhe e konsideroj si shumë të rëndësishme mundësinë që të diskutojmë së bashku një çështje kaq të rëndësishme me të cilën sfidohet shteti dhe shoqëria jonë.

Konsideroj se shënimi i javës së viktimave këtë vit bëhet edhe më i rëndësishëm nga fakti se ai vije pak kohë pasi opinioni ynë u trondit nga raste të krimeve të neveritshme të dhunimeve seksuale. 

Prandaj, do e shfrytëzoj këtë rast për t’u ndalur posaçërisht tek nevoja e luftimit efikas dhe të pakompromos ndaj këtyre krimeve të shëmtuara.

Siç jemi në dijeni të gjithë, gjatë muajve të kaluar, vendi ynë është tronditur nga shumë histori shokuese të dhunimeve e ngacmimeve seksuale – viktimë e të cilave krime në disa raste ishin edhe të miturat. 

Ndonëse vetë fakti se kanë ndodhur këto krime është mjaftueshëm i rëndë për ta alarmuar secilin prej nesh, ajo që e bëri akoma më të rëndë këtë situatë ishte mungesa e reagimit efektiv të institucioneve në adresim të këtyre veprave penale.

Prandaj, pas takimeve që kemi pasur me institucionet përgjegjëse, sot jam këtu për të bërë thirrje publike për një rol shumë më proaktiv të institucioneve tona në parandalimin, hetimin, ndjekjen penale si dhe gjykimin më efektiv të veprave penale kundër integritetit seksual. 

Në takimet me krerët e institucioneve të drejtësisë kam adresuar pikërisht çështjen e e dështimeve dhe defekteve sistemike, që janë vënë në pah nga analiza dhe vlerësime që janë bërë tashmë disa vite me radhë, duke përfshirë edhe analiza të partnerëve tanë ndërkombëtar. Në takime tona, kemi diskutuar për mënyrat më të mira se si mund t’i adresojmë së bashku të metat dhe defektet e sistemit tonë, jo vetëm të sistemit të drejtësisë por edhe në mekanizmat tjerë  ligjzbatues, për të forcuar parandalimin dhe luftimin e krimeve seksuale, si dhe mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave.

Domosdoshmërisht, parandalimi dhe luftimi i krimit, e sidomos, mbështetja e viktimave, kërkon një qasje shumëdimensionale.  

Institucionet tona, përtej atyre të drejtësisë, duhet të punojnë më shumë në parandalimin dhe luftimin efikas të këtyre akteve të shëmtuara kriminale, që, përveçse e shkelin ligjin, shkelin edhe vlerat tona themelore, familjare e shoqërore.

Prandaj, duhet që së bashku të punojmë edhe në vetëdijesimin dhe informimin e publikut në lidhje me dhunën seksuale dhe ngacmimet seksuale, e mbi të gjitha se si mund t’i mbrojmë më shumë fëmijët tanë, e të gjithë qytetarët tanë. 

Është me rëndësi që të punojmë në ngritjen e kapaciteteve institucionale, duke përfshirë të gjithë zyrtarët e përfshirë në parandalim, në ndjekje dhe në ndëshkim të kryesve të këtyre veprave: duke filluar nga qendrat për punë sociale, institucioneve arsimore, e deri tek policia, prokuroria dhe gjykatat. 

Defektet e identifikuara në mekanizmat tonë institucional janë të shumta, duke u nisur nga ato më themelore, siç janë ekzistimi i mekanizmave dhe procedurave gjegjëse brenda institucioneve arsimore e deri tek problemet më të ndërlikuara, siç është mënyra e interpretimit juridik të nocionit të veprës penale të dhunimit seksual.  

Në këtë drejtim, është diskutuar tashmë se shumë nga zyrtarë të sistemit të drejtësisë shpeshherë përdorin standarde të vjetërsuara në hetim, ndjekje dhe gjykim të veprave të dhunës seksuale, duke mos zbatuar konceptin modern, i cili është edhe i aplikueshëm në kodet tona, pra konceptin modern  të elementit dallues të veprës penale të dhunimit, gjegjësisht, mos dhënia e pëlqimit, por në vend të saj duke kërkuar gjurmë fizike të dhunës. Madje, nuk munguan as raste shokuese kur gjyqtari mori si rrethanë lehtësuese mungesën e lëndimeve fizike në një rast dhunimi të një vajze të mitur. 

Siç e dini, tek rastet e të miturve, madje as elementi i mosdhënies së pëlqimit nuk ka nevojë të dëshmohet.

Më e pakta që mund të bëjnë institucionet tona është të veprojnë në mbrojtje të viktimës në mënyrën sa më efikase dhe efektive. Dhe në raste të shumta, e veçanërisht në rastin e fundit të vajzës 11 vjeçare, është parë se ky reagim i duhur në mbrojtje të viktimës ka munguar. Përveç kësaj, ka pasur raste të tjera paraprake kur është vënë re vonesë e skajshme midis kallëzimit penal dhe ngritjes së aktakuzës. 

Po kaq tronditëse janë dënimet e ulëta, madje edhe nën minimumin e paraparë me ligj, kur ato janë shqiptuar nga gjykatat. Këtu është vënë re se ka shmangie të dukshme edhe të zbatimit të udhëzuesve për rekomandim dhe matjen e dënimit edhe nga prokurorët edhe nga gjyqtarët. 

Një qasje e tillë nuk është mbrojtje e viktimave, një qasje e tillë është mbrojtje e kriminelëve, edhe më keq, një qasje e tillë është inkurajim i kriminelëve, është inkurajim për të vazhduar dhunimet ndaj vajzave tona, ndaj djemve tanë, ndaj fëmijëve të kësaj Republike. Prandaj, kjo përveçse indinjon qytetarët tanë, ndikon thellë në humbje të besimit të tyre në drejtësi dhe trimëron keqbërësit edhe më tej që të vazhdojnë me abuzimet e tyre kriminale, pa pasur asnjëherë frikë nga dora e drejtësisë. 

Kemi kuptuar po ashtu që deri tani ka munguar protokolli i bashkërendimit midis institucioneve, prandaj, kam mirëpritur lajmin se një protokoll i këtillë tashmë është duke u hartuar. 

Një aspekt tjetër tejet i rëndësishëm është kujdesi që duhet t’ua ofrojmë viktimave të krimit në të gjitha rastet, e sidomos në këto raste të ndjeshme të dhunimeve e ngacmimeve seksuale. Është koha e duhur për të adresuar më mirë ndihmën ndaj viktimave, përmes përmirësimit të kapaciteteve njerëzore e fizike për t’i trajtuar ato pas këtyre ngjarjeve traumatike për to. 

Është diskutuar po ashtu vazhdimisht se ka mungesë të kapaciteteve, përfshirë këtu prokurorë të specializuar në çështjet e dhunës seksuale, veçanërisht në rastet për të mitur, psikologë dhe punëtorë socialë për të trajtuar rastet e ndjeshme dhe se ka pengesa e vonesa në monitorimin e materialeve të vëzhgimit siç janë: videot, mesazhet telefonike etj, të cilat pastaj shkaktojnë vonesa. 

E siç e kemi parë në raste të tilla vonesa nënkupton dhunime të përsëritura. 

Por, siç e kam cekur edhe më parë, mungesa e kapaciteteve nuk duhet të përdoret si ikje nga përgjegjësia për kryerjen e detyrës dhe misionit jetik, që e kanë policia, prokuroria dhe gjyqësori në adresimin e këtyre rasteve të ndjeshme. 

Prandaj, ashtu siç jemi zotuar të gjithë duhet të sigurohemi që të bëhet maksimumi për t’i siguruar përkrahje viktimave, por po ashtu ne zotohemi për përkrahje në ngritjen e kapaciteteve për institucionet tona, në mënyrë që këto raste  të adresohen si duhet. 

Qytetarët nuk e humbin besimin në drejtësi vetëm pse një pjesëtar i shoqërisë ua shkel atyre një të drejtë, vepron në mënyrë të kundërligjshme ndaj tyre apo në çfarëdo mënyrë cënon përditshmërinë e tyre të qetë. Qytetarët e humbin besimin në institucione atëherë kur ata nuk gjejnë përkrahje në institucionet e drejtësisë, në mënyrë që këta keqbërës të ndëshkohen. 

Prandaj, le të na shërbejë edhe ky organizim, pra java që i dedikohet viktimave të krimit, jo vetëm si moment reflektimi, por si nxitje, si një nxitje e madhe që të punojmë së bashku me përkushtim të shtuar për parandalimin dhe ndëshkimin e pakompromis të veprave penale kundër integritetit seksual dhe çdo vepre tjetër penale dhe që dora e ligjit të bie pamëshirshëm mbi kryesit e tyre. Vetëm kështu do të arrijmë që të kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë dhe të mbrojmë me fanatizëm vlerat themelore që e kanë shquar shoqërinë tonë. 

Për fund, dua të përmend edhe një proces shumë të rëndësishëm: vetingun në sistemin e drejtësisë. Konsideroj se është tejet e rëndësishme që të gjithë akterët relevantë të japin kontributin e tyre për një proces sa më të mirëfilltë. Vetëm kur i bashkojmë forcat tona, vetëm kur edhe institucionet e drejtësisë japin kontribut substancial në këtë proces, mund të presim sukses për vendin tonë, për qytetarët tanë. Duhet të kemi parasysh se sidomos pas dritës së gjelbër nga Komisioni i Venecias, ky është një ndër proceset më të rëndësishme në rrugën e ndërtimit të një të sistemi të drejtësisë i cili punon me integritet dhe profesionalizëm e mbi të gjitha, kthen besimin e qytetarëve në drejtësi. Kështu që, ashtu siç kam bërë në takimet tona, e shfrytëzoj këtë rast që edhe publikisht t’ju ftoj që të jeni pjesë e zhvillimit dhe ndërtimit të drejtë, apolitik, e komplet profesional bazuar në integritet të këtij procesi, nëpërmjet pjesëmarrjes suaj aktive në grupet e punës dhe të paraqisni sugjerime dhe kontribut konkret me qëllim të zhvillimit të tij në mënyrën sa më efektive për sistemin e drejtësisë.  

E meqenëse jemi tek drejtësia dhe të drejtat e njeriut, po e përsëris si gjithnjë faktin që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, mbi të gjitha është kauzë për drejtësi, është kauzë për të drejtat e njeriut, është mbrojtje e të drejtave të njeriut. Askush nuk mundet në njërën anë të jetë për drejtat e njeriut, e në anën tjetër ta bllokojë një shtet si Kosova, e cila po synon që t’i ofrojë qytetarëve të saj mekanizmat më efektiv të Këshillit të Evropës, pikërisht për mbrojtje të drejtave të njeriut përfshirë qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Prandaj, edhe një herë iu bëjmë thirrje të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë që të jenë me ne në këtë rrugë, që të përkrahin qytetarët e Kosovës, jo politikën, por qytetarët e Kosovës që mos të mbesin evropianët e vetëm të cilëve u mohohet qasja në këto instrumente të të drejtave të njeriut. 

Ju faleminderit dhe ju uroj punimet të mbara sot gjatë ditës!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.