Faleminderit shumë Vlora,
E nderuar znj. Ministre Nagavci,
E nderuar znj. Richardson,
E nderuar znj. Gusia,
I gjithë ekipi i UN Women,
Të nderuara folëse, të nderuara vajza që jeni duke na përcjell online dhe të gjithë ju të pranishëm,
Ju flas shumë sinqerisht kur them se i vlerësoj shumë ditët e shënuara sikur kjo. Në Ditën Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë, ne kemi mundësinë të flasim njëzëri për tema që i kemi për zemër, ta rrisim vetëdijen për fenomene dhe zhvillime që kontribuojnë në përmirësimin e mirëqenies sonë, si dhe të reflektojmë mbi atë se çfarë kemi bërë dhe çfarë mund të bëjmë më shumë e më mirë në të ardhmen.
Por, njëkohësisht, mendoj se, nëse ti beson vërtetë në të mirat dhe dobitë e integrimit, mbështetjes dhe fuqizimit të grave në secilin sektor, e në veçanti në shkencë, pra në STEM, në teknologji, inxhinieri e matematikë, ti punon në këtë drejtim çdo ditë. Dhe në ditë si kjo, ti i gëzon sukseset dhe progresin e punës së përditshme. Secila nga ju po e jepni një kontribut thelbësisht të çmueshëm në këtë drejtim dhe dua t’ju përgëzoj për punën, por, mbi të gjitha, ju falënderoj për angazhimin, për zellin dhe përkushtimin, si dhe për modelin që po e ndërtoni për vajzat e reja dhe gjeneratat që vijnë pas.
Hapat e parë si fëmijë, kujtimet e fëmijërisë, fjalët e para të shqiptuara, por edhe ato të dëgjuara, e situatat e përjetuara, kanë ndikim të drejtpërdrejt në definimin dhe formësimin e preferencave, mendimeve, e qëndrimeve të një personi në momentin kur ai apo ajo rritet. Prandaj, në ditët tona, duhet të punojmë fort për të luftuar ato shprehjet që i dëgjojmë shpesh, si: “kjo punë është vetëm për burra”. Sepse punë vetëm për burra nuk ka, ashtu siç nuk ka as punë vetëm për gra. Mundësitë dhe shanset e barabarta, si dhe qasja e barabartë në arsim janë premisa kryesore nga e cila duhet të nisemi për t’u siguruar që veprimi ynë në këtë drejtim përkthehet në rezultate të qëndrueshme.
Ndër vite tashmë, në tregun tonë të punës, po përsëritet e njëjta histori. Kemi një disproporcion të dhimbshëm të të punësuarave gra në krahasim me burrat. Respektivisht, në vitin 2021, bazuar në të dhënat e ASK-së për tremujorin e parë përqindja e të punësuarve në mesin e burrave ishte 42.8% dhe në mesin e grave vetëm 15.9%. E nëse shohim tutje, vetëm 2% e grave kosovare janë të punësuara në institucionet e specializuara për teknologji informative dhe komunikuese. Ky nuk është një fenomen që ndodh vetëm në Kosovë, në fakt, ky kurrsesi nuk duhet të jetë sinonimi i trashëgimisë që ne e lëmë pas. Por, këtë vit e kemi filluar me lajme të bukura. Dy çmimet kryesore në shkencë, respektivisht, çmimi për “Shkencëtarin apo Shkencëtaren e Vitit” dhe për “Shkencëtarin e Ri apo Shkencëtaren e Re’”, u fituan nga dy shkencëtare gra. Bravo e përgëzime për të dyjat!
Rrugëtimin tim si Presidente e kam filluar duke i thënë këto fjalë: Vajzat e kanë vendin aty ku ato vetë dëshirojnë, aty ku ato çdo natë ëndërrojnë, aty për çka ato punojnë me zell. Për mua ky nuk është vetëm një citat i shkëputur nga fjalimi inaugures, por kjo thënie shpërfaq ideologjinë e punës sime të përditshme. Kjo mendësi na udhëheq në çdo hap, sepse, për vajzat që sot janë me ne qoftë këtu apo përmes ekranit, për vajzat tona dhe për secilën vajzë në çdo cep të Kosovës e edhe përtej, e duam më të mirën. Duam një Kosovë dhe një shoqëri ku ato ndjehen të lira të japin kontribut të barabartë e maksimal, ku ato trajtohen me dinjitet e respekt të merituar, e ku puna e tyre vlerësohet pa dallime në baza gjinore.
Sot përballë jush na bëhet zemra mal për të arriturat e vajzave tona edhe në shkencë dhe jam shumë e lumtur të shoh një Ministre të përkushtuar për të mbështetur vazhdimisht vajzat dhe gratë në STEM; të bashkëpunoj me Agjencinë për barazi gjinore vazhdimisht po ashtu dhe një organizatë si UN Women në Kosovë që s’reshtin asnjëherë së punuari për fuqizimin e vajzave e grave në Kosovë; pra jam e lumtur të ndaj podiumin me gra e vajza të jashtëzakonshme që po punojnë e veprojnë në këto fusha çdo ditë; e t’ju shoh juve e vajzave e grave prezente këtu dhe nëpërmjet ekraneve tuaja se si hap pas hapi e ditë pas dite po kontribuoni në ndërtimin e një Kosove ku hulumtimi shkencor, robotika, programimi, teknologjia informative, inovacioni, e mbi të gjitha, mendësia e profesioneve universale dhe jo të ndara në baza gjinore, shndërrohen në boshtin e zhvillimit tonë të drejtë, të mençur dhe të qëndrueshëm.
Dashuria e interesi për profesionin që do të përzgjedhim në jetë ngjizet nga fëmijëria e hershme. Andaj, inkuadrimi i vajzave të vogla në robotikë, programim dhe në fusha të ndryshme të teknologjisë e shkencës, do të ndihmojë drejtpërdrejt në rritjen e interesimit të tyre për ta ndjekur karrierën në shkencë dhe në fushat tjera të STEM. Në këtë rrugëtim, shtytësi i parë janë familja, motivi më i madh është pasioni e vullneti individual, e mbështetja vendimtare janë institucionet. Andaj, dua t’ju siguroj që do të mbështes fort si përpjekjet e Ministrisë, por edhe të çdo institucioni e entiteti tjetër përgjegjës, në misionin e ndërtimit, mbështetjes e fuqizimit të kampioneve tona në STEM.
Së fundmi pandemia COVID-19, por dhe sfidat e ndryshme gjithnjë në rritje anë e mbanë botës, kërkojnë përgjigje ekzakte, zgjidhje të qëndrueshme, hulumtime përmbajtjesore, e inovacion të vazhdueshëm. Kjo është pikërisht fryma e STEM. Shkenca, teknologjia e inovacioni qëndrojnë në qendër të revolucionit të nevojshëm për përballim më të lehtë të sfidave madhore të ditëve tona. Por përtej kësaj, janë mundësia jonë më e mirë për përmirësim të përditshëm të mirëqenies kolektive. E sfidat e përbashkëta, mund të adresohen mirë vetëm me angazhim të përbashkët. Andaj, në përpjekjet për të garantuar ditë më të mira, puna nuk mund të ndahet ne mes të ai dhe ajo. Sepse punën më të mirë do të mund ta bëjmë vetëm kur do të punojnë krah për krah ai dhe ajo.
Të dashura vajza,
Mos hezitoni të sfidoni veten. Dështimi nuk është mossuksesi në një përpjekje tuajën, dështim do të ishte mosguximi për të marr hapin e parë në rrugëtimin tuaj hulumtues, analitik, e në fushën e inovacionit. Ju do të habiteni edhe vet nga aftësia që keni për të transformuar rrethin tuaj të ngushtë, komunitetin në të cilin jetoni, shoqërinë e cila ju rrethon dhe në fund edhe gjithë botën.
Prandaj ju lus të mos hezitoni – fillojeni atë punim shkencor, hulumtoni gjithnjë e më shumë atë program kompjuterik, mësoni gjithnjë nga hulumtimet e të tjerëve, jepjani shansin atij eksperimenti që ju duket i parealizueshëm në fillim, por tentoni ta ndreqni atë pajisje që ju duket se është prishur, sepse më besoni – aftësitë tuaja janë shpeshherë edhe përtej imagjinatës suaj. Këtë po e shoh çdo ditë, këtë po e dëshmoni ju në çdo hap, këtë shembull ua kemi borxh atyre grave e vajzave që punuan shumë që ne t’i kemi mundësitë që i kemi sot. Andaj, këtë mendësi të përparimit e përmirësimit të vazhdueshëm duhet ta trashëgojmë edhe tek gjeneratat që do të vijnë pas nesh.
Vazhdoni të jeni inspirim. Kosova jonë do të jetë më e mirë për shkak të punës dhe angazhimit tuaj. Mos harroni edhe një gjë: në rrugëtim e sipër sigurohuni të jeni krah mbështetës për vajzat dhe gratë e tjera. Shpesh, është shtrirja e një dore apo mundësia për t’u mbështetur në supe ajo që na mundëson ekspozimin ndaj një bote të re dhe na lehtëson qasjen në mundësi të reja. Unë besoj tek ju! Mua do të më keni pas në çdo hap. Ju priftë e mbara!
Faleminderit!