I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Talat Xhaferi,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
I nderuari nikoqir, z. president Pendarovski, ju falënderoj për ftesën për vizitën zyrtare në Maqedoninë e Veriut,
I nderuar kryeministër Kovaçevski, mik i Republikës së Kosovës,
Të nderuar deputetë
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,
I nderuar kryetar i Gjykatës Kushtetuese,
Përfaqësues të klerit fetar dhe të gjithë ju të pranishëm,
Dobro ve najdov, dragi sosedi!
Jam e lumtur që sot ndodhem në vizitë te fqinji i parë i Kosovës dhe natyrisht e nderuar që mu dha rasti t`i drejtohem deputetëve të Parlamentit të Maqedonisë Veriut e nëpërmjet jush, edhe qytetarëve të vendit tuaj.
Me Maqedoninë Veriut nuk jemi vetëm fqinj gjeografik, por i ndajmë edhe të njëjtat vlera dhe të njëjtat synime. Qëllimi ynë i përbashkët është familja evropiane, aty ku e kemi të ardhmen e mbi të gjitha aty ku tashmë e kemi dëshmuar se e meritojmë ta kemi vendin.
Republika e Kosovës dhe Maqedonia e Veriut gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme fqinjësore jo vetëm në letër por edhe në vepër. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, ne kemi shënuar përparim jashtëzakonisht të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe klimën e fqinjësisë së mirë, të cilën e kemi kultivuar në vazhdimësi.
Në vitin 1999, në ditët e errëta tona, kur po rrezikohej ekzistenca jonë nga makineria gjenocidale e Milosheviqit, Maqedonia e Veriut, e sidomos shqiptarët në këtë shtet hapën dyert e zemrat e tyre, duke u bërë strehë për shumë të dëbuar me dhunë, ndërkaq shumë të tjerë i shpëtuan vdekjes duke u bërë refugjatë në vende të tjera të botës. Prandaj, faleminderit nga zemra në emër të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për të gjithë ata që na dolën në krah në vitet 1998-99!
Ua kthefshim të gjithëve për të mirë!
24- vjet pas kësaj historie të trishtë para nesh kemi ditë të ndritura. Sot qytetarë të të dy shteteve vijnë e shkojnë anasjelltas. Është krejtësisht normale që një numër i madh i tabelave të veturave në vendparkingjet e Shkupit të jenë pikërisht nga Republika e Kosovës, dhe anasjelltas, të shohim po kaq vizitorë nga Maqedonia e Veriut në atraksionet e shumta që i ofron Republika jonë. Lidhjet tona janë të forta, të shpeshta, e tanimë edhe të shpejta. Ne festojmë bashkë, angazhohemi në aktivitet biznesor, studiojmë e kemi shkëmbim të rregullt akademik, i kemi shpeshtuar vizitat turistike, por mbi të gjitha gëzojmë lidhje të forta miqësore e familjare.
Të nderuar deputetë,
Populli shqiptar që jeton në Maqedoni të Veriut ka qenë gjithnjë dhe mbetet përherë një urë e fortë lidhëse ndërmjet dy shteteve tona. Ata kishin rol kyç në shtetformimin dhe shtetndërtimin e Maqedonisë së Veriut ndërkaq sot janë kontribuues kyç për perspektivën evropiane të saj.
Në themelet e shtetit modern maqedonas, shqiptarët krah përkrah me etnitë tjera janë duke e ndërtuar të ardhmen e përbashkët mbi parimet e barazisë dhe gjithëpërfshirjes. Ata tashmë janë përfshirë edhe në pozita udhëheqëse duke pasur një përfaqësim më të madh në institucionet shtetërore, por gjithnjë ka hapësirë që të bëhet edhe më shumë.
Përkundër sfidave nga e kaluara, sot në Maqedoni të Veriut funksionojnë disa universitete, të cilat ofrojnë programe studimi në gjuhën shqipe. Ato garantojnë ruajtjen e identitetit, përderisa hedhin themelet e diturisë, e cila më pastaj mundëson integrimin e plotë të shqiptarëve në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut dhe jo vetëm.
Padyshim se ruajtja dhe kultivimi i gjuhës shqipe është element shumë i rëndësishëm në zhvillimin e bashkëjetesës, ashtu siç është diversiteti dhe ruajtja e identiteteve e kulturave të ndryshme një vlerë e shtuar e shoqërive tona.
Të prirur nga vizioni për mirëqenie të shtuar e me qëllim të kapërcimit të sfidave socio-ekonomike me të cilat po ballafaqohet i gjithë rajoni ynë, rritja e investimeve edhe në vendbanimet ku jetojnë shqiptarët dhe fuqizimi edhe më shumë i njësive te vetëqeverisjes lokale me kapacitete dhe financa shpresoj të shihet si prioritet. Në këtë mënyrë krijohen mundësi shtesë që qytetarëve t’u ofrohen shërbime sa më cilësore, si dhe të garantohet përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e vendit.
Të nderuar të pranishëm,
Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë një shembull pozitiv i fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor. Të dy shtetet e njohin rëndësinë e kësaj fqinjësie edhe në promovimin e stabilitetit rajonal, zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian.
Bashkëpunimi në fusha sikurse arsimi e kultura, investimet e ndërsjella ekonomike, shëndetësia dhe turizmi mund të ndihmojnë në ndërtimin e lidhjeve edhe më të forta ndërmjet shteteve e njerëzve, teksa dialogu dhe angazhimi i vazhdueshëm për çështje të tilla sikurse siguria dhe zhvillimi ekonomik do të ndihmojnë në krijimin e një rajoni më të integruar e më të begatë.
Prandaj, ndër fushat kyçe të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është ajo e zhvillimit ekonomik. Kemi punuar së bashku për ta rritur shkëmbimin tregtar dhe investimet, gjë që ka kontribuar në rritjen e mundësive të punësimit, rritjen ekonomike dhe prosperitetin. Potenciali është jashtëzakonisht më i madh, prandaj le ta shfrytëzojmë e të sigurohemi që ky bashkëpunim të lulëzojë edhe më tej.
Me po kaq zell po bashkëpunojmë edhe në fushën e sigurisë. Të dy shtetet po dëshmojnë rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe sfidave të tjera të sigurisë me të cilat përballet rajoni ynë. Së voni, ne kemi intesifikuar bashkëpunimin dhe ndërveprimin në fushën e mbrojtjes dhe po punojmë që sa më parë të ulemi pranë jush në Aleancën Veri-Atlantike, në NATO.
Mirëpo, shtetet dhe njerëzit tanë nuk i lidhin vetëm marrëdhëniet politike, edhe projektet konkrete investuese, siç është ai i autostradës me emrin e ikonës politike këtu në Maqedoninë e Veriut, autostradës “Arbën Xhaferi”, deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut.
Në këtë frymë, sic e kemi diskutuar sot jemi shumë të interesuar që t`i shtojmë lidhjet infrastrukturore me Maqedoninë e Veriut dhe shpresojmë që sa më parë të përfundojë edhe pjesa e autostradës nga Bllaca deri në Shkup.
Jemi poashtu të interesuar për finalizimin e përpjekjeve për krijimin e pikave të përbashkëta kufitare në dy pikëkalimet kryesore mes dy vendeve tona. Këto projekte vërtetë do ta lehtësonin edhe më shumë qarkullimin e qytetarëve, e të mallrave dhe do të kuntibuonin në rritjen e bashkëpunimit mes bizneseve tona.
Ne kemi treguar vazhdimisht përkushtim për dialog paqësor dhe bashkëpunim rajonal, duke i dhënë përparësi ndërtimit të marrëdhënieve pozitive dhe konstruktive. Bashkëpunimi rajonal duhet t’i shërbejë agjendës euro-atlantike e të bazohet në vlera demokratike.
E lidhjen tonë, të nderuar deputetë, e bënë edhe më dinamike rinia jonë, e cila gjithnjë i ka dhënë shtytje proceseve të rëndësishme por edhe ndërtimit të miqësisë me vendet fqinje. Është pikërisht rinia që thyen gjithnjë barriera dhe na bënë të besojmë në potencialin transformues të mirëbesimit dhe të bashkëpunimit.
Prandaj, besoj shumë tek rinia e dy vendeve tona dhe jam e sigurt se ata do të na shpiejnë me bindje e me përkushtim drejt hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit në të ardhmen.
Por, po kaq shumë, besoj tek fuqia transformuese e vajzave dhe grave në shoqëritë tona. Ato po dëshmojnë në vazhdimësi se kanë potencialin për të na ekspozuar ndaj mundësive që ishin lehtësisht të pamenduara. Ato po na udhëheqin e dëshmojnë lidership të jashtëzakonshëm në procese tejet komplekse e në fusha të ndryshme nga siguria tek arti, nga sporti tek bisnesi e shumë e shumë fusha të tjera, ku gratë dhe vajzat tona shkëlqejnë. Prandaj, jam e sigurt që një e ardhme me vajza e gra të fuqizuara shpie drejt krijimit të një fryme të fqinjësisë edhe më të mirë gjithnjë e më të avancuar.
Andaj, duhet të rikujtojmë pra se bashkëpunimi ndërshtetëror ka ndikim të thellë në jetën e njerëzve tanë që jetojnë në shtetet tona, por edhe mbetet thelbësor për integrimin e mëtejshëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Bashkimi Evropian dhe NATO-ja janë destinacioni ku dëshirojmë të jemi së bashku. Këto dy sisteme vlerash janë modeli dhe standardi që ne duam ta aplikojmë në shtetin tonë dhe në rajonin tonë.
Në të vërtetë, rajoni ynë ka kaluar trazira të shumta, ka një të kaluar jashtëzakonisht të dhimbshme, por një të ardhme jashtëzakonisht optimiste. Ne duhet ta mbajmë optimizmin dhe besimin gjallë se vendi ynë, vendi që na takon është në Bashkimin Evropian dhe se nuk ka asnjë alternative tjetër. Çdo alternativë tjetër në fakt, do të ishte e zymtë, e pashpresë dhe shkatërruese për popujt tanë. Prandaj ne kurrë nuk kemi kthyer kokën kah alternativat e tjera dhe vazhdimisht kemi qenë të vendosur e pa asnjë dilemë në ecjen tonë drejt strukturave euroatlantike.
Nëpërmjet mbështetjes reciproke në procesin e integrimit evropian, Kosova dhe Maqedonia e Veriut po demonstrojnë përkushtim për stabilitet dhe prosperitet rajonal.
Ditë më parë, Kosova fitoi liberalizimin e vizave në një proces të zvarritur skajshmërisht e padrejtësisht, por më në fund ndodhi, pas shumë pune e përpjekjeve të gjata dhe sepse kishim një zë të fuqishëm të mbështetur edhe nga miqët tanë në Maqedoninë e Veriut. Por, kjo ka hapur edhe një kapitull të ri në rrugëtimin tonë euroatlantik.
Synimi i radhës është statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE si dhe anëtarësimi ne aleancën më të fortë ushtarake që ka njohur njerëzimi, në NATO. Do të punojmë me ngulm në këtë drejtim dhe do të kemi mundësi të mësojmë nga përvoja e Maqedonisë së Veriut.
Në funksion të fqinjësisë së shkëlqyeshme, nuk kam asnjë dilemë të vetme se Maqedonia e Veriut do të jetë në krah të Kosovës, jo vetëm në procesin e anëtarësimit në BE e NATO, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
Përfitoj prandaj nga rasti t`ju falënderoj nga zemra për votën e shtetit tuaj në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës që u mbajt me 24 prill si dhe për përkrahjen për Kosovën në cdo iniciative tjetër deri tani.
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë,
Në kontekstin e zhvillimeve globale, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë në anën e së drejtës, janë në anën e demokracisë, janë në anën e Ukrainës, janë ndër shtetet e para që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim popullin e Ukrainës deri kur atje të triumfojë liria dhe paqja.
Shtetet fqinje në Ballkanin Perëndimor duhet të punojnë së bashku për të kundërshtuar ndikimin e Rusisë në rajon, i cili përbën një kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
Duke punuar së bashku për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe investimet në rajon, por edhe duke avancuar bashkëpunimin e ndërtuar mbi vlera të njëjta, ne mund të ndihmojmë në zvogëlimin e cenueshmërisë së shteteve të rajonit nga ndikimi dhe ndërhyrjet e tilla.
Ndërhyrjet e tilla, natyrisht që për qëllim kanë të krijojnë ndasi, të krijojnë dallime mes nesh e të dëmtojnë raportet e mira ndërfqinjësore. Sepse për ata që kanë qëllime dashakeqe, nuk janë vlerat ato që i bashkojnë njerëzit, por janë interesat hegjemoniste. Por, ne do të vazhdojmë t’ua dëshmojmë të kundërtën, sic kemi bërë edhe deri më tani, duke qëndruar bashkë e krah njëri-tjetrit në rrugën tonë euroatlantike.
Këtë e presin nga ne njerëzit tanë, lidhjet e forta të të cilëvë duhet të jenë udhërrëfyes i yni i përhershëm për marrëdhënie të mira.
Të nderuar deputetë,
Të nderuar të pranishëm,
E ardhmja e marrëdhënieve Kosovë – Maqedoni e Veriut është jashtëzakonisht premtuese dhe me potencial të madh.
Besimi ndërmjet shteteve e kombeve është thelbësor për ndërtimin e partneritetit përmbajtësor, duke u bazuar në transparencë, ndershmëri dhe respekt të ndërsjellë.
Marrëdhëniet e mira fqinjësore kontribuojnë në krijimin e një mjedisi që nxit unitet, besim dhe respekt.
Vendi juaj bart nga ky vit edhe një domethënie tjetër të veçantë për ne, duke qenë se pikërisht në Ohër u dakordua Plani i zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit me Serbinë. Ky moment shënoi një pikë kthese të rëndësishme në procesin e dialogut. Siguroi që Kosova dhe Serbia të shihen si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore e në raport me njëra tjetrën të njihen parimet e rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare. Kosova është treguar konstruktive, e përgjegjshme dhe si e tillë do të jetë edhe gjatë zbatimit të marrëveshjes.
Prandaj, raportet mes Kosovës dhe fqinjëve të saj janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe ne gjithnjë u jemi qasur atyre me konstruktivitetin më të lartë. Raportet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut vërtetë janë raporte model. Prandaj, le të vazhdojmë të jemi fqinj të mirë ndër vete. Le të shërbejmë si shembuj të miqësisë së mirë për mbarë rajonin e përtej.
Sot ne po takohemi në Shkup, e unë uroj që në një të ardhme të afërt, me Maqedoninë e Veriut dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor të takohemi në Bruksel – në djepin e Bashkimit Evropian.
Nie navistina sakame da vlezeme vo Evropa, kolku shto sakame da gi napravime nashite drzhavi evropski. Granicite ne delat, no Evropa ke ne obedini!
Gospod da go blagoslovi prijatelstvoto na Kosovo i Severna Makedonija.
(Ne vërtetë duam të hyjmë në Evropë, po aq sa duam që shtetet tona t`i bëjmë evropiane. Kufijtë na ndajnë, por Evropa do të na bashkojë! Zoti e bekoftë miqësinë e Kosovës me Maqedoninë e Veriut)
Faleminderit!
Vi blagodaram!