Të nderuar të pranishëm,
E nderuar znj. Xharra,
Pjesëmarrës të dashur,
Sot, jeta jonë rrjedh paralelisht në dy botë: në atë fizike që e prekim dhe në atë digjitale ku çdo ditë lëmë gjurmë, ndërveprojmë dhe ndërtojmë realitete të reja. Internetin e kemi menduar gjithnjë si hapësirë të lirë, ku secili mund të dëgjohet, të mësojë dhe të lidhet me të tjerët pa barriera.
Por, përballë këtij potenciali të jashtëzakonshëm, nuk duhet të lejojmë që një hapësirë e krijuar për t’u lidhur, të na ndajë; të mos pranojmë që liria e internetit të përdoret si mburojë për sulme, për shpifje dhe për denigrim.
Liria e internetit është kthyer në një nga shtyllat themelore të demokracisë moderne, sepse mishëron lirinë e shprehjes, të informimit dhe të privatësisë në universin digjital.
E, pikërisht sepse është hapësirë e lirë, ajo njëkohësisht është më e ekspozuara ndaj keqpërdorimit. Prandaj, shkalla e rrezikshmërisë vazhdimisht po rritet, qoftë për përdoruesit, për përmbajtjen, por edhe për mënyrën se si ndërtohet diskursi publik.
Ashtu si liria e shprehjes, e cila jashtë kontekstit mund të shndërrohet në mjet cenimi, edhe interneti mbetet një mjet i fuqishëm, i cili në rast të keqpërdorimit, kthehet në instrument dhune, manipulimi dhe sulmi ndaj individëve apo grupeve.
Liria e internetit është një vlerë demokratike, por secila liri kërkon përgjegjësi.
Sepse aty ku mungon përgjegjësia, hapet mundësia e abuzimit. E, këtë po e shohim përditë: gjuha e urrejtjes, dezinformimi, kërcënimet anonime, shantazhi dhe bullizmi po rriten me ritme shqetësuese.
Të nderuar të pranishëm,
Sfera e internetit nuk po përballet vetëm me komente ofenduese, por edhe me përpjekje serioze për ta goditur vetë idenë e tij si hapësirë e sigurt e lirë dhe në të cilën njerëzit janë ndier më të mbrojtur sesa në realitetin fizik.
Një nga rreziqet më të mëdha është rritja e ndërhyrjeve në privatësi, e cila po e dëmton rëndë lirinë e internetit.
Në këtë hapësirë që do duhej të ishte liri dhe mundësi, po shohim gjithnjë e më shpesh një realitet të dhimbshëm, ku vajzat dhe gratë tona, e po ashtu edhe fëmijët përballen me kërcënime, bullizim, shantazh dhe dhunë digjitale që synon t’ua zbehë zërin dhe mbi të gjitha t’ua thyejë dinjitetin.
Kjo nuk është vetëm shkelje e etikës së internetit, por sulm ndaj vetë themeleve të lirive njerëzore. Liria e internetit po keqpërdoret nga individë dhe grupe që fshihen pas anonimitetit për të shpërndarë frikë, për ta cenuar integritetin dhe për t’i heshtur njerëzit.
Përballë këtij realiteti, ne nuk guxojmë të qëndrojmë indiferentë. Duhet t’i mbrojmë drejtat e të gjithëve në internet me të njëjtën vendosmëri me të cilën i mbrojmë në jetën reale, sepse dinjiteti i tyre nuk njeh kufij në mes të botës fizike dhe asaj digjitale.
Prandaj, duhet ta bëjmë internetin hapësirë ku gratë dhe vajzat tona janë të pranishme me dinjitet, e jo me frikë. Ku fëmijët tanë mbrohen, e jo bullizohen. Na duhet një pakt i ri shoqëror për hapësirën digjitale, i cili nënkupton humanizëm, siguri dhe respekt.
Sepse, në qoftë se nuk bëhet kjo, atëherë fenomeni me të cilin po përballemi përbën rrezik real për lirinë e internetit, sepse e kërcënon jo vetëm nga abuzimet individuale, por edhe nga mungesa e rregullimit dhe vakumi etik që shpesh e karakterizon hapësirën digjitale.
Të nderuar të pranishëm,
Kosova përballet edhe me sfida strategjike që prekin sigurinë dhe demokracinë tonë digjitale.
Ju e dini që meqenëse gjuha shqipe ende nuk njihet në platformën Google, kjo nënkupton se algoritmet nuk e zbulojnë dot shpeshherë gjuhën e urrejtjes apo abuzimet në shqip. Për këtë arsye kam zhvilluar takime me drejtuesit e Google, duke kërkuar jo vetëm njohjen e gjuhës shqipe nëpërmjet identifikimit të gjuhës së urrejtjes dhe abuzive, por në të njejtën kohë edhe pranimin në të gjitha platformat e tyre të tjera, si dhe zgjidhjen e problemeve me llogaritë e zhvilluesve.
Një hap i rëndësishëm u arrit vitin e kaluar, në dhjetor, me anëtarësimin e Kosovës në platformat Amazon, pas takimit që kisha me drejtuesit e kompanisë në Washington D.C, si dhe me shumë kompani të tjera të cilat do ta ndihmojnë Kosovën në platformat digjitale.
Ky ishte jo vetëm një hap teknik, por një hap i rëndësishëm strategjik në krijimin e infrastrukturës sonë digjitale dhe forcimin e lirisë së internetit.
E ky angazhim do të vazhdojë, ndonëse sfidat akoma janë të shumta. Fakti që nuk jemi ende anëtar në INTERPOL, e vështirëson hetimin e shumë sulmeve kibernetike dhe dhunës online.
Megjithatë, problemi kryesor nuk është mungesa e lirisë, por mungesa e përgjegjësisë, mbrojtjes dhe etikës.
Nëse duam një shoqëri më të sigurt, më të drejtë dhe më humane, atëherë duhet ta mbrojmë hapësirën digjitale me të njëjtin përkushtim me të cilin mbrojmë realitetin fizik, sepse thirrja për dhunë, thirrja për vrasje, thirrja për dhunim, abuzimi e bullizimi nuk janë liri e shprehjes, ato janë krim.
Prandaj, ne së bashku, duhet të ndërtojmë një ekosistem digjital shumë më të sigurt. Liria vërtetë fillon me fjalën, por civilizimi i vërtetë fillon me mënyrën se si e përdorim atë. Prandaj, le ta mbrojmë internetin si hapësirën tonë të përbashkët, sepse vetëm kësisoj mbrojmë njëkohësishtë edhe dinjitetin e njëri-tjetrit.
Ju faleminderit!
