DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e betimit të ushtarëve të FSK-së – Gjenerata 2023

I nderuar Kryeministër Kurti,

I nderuar Ministër Maqedonci,

I nderuar Gjeneral Jashari,

Të nderuar përfaqësues të partnerëve tanë,

Staf komandues e profesional i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes,

Të dashur ushtarë, nënoficerë e oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,

Të nderuar ushtarakë e zyrtarë të vendeve partnere,

Të dashur ushtarë të rinj të Gjeneratës 2023,

Të dashur prindër e familjarë,

Ndjehem jashtëzakonisht e lumtur që sot në këtë ceremoni të veçantë ndajmë së bashku emocionet e festës dhe të kurorëzimit të suksesit të madh të 325 djemve e vajzave tona të Gjeneratës 2023 të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Të dashur ushtarë të rinj të kësaj gjenerate,

Jam krenare që ju sot do mbani uniformën e forcave tona, jam krenare që jeni trashëgimtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jam krenare veçanërisht me hapin e parë që hodhët në pragun e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, duke prekur ëndrrën tuaj për t’u bërë ushtarë e ushtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e duke filluar rrugëtimin tuaj me plot sfida në mbrojtje të atdheut tonë të dashur, Republikës së Kosovës.

Ju duke përvetësuar mësimet e trajnimit jeni formësuar dhe zhvilluar në ushtarakë me karakter që përvetësojnë idealet e shenjta të detyrës, nderit dhe atdheut, të ndërlidhuara me vlerat dhe standardet më të larta të ushtarakëve të vendeve anëtare të NATO-së.

Besnikëria, nderi, integriteti dhe guximi tanimë janë mishëruar në shërbimin tuaj ndaj vendit.

Përmes Programit Ushtarak keni rrënjosur kompetencat themelore ushtarake të nevojshme për të fituar të gjitha betejat në një rajon e një botë me sfida e kërcënime komplekse, si dhe me frymëzimin e duhur për përsosmëri të vazhdueshme profesionale dhe shërbim ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Krahas këtij misioni të shenjtë, tanimë jeni familjarizuar me secilin trajnim sipas Doktrinës së ushtrisë amerikane dhe standardeve të NATO-s, e të gatshëm për të realizuar misionin dhe detyrat e shenjta në operacionet e përbashkëta shumëkombëshe, krah për krah me kolegët e forcave të vendeve aleate në shërbim të mbrojtjes së vlerave euroatlantike të demokracisë, paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale, kontinentale e globale.

Të dashur ushtarakë,

Nga sot, ju do të betoheni për besnikërinë ndaj detyrës dhe Republikës dhe do t’i bashkëngjiteni korpusit të ushtarëve të tjerë që i shërbejnë atdheut tonë.

Bëhuni shembull i ushtarakut profesionist me moral, dinjitet, integritet dhe ndershmëri të lartë, sepse aty do të keni çelësin e mirëbesimit të ndërsjellë që si ekipe të arrini të maksimizoni sinergjinë tuaj për realizimin e detyrave tuaja.

Rikujtoj edhe me këtë rast, se në cilësi të Komandantes Supreme, përveç mirënjohjes dhe vlerësimit të lartë për sukseset dhe të arriturat e FSK-së, kam qenë vazhdimisht e interesuar për statusin e mirëqenies sociale e ekonomike të personelit ushtarak të Forcës sonë.

Bazuar në vlerësimin e sfidave, kërcënimeve dhe rreziqeve aktuale në mjedisin e sigurisë së vendit, dhe me qëllim të forcimit dhe avancimit të statusit zyrtar dhe përmirësimit të mirëqenies socio-ekonomike të pjesëtarëve të FSK-së, gjatë këtij viti së bashku me ekipin tim, kemi punuar në hartimin e propozimit për një Program Shtetëror që bazohet në shtatë shtylla kyçe, si në vijim:

E para është: Realizimi i pagesave të shtesave në paga për rrezikshmëri;

E dyta është: Realizimi i pagesave të punës me ndërrime apo të kujdestarisë dhe punës jashtë orarit;

E treta është: Shërbimi i sigurimit jetësor dhe shëndetësor;

E katërta është: Ndërtimi dhe funksionalizimi i Spitalit Ushtarak për shërbime deri në nivelin terciar për ushtarakët, policët, për ushtarakët dhe policët tanë dhe familjet e tyre, për familjet e ushtarëve të FSK-së dhe të policëve të Policisë së Kosovës të rënë në detyrë, si dhe për familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës;

E pesta është: Përmirësimi i cilësisë së ushqimit dhe transportit;

E gjashta është: Sigurimi i banimit të përballueshëm nëpërmjet një programi të veçantë;

Dhe, e shtata është: Krijimi i Fondit Kreditues me kushte të veçanta për Ushtarët e FSK-së;

Për të gjitha çështjet që kërkojnë ndryshime legjislative, Presidenca do të bashkëpunoj ngushtë me Qeverinë, Kuvendin dhe institucionet e tjera relevante. Kjo do të përfshijë konsultime të gjera me institucionet, specialistët dhe partnerët e interesuar, për të siguruar përgatitje dhe zbatim të suksesshëm dhe të qëndrueshëm të programit përkatës.

Nëpërmes kësaj nisme, synojmë të forcojmë dhe përmirësojmë kushtet e shërbimit në Forcën e Sigurisë duke u bazuar në përvojën dhe praktikat e vendeve të tjera të suksesshme. Përveç aspektit operacional më të efektshëm ushtarak, ky program do të ndikonte në përmirësimin e kushteve të banimit, shëndetit dhe mirëqenies socio-ekonomike të ushtarakëve tanë, si dhe në rritjen e nivelit të zhvillimit dhe avancimit profesional dhe operacional.

Ne jemi të vendosur që Kosova të jetë një partner i sigurt dhe kontribuues për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale e ndërkombëtare, siç edhe është dëshmuar me ngritjen e buxhetit në mbi 2% të GDP-së, duke arritur kështu e tejkaluar edhe standardin e shumë vendeve të NATO-s. Me këtë program shtetëror të mbështetjes ushtarake, do të bëhej edhe një hap tutje i rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve tona, si dhe përmirësimit të kushteve për ushtarakët tanë, duke siguruar që ata të jenë gjithmonë të gatshëm për sfidat dhe sukseset e ardhshme.

Me përkushtimin dhe bashkëpunimin e të gjitha palëve kompetente politikëbërëse dhe vendimmarrëse, besoj se do të arrijmë qëllimet tona të përbashkëta, të përcaktuara edhe në këtë program të mbështetjes. Së bashku, do të vazhdojmë të zhvillojmë forcat tona ushtarake, në forca të fuqishme, të përgatitura dhe të përkushtuara për të mbrojtur çdo cep të territorit tonë dhe për të shërbyer për të gjithë qytetarët tanë. Kam besimin se së bashku për vitin që po hyjmë, do të adresojmë me prioritet të lartë të gjitha këto çështje.

Të dashur prindër, familjarë dhe ushtarë e ushtare të rinj,

Ju falënderoj nga zemra të gjithë prindërve dha familjarëve për mbështetjen tuaj shumë të çmuar që ka mundësuar që bijtë e bijat tuaja të ngrihen përballë sfidave duke iu qëndruar afër, ju i motivuat ata që mos të dorëzohen kurrë.

Ju i frymëzuat ata që të vendosin integritetin në radhë të parë, që të zgjedhin shërbimin ndaj atdheut në vend të vetvetes, dhe të ndjekin përsosmërinë në gjithçka që ata bëjnë dhe do të bëjnë gjatë shërbimit të tyre.

Në cilësinë e Komandantes Supreme të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe në emër të të gjithë qytetarëve të vendit, bashkë me urimin për festat e fundvitit, ju uroj nga zemra titullin e Ushtarit Profesionist të FSK-së.

Paqi shërbim të shquar me angazhim vetëmohues e përkushtim maksimal në realizimin e misionit dhe detyrave tuaja kushtetuese e ligjore.

Zoti ju bekoftë në rrugëtimin tuaj të shenjtë!

Zoti e bekoftë ushtrinë tonë dhe popullin e Kosovës!

 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.