Shumë e dashura zonja Fanë,
Të nderuar anëtarë të familjes Rugova,
I nderuar President Sejdiu,
Të nderuar ministra, deputetë, kryetarë të partive politike,
Kryetare e Akademisë së Shkencave,
Kryetar i Komunës së Prishtinës,
Shumë të dashur ju përfaqësues të të gjitha institucioneve dhe bashkëpunëtorë të Presidentit tonë Historik,
Të nderuar të pranishëm dhe natyrisht shkëlqesi ambasadorë të vendeve mike,
Sot, njëzet vjet pas ndarjes nga jeta të Presidentit tonë Historik Dr. Ibrahim Rugova, jemi bashkë për të kujtuar dhe nderuar figurën e tij dhe për ta shënuar momentin kur ideja e lirisë u bë edhe kulturë politike, kur rezistenca u bë etikë, dhe kur politika u ngrit në nivel të misionit historik. Sot nuk përkujtojmë vetëm një datë, por një epokë që e ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë sonë.
Askush nuk e mishëroi më thellë e më mirë shprehjen “Unë, biri yt Kosovë” sesa Presidenti Ibrahim Rugova. Ai ishte biri i saj në bindje, në përkushtim dhe në sakrificë, i lidhur me tokën e tij, me popullin dhe me vlerat e saj, duke ia kushtuar gjithë jetën dhe siç thotë zonja Fanë “çdo qelizë të tij” ndërtimit dhe mbrojtjes së shtetit të lirë, të pavarur e demokratik të Kosovës. I butë në sjellje, por i palëkundur në qëndrim, Rugova i dha Kosovës gjithçka e Kosova ia ktheu me dashurinë dhe lavdinë e përhershme.
Trinomi i Presidentit Rugova: liri, pavarësi, demokraci është manifest politik dhe njëkohësisht koncept i thellë filozofik e human. Për Rugovën, liria nuk ishte thjesht mungesë e kufizimeve, por po ashtu aftësia e popullit për të vendosur për fatin e vet e orientimin e vet, pavarësia nuk ishte thjesht një akt juridik, por po ashtu realizim i një të drejte historike. Ndërkaq, demokracia nuk ishte thjesht një instrument pushteti, por mekanizëm dialogu e i realizimit të të drejtave e lirive themelore për të gjithë, pa dallim. Ky vizion e bëri Rugovën jo vetëm udhëheqës politik, por edhe mendimtar e arkitekt të shtetit tonë.
Në betejën për liri, për dinjitet dhe shtet, Rugova e zgjodhi paqen jo si dobësi, por si formën më të lartë të guximit politik.
Për Rugovën, liria e mendimit ishte themeli mbi të cilin ndërtohej edhe liria fizike.
Që në vitet ’80, Rugova ngriti pyetjen që do të shndërrohej në ideologji politike: Si mund ta përjetojë lirinë intelektuali shqiptar kur i imponohet mohimi i vetvetes, i historisë dhe i realitetit shoqëror? Kjo ishte pikënisja e një mendimi politik që do ta udhëhiqte Kosovën drejt lirisë.
E kjo nuk ishte një pyetje retorike. Ishte mendimi i lirë dhe themeli i kauzës sonë kombëtare. Kjo, ngase për Rugovën, liria nuk ishte dhuratë, por përgjegjësi, dhe detyrim ndaj brezave që vijnë pas nesh.
Kësisoj, ai e ngriti politikën edhe në nivel filozofie, duke e bërë atë me mençuri e duke e bërë paqen me guxim dhe lirinë me përgjegjësi.
Liria dhe demokracia ishin udhërrëfyes gjatë gjithë jetës së tij, ndaj edhe pluralizmi për Rugovën nuk ishte kompromis, por garancë e vetë lirisë sonë.
Në një kohë kur politika zhveshej nga dimensioni human, Rugova ia dha asaj pikërisht këtë, ia dha politikës dimensionin moral dhe dimensionin human të saj. E shndërroi politikën në shërbim, duke e afruar me vlerat më universale njerëzore, atë të dinjitetit, të respektit dhe të humanizmit.
E nderuar familje Rugova,
Të nderuar të pranishëm,
Presidenti Rugova nuk ishte vetëm udhëheqës i yni, por edhe figurë e njohur dhe jashtëzakonisht e respektuar e politikës ndërkombëtare, dhe e tillë mbetet edhe sot, zë i fuqishëm në tryezat më të rëndësishme vendimmarrëse të botës demokratike.
Strategu i paqes e i lirisë, përdori fuqinë e mendjes dhe këmbënguljen për ta ndërtuar shtetin.
Ai nuk kishte nevojë për retorikë të zhurmshme. Pak fjalë mjaftonin për të përcjellë mesazhe të mëdha.
Që në fillesat e angazhimit të tij politik, Presidenti Rugova e kuptoi se liria e Kosovës nuk ishte vetëm çështje e brendshme, por një kauzë që duhej shpjeguar, mbrojtur dhe fituar në qendrat vendimmarrëse të botës demokratike. Prandaj, orientimi i tij pro-perëndimor nuk ishte taktikë e momentit, por bindje e thellë politike dhe morale.
Në dhjetor të vitit ‘94, në Uashington D.C., para ekspertëve të politikës së jashtme dhe mediave ndërkombëtare, Presidenti Rugova fliste qartë për nevojën e rolit udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ai e shihte Kosovën si një shtet të vogël, por me zë të rëndësishëm, shtet të hapur, demokratik dhe faktor stabiliteti, me një vizion që e vendoste qartë vendin tonë në familjen perëndimore të kombeve të lira.
Ky besim ishte vizionar, sepse siç do të thoshte edhe vetë Rugova disa vite më vonë, falë popullit të Kosovës që luftoi për çlirim, NATO-s, Bashkësisë Ndërkombëtare dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara, ato kërkesa të hershme u shndërruan në realitet dhe Kosova u bë e lirë.
Edhe në fazat e mëvonshme të konsolidimit institucional, Presidenti Rugova mbeti i njëjtë në orientim. Në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, me rastin e zgjedhjes së tij President, ai e artikuloi qartë dhe fuqishëm të ardhmen e vendit tonë: Kosova, shtet i lirë, demokratik, i pavarur, i integruar në Bashkimin Evropian, në strukturat euroatlantike dhe në marrëdhënie speciale miqësore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si shprehje e vullnetit politik të qytetarëve të saj.
Kjo vijë e drejtë politike, ky orientim i qartë është thelbi i rugovizmit si politikë shtetformuese. Rugova nuk e kërkoi Perëndimin thjesht si strehë, por mbi të gjitha si vlerë. Nuk e pa Amerikën e Evropën si aleatë rasti, por si partnerë strategjikë e të përhershëm në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, demokracisë, lirisë dhe pavarësisë.
Njëzet vjet pas ndarjes së tij nga jeta, Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova mbetet jo vetëm arkitekt i pavarësisë, por edhe udhërrëfyes i orientimit euroatlantik të Kosovës. Ai e bëri këtë orientim të pakthyeshëm, duke e shndërruar në identitetin tonë shtetëror.
Kosova pati fatin historik të udhëhiqej nga një personalitet i tillë, i matur, largpamës dhe vizionar. Emri i tij u bë sinonim i durimit, i qëndrueshmërisë dhe i besimit se liria fitohet me sakrificë dhe po ashtu me mençuri, me konsistencë, me vizion dhe me aleancat e duhura.
Presidenti Rugova është dhe mbetet shembull i burrështetasit që e shndërroi paqen në akt guximi, idenë në shtet dhe fjalën në histori.
Ai nuk i përket vetëm kohës në të cilën jetoi, por historisë që vazhdon të ecë edhe sot me hapin e tij. Barrën e një populli të mohuar e barti mbi vete dhe e shndërroi në vizion e shpresë, duke ndërtuar shtetin me besim të fortë në vlerat më sublime.
Presidenti Rugova, siç thoshte At Zef Pllumi, ishte “ma i dijuni e ma i urti i të gjithëve”. Ai ishte President, punoi si President, e përmbylli jetën si President dhe do të mbetet përjetësisht Presidenti ynë Historik.
Sepse, ndarja e tij nga jeta nuk e ndërpreu assesi veprën e tij, por në fakt e vulosi atë përjetësisht. Sepse Presidenti Rugova ishte udhëheqës politik dhe arkitekt i një fryme shtetërore, i një fryme që bashkoi njerëzit dhe i dha Kosovës fytyrën më dinjitoze para gjithë botës demokratike. Me fjalën e matur, me tolerancën njerëzore dhe me këmbënguljen e tij, ai e ngriti politikën në nivel shërbimi dhe shtetin në nivel ideali. Historia e Kosovës nuk e përmbledh emrin e tij në një kapitull të vetëm, ngase ai mbetet përjetësisht si ide dhe si busullë e jona orientuese në rrugëtimin tonë euroatlantik dhe në mbrojtjen e shtetit tonë të lirë, sovran, të pavarur e demokratik.
Lavdi Presidentit tonë Historik, Dr. Ibrahim Rugova!
Zoti e bekoftë Kosovën, popullin e saj dhe aleatët tanë!
Ju faleminderit!
