Ju dëshiroj mirëseardhje në takimin e tretë të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës që shënon edhe njëvjetorin e formimit të Këshillit.
Të nderuar pjesëmarrës, Ju dëshiroj mirëseardhje në takimin e tretë të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës që shënon edhe njëvjetorin e formimit të Këshillit. Para një viti, unë e kam themeluar me dekret të veçantë këtë mekanizëm koordinues ndërinstitucional dhe shoqëror të paprecedent, duke u bazuar në nevojën eminente që ne si shoqëri kishim në adresimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Kishin kaluar 15 vite nga përfundimi i luftës, dhe tema e kësaj kategorie të viktimave civile të luftës vazhdonte të mbetej temë tabu, ku faji i kësaj padrejtësie të madhe vazhdonte të rëndonte supet e këtyre viktimave. Ishin zërat e organizata të grave ato që nga momentet e para tentuan të thyenin heshtjen që pllakosi këtë pasojë të luftës, të cilat gjetën edhe mbështetjen e ithtarëve të drejtësisë që guxuan të flasin hapur. Por, ende, 15 vite pas përfundimit të luftës, debatet që po zhvilloheshin brenda shoqërisë sonë reflektonin stigmën e thellë, deri edhe mohimin e kësaj të vërtete të rëndë të luftës. Ishte koha që ta njihnim këtë krim njëzëri si institucione, por edhe si shoqëri, dhe së bashku të ballafaqoheshim me pasojat e rënda që ky krim la pas jo vetëm për viktimat e saj, por për të gjithë shoqërinë tonë. Që në hapat e parë ju institucione të vendit, organizata joqeveritare dhe ndërkombëtare, ju qytetarë të vendit tonë, shprehët përkushtimin dhe vendosmërinë për të përkrahur këtë iniciativë të përbashkët që udhëhiqet nga misioni për të sjellë paqe për qytetarët e barabartë të vendit tonë, të cilët ishin viktima të njërës prej mjeteve më makabre të luftës. Që prej vitit të kaluar mund të them me bindjen më të plotë, se së bashku kemi arritur të hapim një kapitull të ri, i cili ka vetëm një drejtim, atë të garantimit dhe ofrimit të të drejtave të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës si viktima civile të luftës. Së bashku kemi arritur ta kthejmë çështjen e rehabilitimit, të riintegrimit dhe risocializimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, në një temë që zë gjithmonë e më shumë vend në politikat qendrore dhe ato lokale, në një temë për të cilën tashmë ne si shoqëri kemi filluar të flasim më hapur. Ballafaqimi me këtë pasojë të luftës nuk është i lehtë por nuk është i pamundur, me vendosmërinë, me mbështetjen dhe gatishmërinë e duhur do të arrijmë që të mbijetuarve dhe familjarëve të tyre t’ju ofrojmë mundësitë për të ardhme më të sigurt dhe në paqe, siç kemi filluar tashmë ta bëjmë. Në 20 mars të vitit të kaluar, miratimi i projektligjit në Kuvend shënoi hapin e rëndësishëm të njohjes së statusit ligjor të viktimave të dhunës seksuale si viktima civile të luftës. Një hap që na vuri para detyrës të ndërmerrnim të gjitha masat e nevojshme për përpilimin e akteve të domosdoshme nënligjore konform këtij ligji, për t’ju ofruar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës zbatimin e plotë të tij si dhe përfitimet e parashikuara në këtë ligj. Grupi punues i formuar vitin e kaluar me kërkesë të Zyrës sime, vazhdon të punojë në përpilimin e udhëzimeve të nevojshme administrative dhe të udhërrëfyesit për aplikim, që do t’i hapin rrugën formimit të Komisionit Qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës ashtu siç parashihet me ligj. Një proces i cili ka gjetur përkrahjen e ekspertëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë, i udhëhequr në çdo moment nga parimi i ofrimit të një procesi dinjitoz të aplikimit konform praktikave më të mira ndërkombëtare, duke ju adoptuar specifikave të shoqërisë sonë. Jam e bindur që ndërsa po i afrohemi fazave përfundimtare përgatitore, të cilat kanë për qëllim që afati 5 vjeçar i parashikuar me ligj t’i shërbejë tërësisht procesit të aplikimit, qeveria do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme, përfshirë akordimin buxhetor për të mundësuar zbatimin e plotë të ligjit dhe inicimin e procesit të verifikimit dhe njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Kur e nisëm këtë rrugëtim, e kishim shumë të qartë që rehabilitim nënkupton më shumë se njohje ligjore, nënkupton edhe ndihmë psiko-sociale, qasje në shërbime shëndetësore, qasje në drejtësi, nënkupton fuqizim ekonomik, luftim të stigmës. Në takimin e dytë të këtij Këshilli formuam grupet punuese, si struktura koordinuese për të adresuar të gjitha këto çështje, të cilat në bazë të kompetencave të institucioneve dhe organizatave të përfshira morën hapa konkretë drejt përmirësimit të jetës dhe ofrimit të shërbimeve të nevojshme për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Këto grupe punuese u udhëhoqën nga synimi që të forcojnë mekanizmat ekzistues, të bëjnë ngritjen e vetëdijes shoqërore, të identifikojnë dhe të koordinojnë aktivitetet që përkrahin rehabilitimin psiko-social dhe mundësojnë fuqizimin ekonomik të tyre, si dhe të bëjnë përcaktimin e politikave për zbatimin e agjendës legjislative në përkrahje të të gjithë të mbijetuarve. Në rrugëtimin tonë, ne iu bashkuam edhe nismave të rëndësishme ndërkombëtare që po udhëheqin misionin e parandalimit të kësaj forme të torturës në vendet në konflikt. Ju bashkuam nismës së iniciuar nga ish Sekretari i Mbretërisë së Bashkuar, z. Ëilliam Hague dhe e dërguara e posaçme e Kombeve të Bashkuara, znj. Angelina Jolie, në të cilën ofruam kontributin tonë në përpilimin e Protokollit Ndërkombëtar, si dhe gjetëm përkrahjen e tyre, në të cilën vazhdojmë të llogarisim. Kjo nismë, në qershor të vitit të kaluar organizoi Samitin Botëror, më të madhin ndonjëherë në këtë temë, që riafirmoi të vërtetën e madhe njëherë e përgjithmonë, se dhuna seksuale është mjet lufte që prek shoqëritë në konflikte në mbarë botën. Është qëllimi ynë që të parandalojmë këtë mjet lufte, duke mos lejuar më që faji i këtij krimi të rëndojë mbi supet e viktimave. Ne jemi dhe do të mbesim të përkushtuar të sjellim drejtësi për këto krime dhe do të mbesim të përkushtuar që këto krime të mos mbesim të pandëshkuara, dhe fajtorët e vërtetë të dalin një herë e përgjithmonë para drejtësisë. Nëpër takimet e shumta që i kam pasur jashtë vendit, kam ngritur çështjen e kësaj pasoje të luftës, duke kërkuar edhe njohjen ndërkombëtare të krimit të kryer mbi qytetarët e pafajshëm të Kosovës, ku kam gjetur përkrahjen e miqve tanë ndërkombëtarë. Një prej tyre është edhe Foundacion Sungjoo, që dedikoi një fond të veçantë për fuqizimin ekonomik të grave viktima civile të luftës. Me mbështetjen e këtij fondi, arritëm së bashku të krijojmë aleanca bashkëpunimi dhe mbështetjeje ndërmjet organizata joqeveritare, atyre ndërkombëtare dhe nivelit lokal për të iniciuar projekte për fuqizimin ekonomik të viktimave civile të luftës, duke i integruar ato në programet ekzistuese që mundësuan pikërisht procesin e riintegrimit dhe risocializimit të tyre. Për më tepër iu hapën dyert drejt mirëqenies ekonomike, jo vetëm atyre, por gjithë familjeve të tyre. Projekte të tilla që synojmë fuqizimin ekonomik të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës do të vazhdojnë të mbështesin procesin e rehabilitimin psiko-social gjatë gjithë kohës, si mënyra më e qëndrueshme për të garantuar ofrimin e mundësive për jetë më të mirë si pjesë e shoqërisë sonë. Andaj dhe ju bëj thirrje të gjitha institucioneve, atyre qendrore dhe lokale, të ofrojnë mbështetjen e tyre, të shohim mundësitë për integrimin e tyre në programe të ndryshme dhe të tregojnë kujdes të veçantë për këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë sonë. Ofrimi i qasjes në shërbimet shëndetësore është një tjetër prioritet i domosdoshëm në adresimin e rehabilitimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Një pjesë e tyre nuk janë më në mesin tonë nga plagët e dhunës së ushtruar mbi to. Një pjesë e madhe e tyre vazhdojnë të vuajnë pasoja jashtëzakonisht të rënda shëndetësore nga ky krim. Si pjesë e konsultimeve të vazhdueshme dhe njohjes së kësaj nevoje, Ministria e Shëndetësisë mori vendimin për formimin e grupit punues, me qëllim ndërmarrjen e hapave të nevojshëm, përfshirë atyre legjislativë, për ofrimin e qasjes më efikase dhe cilësore në shërbimet shëndetësore për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Jam e bindur dhe pres nga kjo Ministri që të vazhdojë mbështetjen për intensifikimin e punës së këtij grupi dhe përkushtimin për të ndërmarr veprime konkrete në përmbushjen e obligimit dhe përgjegjësisë institucionale për përmirësimin e jetës së këtyre qytetarëve të vendin tonë. Të dashur miq,Pasojat e këtij krimi mizor do vazhdojnë të ndjekin shoqërinë tonë për vite të tëra, por ne duhet të sigurohemi që plagët e kësaj pasoje lufte të mos ua përcjellim edhe gjeneratave të ardhshme. Ne duhet të parandalojmë që kjo pasojë e luftës të prekë të ardhmen e shoqërisë tonë, vendit tonë, shtetit tonë. Kemi bërë shumë punë për të ngritur vetëdijen shoqërore për këtë krim, me organizimin e eventëve në kuadër të nismave vendore e atyre ndërkombëtare, kemi marrë përkrahjen edhe të komunitetit artistik të cilët punën e tyre e kanë ofruar për këtë qëllim, si ekipi i filmit “Tri dritare dhe një varje”. Dhe kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Pasi jemi shumë të vetëdijshëm se thyerja e stigmës është kyçe për të garantuar aplikimin për njohje ligjore, është kyçe për rehabilitim, riiintegrim dhe risocializim të tyre, është kyçe për zhvillim ekonomik, kyçe për të përfunduar procesin e ndërtimit të paqes në vendin tonë. Të nderuar pjesëmarrës,Koordinimi ndërsektorial dhe shoqëror i krijuar gjatë këtij viti ka dëshmuar se së bashku mund të bëjmë shumë, së bashku mund të përmirësojmë jetën e qytetarëve tanë dhe të ndryshojmë realitetin e tyre. Në zyrën time kanë ardhur kërkesa të mbështetura nga një numër i madh i institucioneve, organizatave vendore dhe atyre ndërkombëtare, si dhe kërkesa të artikuluara direkt nga të mbijetuarat, me kërkesën e vetme që ky këshill nuk duhet të përfundojë punën me një vit të punës së tij. Duke u bazuar në këto kërkesa, në nevojën e këtyre, një numër të të cilave i kam takuar personalisht, kam vendosur që ky këshill ta vazhdojë edhe më tej punën e tij intensive. Dëshiroj të falënderoj të gjithë akterët që kanë përkrahur këtë proces përgjatë një viti të punës. Jo vetëm gjatë këtij viti të punës intensive, por përgjatë katër viteve qëkur unë jam në zyrën time. Që në javën e parë të punës unë kam punuar intensivisht me të gjitha organizatat joqeveritare dhe pastaj kemi vazhduar me punën institucionale. Dua të falënderoj Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara Amerikës, UNWOMEN-in dhe OHCHR-in, si dhe Konsullen Vlora Çitaku. Pres nga të gjithë ju që të vazhdoni me një përkrahje të vazhdueshme, me qëllimin e vetëm që të gjithë qytetarëve t’ju ofrojmë një trajtim të barabartë dhe një qasje të barabartë. Në këtë diskutim, unë shpeshherë kam thënë: Nuk ka ne dhe ato. Jemi ne dhe jemi një! Nga këtu dua t’ju drejtohem të gjitha atyre mikeve, të gjitha atyre zonjave, familjeve të tyre, dashamirësve dhe miqve të tyre, të gjitha institucioneve të vendit, se ne duhet të vazhdojmë me përkrahjen dhe ndihmën tonë, jo vetëm personale, njerëzore, që është obligim i secilit prej nesh, por edhe një mbështetje institucionale, derisa kjo të mos jetë më temë tabu, dhe të mos jetë kjo pjesë e shoqërisë sonë edhe më tej e stigmatizuar nga shoqëria.