I nderuar Kryetar i Kuvendit, VeseliI nderuar Kryeministër, MustafaTë nderuar ministra, Përfaqësues të tjerë të ekzekutivit, të komisioneve parlamentare dhe të gjyqësorit,Përfaqësues të shoqërisë civile,Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, zoti Zhbogar,Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Kam kënaqësinë që nën ombrellën e Këshillit Kombëtare të Integrimeve Evropiane kësaj here të takohemi për të diskutuar përparimin në përmbushjen e kritereve të mbetura që na janë vënë nga Komisioni Evropian si kërkesa kryesor për të mundësuar lëvizjen e lirë, pa viza, të qytetarëve të Republikës së Kosovës në shumicën e shteteve evropiane.Ky takim i gjerë i Këshillit ka për qëllim një vlerësim objektiv të këtij udhërrëfyesi kriteresh për liberalizim të vizave, dhe është i fundit në vazhdën e takimeve më të kufizuara që kam mbajtur me krerët e institucioneve, gjegjësisht me ministrat e linjës, gjatë muajve të fundit për t’i koordinuar veprimet tona dhe për t’i dhënë shtytje këtij procesi të rëndësishëm për Kosovën. Jemi në fazën e fundit të përmbushjes së kritereve të Komisionit Evropian dhe vlerësoj që përmbushja e këtyre kritereve tash është çështje e vullnetit tonë politik për ta përmbyllur këtë proces. Kërkesat e mbetura që i kemi përpara varen tërësisht nga ne dhe ekziston një pajtim i përgjithshëm që në fund të këtij muaji, pra në fund të muajit maj, të jemi në gjendje ta dorëzojmë raportin dhe ta ftojmë Komisionin për të vlerësuar përmbushjen e standardeve me bindje për një vlerësim pozitiv gjatë këtij viti që do t’i hapte rrugë procesit të liberalizimit vitin e ardhshëm. Andaj sot ju bëj thirrje që ta shfrytëzojmë këtë takim të përbashkët për t’u sqaruar dhe për të tejkaluar çdo pengesë institucionale apo ligjore që do të na mundësonte plotësimin e të gjitha kritereve të kërkuara nga Komisioni Evropian.Të nderuar të pranishëm, Në këtë gjysmëvit kemi pasur sfida dhe tensionime të ndryshme të cilat duhet t’i kuptojmë si thirrje për të thelluar reformat në Republikën e Kosovës dhe për t’i hapur rrugë perspektivës ekonomike për qytetarët tanë.Në muajt e parë të vitit, si institucione dhe si shoqëri u përballëm me skena të vështira të migrimit ilegal të qytetarëve tanë nëpër shtetet evropiane. Nga operacionet e fundit të mekanizmave të rendit dhe sigurisë u bë e qartë që qytetarët tanë kishin rënë pre e rrjeteve të organizuara kriminale që shtriheshin nga Kosova, Serbia e deri në Sllovaki dhe Austri. Pa dyshim, lehtësimet në lëvizjen e qytetarëve në shtetin fqinj të Serbisë dhe neglizhenca e autoriteteve serbe për t’i kontrolluar kufijtë me shtetet e Schengenit ishin faktorë kontribuues të kësaj vale të migrimit. Por, ato që na mbetet ne si përfaqësues institucional të Kosovës t’i adresojmë me urgjencë janë pakënaqësitë e qytetarëve tanë, të ashtuquajturit faktor nxitës të këtij fenomeni. Ato ditë kam vizituar fshatra dhe qytete, kam takuar gra dhe burra që kanë sakrifikuar një jetë të tërë për Kosovën. Ne duhet ta kthejmë besimin e tyre në shtetndërtimin e Kosovës.Nga aspekti i përmbushjes së obligimeve të Kosovës, reagimi institucional për ta ndalur migrimin ilegal ishte i shpejtë dhe si rezultat nuk pres që ky episod i dhembshëm të ndikojë negativisht në procesin e liberalizimit të vizave.Por, mungesa e rezultateve në vendosjen e rendit dhe ligjit dhe krijimin e shtetit të së drejtës do të jetë faktori përcaktues për shpejtësinë me të cilën Kosova do t’iu hapë rrugë investimeve të huaja në vend aq të nevojshme për krijimin e vendeve të punës dhe të ecë drejt Bashkimit Evropian për ta realizuar vizionin tonë që na bashkon.Praktikave korruptive duhet t’iu vihet fund, sepse ato po lëkundin besimin e qytetarëve tanë dhe po shkatërrojnë shpresën e tyre për ta bërë Kosovën vend të perspektivës dhe të prosperitetit, koncept të qëndrueshëm që qytetarët tanë duan ta quajnë shtëpi të përhershme.Dhe në fund, meqë takimi i Këshillit koincidon me manifestimet për lirinë e shtypit, kësaj hallke jetike për zhvillimin e demokracisë, dua t’i inkurajoj gazetarët e Kosovës që të synojnë ndërtimin e një medie të lirë, të pavarur, sepse një media e pandikuar edhe politikisht është thelbësore për zhvillimin e shoqërisë dhe për përparimin e shtetit. Çdo ndikim mbi të, çdo presion apo edhe dhunë ndaj saj është cenim i lirisë së shoqërisë në përgjithësi dhe përpjekje për të shtypur mendimin e lirë. Zhvillimi i lirë i shtypit do ta ndihmojë dhe do ta forcojë demokracinë tonë, duke i dhënë kuptim përpjekjeve tona ne përmbushjen e standardeve drejt ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe të zhvilluar, i gatshëm për të qenë pjesë e barabartë e vendeve të Bashkimit Evropian.