Kam nder të veçantë t’ju drejtohem në këtë event i cili synon të krijoj një hapësirë bashkëbisedimi, mirëkuptimi e drejtësie për një pjesë të ndjeshme të shoqërisë së pas luftës së Kosovës, heroinat tona.
I nderuar zv. Kryeministër z. Niko Peleshi, Ministër Klosi,Të nderuar zv. Ministra,Të nderuar Deputet të Parliamentit të Republikës së Shqipërisë,Të nderuar Ambasadorë,Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile,Znj. Kerni, znj. Fico,Dear Anna,Të nderuar pjesëmarrës,Zonja dhe Zotërinj, Kam nder të veçantë t’ju drejtohem në këtë event i cili synon të krijoj një hapësirë bashkëbisedimi, mirëkuptimi e drejtësie për një pjesë të ndjeshme të shoqërisë së pas luftës së Kosovës, heroinat tona.Rrëfimi i sotëm është një rrëfim i rëndë i një padrejtësie të madhe të ushtruar mbi popullatën e pafajshme të Kosovës, i mizorisë së një krimi lufte që synoi të cenonte dinjitetin e mijëra grave e vajzave, të ngjallte ndjenjën e frikës, të shtypjes, të nxiste shpërnguljen masive, i cili mbi të gjitha synoi të zhvishte një shoqëri të tërë nga vlerat e saj njerëzore. Akte çnjerëzore që lanë pas një dhimbje të pashtershme të ëndrrave të lëna në gjysmë, të një jete që nuk arriti të jetohej kurrë, të një paragjykimi që rëndoi shumë gjatë mbi supet e vet atyre, trupi i të cilave u kthye dhe u shndërrua në fushëbetejë. Por rrëfimi i sotëm është edhe një rrëfim i guximit dhe i kurajës së mijëra grave e vajzave të Kosovës të cilat të rrethuara nga heshtja dhe fajësimi, me plagët e hapura të krimit, gjetën forcën për mbijetesë, shpresën për një të ardhme më të mirë, duke u kapur shumë fort te e drejta e tyre për një jetë në paqe dhe për drejtësi. Kujtimi i asaj dite, i 12 Qershorit, ditës më të shenjtë të Kosovës, ditës sonë së çlirimit, kur fusha e blertë e stadiumit të Prishtinës u mbulua nga 5000 fustane, do të jetë gjithmonë i freskët jo vetëm në mendjen time, por të shumë qytetarëve të Kosovës. Ajo ditë më përcolli shumë dhimbje por mbi të gjitha më përcolli shumë shpresë teksa u bëra dëshmitare e një solidariteti të pashoq që kaploi të gjithë Kosovën duke tejkaluar edhe kufijtë e saj, duke ju përgjigjur thirrjes së artistes Alketa Xhafa Mripa për të dhuruar një fustan në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Kjo thirrje për të thyer heshtjen, për të luftuar stigmën kumboi zëshëm krahë përkushtimit për njohjen e këtij krimi dhe përbetimin shoqëror dhe institucional për ta dënuar atë njëherë e përgjithmonë dhe për të bërë çdo gjë për t’ju garantuar të mbijetuarave një të ardhme në paqe dhe drejtësinë e shumë merituar. “E kam një përjetim të hidhur”, “Ky fund ka një histori të mbyllur nga pranvera e vitit 1998,” këto janë vetëm dy mesazhe që u gjenden në mesin e mijëra fustaneve të shkruara nga vetë ato që përjetuan këtë krim makabër, të cilat vepra artistike e artistes Alketa Xhafa Mripa dhe producentes Anna di Lellio shpalosi para nesh.Ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën e tyre, por së bashku ne mund të garantojmë që e ardhmja e tyre të mos përcaktohet nga kjo e kaluar e hidhur, që e ardhmja e familjeve të tyre, e fëmijëve të tyre, të mos përcaktohet nga një krim i kryer padrejtësisht mbi to. Të nderuar pjesëmarrës, Shfaqja e këtij dokumentari në Tiranë është pjesë e dëshmisë së mbështetjes së pakursyer të qytetarëve dhe institucioneve të Shqipërisë ndaj qytetarëve të Kosovës, që nga kohët tona më të vështira kur shpresa për një të ardhme më të mirë dukej e largët. Për shumë të mbijetuar dera e parë ku ata trokitën për ndihmë, mbështetje ishin kampet e shumta të ngritura në tërë Shqipërinë, shtëpitë e hapura të qytetarëve në tërë vendin, ku ata gjetën mbrojtje, dhemshuri, dhe shpresën se nuk do të ishin të vetëm për tu përballur me mizorit e luftës të cilat sapo kishin shënjuar trupat e tyre. Do t’ju jemi përjetë mirënjohjes që na qëndruat pranë dhe që sot në paqe vazhdojmë të gjejmë mbështetjen tuaj të pakursyer për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalojmë si shtet e shoqëri.Dëshiroj të shpreh falënderimin tim për Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë si dhe Institutin për Kontratën Shoqërore, që organizuan këtë event, dhe të gjithë ata që u solidarizuan me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë duke u bërë pjesë e veprës artistike dhe të gjithë ju që sot po shprehni përkushtimin për tu bërë zëri i të mbijetuarave për t’ju bashkuar rrugëtimit tonë drejtë realizimit të të drejtave të plota për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës. Të dashura mike, të dashura heroina,Kjo e sotmja është edhe një dëshmi që në këtë betejë, nuk jeni të vetme, që zëri juaj për drejtësi është gjithmonë edhe më i fuqishëm dhe përkushtimi ynë i palëkundur për t’ju garantuar çdo të drejtë tuajën. Pa paqen tuaj, ne nuk mund të gjejmë paqe. Ju falënderoj për forcën që gjetët për t’u bërë pjesë e kësaj vepre artistike, për dedikimin dhe përkushtimin që i dhuruat dhe kurajën që na dhatë të gjithë ne. Falënderoj të gjithë partnerët që mbështeten realizimin e kësaj veprës artistike dhe këtij dokumentari, anëtarët e Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, duke shprehur përkushtimin për të mos u ndalur deri në realizimin e të drejtave të plota për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, sepse unë shpeshherë kam thënë turpi nuk është mbi to, turpi është mbi ata që kanë kryer këtë krim makabër dhe mizor mbi trupin e tyre. Ju falemnderit!