presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në Marshall Center

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka mbajtur sot një fjalim në Marshall Center në Gjermani, të cilin po e sjellim të plotë në vijim:

Të nderuar zonja dhe zotërinj Është kënaqësi e imja që të kthehem në Marshall Center si një ish-studente e kësaj qendre dhe si Presidente e Republikës së Kosovës. Dua të filloj fjalimin e sotëm duke shprehur falënderimin tim kësaj qendre dhe lidershipit vizionar të qendrës për mbështetjen gjatë dekadave dhe ndihmën e dhënë për ndërtimin e themeleve të shtetit tonë të ri. Qindra kosovarë kanë kaluar nëpër dyert e Marshall Center në programet madhore të investimit në të ardhmen e  Kosovës duke fuqizuar kapacitetet njerëzore. Sot, shumë pjesë të institucioneve kryesore janë të mbushur me të diplomuar në qendrën e juaj, duke dhënë kështu kontribut në rrugëtimin tonë të jashtëzakonshëm të shtetndërtimit. Kjo më sjell tek diskutimi i sotëm. Në gjysmëorën e ardhshme do të dëshiroja të ndaj me ju ato që unë  i konsideroj momente pivotale të ushtrimit të shtetndërtimit në Kosovë. Ku ishim dhe sa larg kemi arritur. Si u përballëm me pengesat për të konsoliduar shtetësinë tonë? Cilat janë sfidat dhe në cilin drejtim jeni duke shkuar? Kam për qëllim të hulumtoj këto çështje përmes dy proceseve kyçe, të cilat janë në zhvillim e sipër në Kosovë – reformën e sektorit të sigurisë dhe angazhimin tonë për të krijuar një paqe afatgjate në Kosovë dhe më tej. Një detyrë jo e lehtë, për këtë ju siguroj! Më lejoni të filloj duke shtjelluar kontekstin në të cilin gjendeshim pak para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, para 8 vjetësh. Atëherë, si zëvendëskomandante e Policisë së Kosovës, unë, si edhe të gjithë bashkëqytetarët e mi, pa durim prisja që Kuvendi i Kosovës të votonte në mënyrë solemne pavarësinë e Kosovës. Dhjetëra mijëra kosovarë sfidonin temperaturën nën zero për të valvitur flamurin e ri kosovar dhe që bashkërisht të festonin krijimin e një shteti të ri. Një pjesë e popullatës, më saktësisht pakica serbe, frikësohej se çfarë sillte kjo për ta. Dhe një grup i ekstremistëve të cilët e mbanin këtë vend peng, u mundua të kundërshtonte pavarësinë e Kosovës duke sulmuar dhe djegur pikat kufitare.Situata e komplikuar gjeopolitike po ashtu duhej të merrej parasysh. Serbia, fqinji ynë i parë i cili kishte humbur çfarëdo të drejte morale dhe ligjore mbi Kosovën  për shkak të represionit të gjatë dhe kampanjës së pastrimit etnik, fuqimisht kundërshtonte pavarësinë e Kosovës. Rusia dhe Kina vepruan në të njëjtën mënyrë. Por, deklarimi i pavarësisë së Kosovës nuk ishte surprizë. Themelet e Kosovës së pavarur u shtruan një dekadë më parë, me sulmet ajrore shtatëdhjetë e tetë ditëshe të udhëhequra nga SHBA e forcat e NATO-s, të cilat bombarduan forcat serbe të cilat po udhëhiqnin një kampanjë e cila largoi afër një milion shqiptarë nga shtëpitë e tyre drejtë Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Aparati ushtarak serb ndërmori krime masive, dhe disa nga pasojat e kësaj lufte janë akoma shumë të dukshme dhe të gjalla në popullatën kosovare. Shumë persona akoma duhet të gjejnë paqe. Për mua dhe gjeneratën time, e cila ka përjetuar luftën dhe tranzicionin e rëndë pas luftës, çështja e përfundimit të luftës nuk ishte aq teknikisht e definuar siç e definonin akademikët në mbarë botën duke u bazuar vetëm në numrin e të vdekurve. Lufta, dhe dinamika e saj, vazhduan t’i japin formë paqes së sapovendosur dhe jetërave tona, dhe ishin ende të gjalla në ne, përkundër përfundimit të saj zyrtar në qershor të vitit 1999, me përfundimin e kampanjës së bombardimeve, e cila njëherazi është edhe lufta e parë e kësaj aleance. Ne ishim dëshmitarë të eskalimit të saj, dhe me disa faktorë që ishin përgjegjës për fillimin e saj, paqja në të cilën jetonim shpesh i përngjante një armëpushimi.Siguria nuk ishte vetëm funksioni i mbrojtjes nga pesëdhjetë mijë ushtarë të  NATO-s të vendosur në Kosovë. Siguria lidhej ngushtë me besimin, qartësinë dhe parashikueshmërinë. Dhe ne ishim të lumtur që kishim mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë të cilët mbetën të dedikuar çështjes së mbrojtjes së popullit të Kosovës dhe ndihmës që të ndërtojmë kapacitetet tona. Në vend, qytetarët e Kosovës në dy dekada kaluan nëpër ndryshime tektonike- nga lufta në paqe, nga diktatura në demokraci, nga ekonomia e kontrolluar në kapitalizëm dhe treg të lirë. Kjo nënkuptonte rindërtimin e shkatërrimit fizik të shkaktuar nga lufta, draftimin e një kornize të re politike, ndërtimin e institucioneve nga hiqi, përfshirë edhe ato të sigurisë, për të larguar edhe vakumin e sigurisë dhe potencialin që mbartte për kaos. Po ashtu nënkuptonte edhe antagonizmin dhe mosbesimin në mes të komuniteteve etnike dhe tensionit në mes të elitave të dikurshme dhe të porsaardhurve, si dhe presionit për të integruar dhe akomoduar secilin në sistemin e ri. Në mes të këtyre prioriteteve garuese në një shoqëri të qarë e cila sapo kishte dalë nga lufta dhe represioni, u bë më se e qartë se për ta gjetur Kosova stabilitetin aq të nevojshëm politik dhe të shmangte relapsin, gjë e cila ishte shpesh normë në shoqëritë e dala nga konflikti, ishte imperative se duhej të ndërtoheshin institucione me politikë të dyerve të hapura. Gjithëpërfshirja duhej të bëhej normë e re. Institucionet nuk duhet të jenë vetëm refleksion i strukturës së saj multietnike dhe mutikulturale por edhe të zhvilluar në atë mënyrë që të merret në konsideratë edhe konteksti i së kaluarës së Kosovës dhe ambicies së saj për të ardhmen. Në të kaluarën, qytetarët e Kosovës kishin jetuar nën represion të paimagjinueshëm të ushtruar nga aparati shtetëror serb, i cili ngërthente në vete një forcë shumë të politizuar dhe brutale të policisë, e cila i persekutonte në bazë të etnisë së tyre dhe bindjeve të tyre politike. Në të ardhmen, si shtet i pavarur, Kosova do të kërkojë anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe  mbarë lidershipi i saj ka shprehur dedikimin e tyre për arritjen e prekonditave të lidhura me procesin e anëtarësimit. Për një gjeneratë të tërë, e cila u rrit në një botë si ajo e Hobbes-it plot rreziqe dhe frikë të pafund, ishte e rëndësishme të përqendronte angazhimet në sundimin e ligjit dhe rifillimin e procesit të krijimit të kapaciteteve lokale, respektivisht te forcës së Policisë së Kosovës, si një nga drejtimet e strategjisë dalëse për mbikëqyrësit ndërkombëtarë të Kosovës dhe shkallë ngritëse të pavarësisë së Kosovës. Për shkak të kontekstit, sfidë ishte jo vetëm ndërtimi i një force profesionale policore por po ashtu edhe ndërtimi i besimit të qytetarëve të Kosovës në këtë institucion dhe uniformën e saj, e cila asocohej me frikë dhe ishte përdorur si mjet represioni. Dhe kur filluam me rindërtimin e institucioneve të Kosovës, ne po ashtu ndërtuam edhe besimin e publikut në këto institucione. Ne e dinim se do të mund ta fitonim këtë besim vetëm duke ofruar siguri, komponentën kyçe për të cilën qytetarët e Kosovës kishin nevojë për rikthim në normalitet dhe rindërtim të jetëve të tyre. Në këtë rrugëtim të rëndësishëm ne ishim me fat se kishim pranë vetes me mijëra burra dhe gra nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara – kryesisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, por edhe të vendeve të largëta si Pakistani dhe Australia – të cilët sollën me vete në Kosovë praktikat më të mira të ndërtimit të një force policore të besueshme e cila do të krijonte hapësirën e nevojshme për fitimin e besimit nga ana e qytetarëve të Kosovës dhe të fillojnë ndërtimin e një shteti të ri, të ndryshem dhe gjithëpërfshirës. Në muajt e parë të ekzistimit, ne kërkuam të ndërtojmë besim dhe legjitimitet në forcën policore si institucion duke adresuar dhe reflektuar tri principe të cilat garantonin përfshirje sipas strukturës dhe traditës së Kosovës, e më vonë sipas Kushtetutës 1) pajtim politik, 2) multietnicitet dhe 3) balans të raportit gjinor.  Si në shumë vende të dala nga konflikti, forca policore u bë institucioni kryesor i cili absorboi ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila kishte luftuar për pavarësinë e Kosovës, proces kyç i cili siguroi demilitarizimin e duhur të forcës guerile dhe riintegrimin e anëtarëve të saj në jetën civile.   Kjo forcë po ashtu përfshiu në radhët  e saj edhe ish oficerë policorë të cilët kishin shërbyer në një sistem të udhëhequr nga Jugosllavia socialiste, të cilët kishin përvojën dhe dijen e kontekstit ambiental por që duhej t’u mësoheshin metodat më të mira të punës policore. Përkundër animoziteteve etnike që ekzistonin në mes të grupeve kryesore etnike të Kosovës, për shkak të sigurimit të përqafimit të kësaj force nga mbarë popullata e Kosovës ishte imperative që të rekrutoheshin anëtarë të komuniteteve pakicë dhe të fillohej me patrullimin e përbashkët të zonave me etni të përzier për ta dërguar mesazhin se forca policore reflektonte strukturën etnike dhe kulturore të Kosovës dhe se mundohej ta mbante multietnicitetin si themel të shtetit të ri. Dhe në fund, pasi që Policia e Kosovës ishte në mes të institucioneve të para të themeluara në vend, ishte e rëndësishme që të udhëhiqte me shembuj duke rekrutuar numrin më të madh të grave në shërbim. Angazhimi për të krijuar balans gjinor në Policinë e Kosovës jo vetëm që ka thyer disa nga paragjykimet rreth roleve tradicionale të burrave dhe grave në atë që akoma mbetet një shoqëri patriarkale, por po ashtu edhe ngriti besimin në këtë institucion duke treguar se çfarë do të thotë të ndërtosh një institucion demokratik i udhëhequr nga shkëlqyeshmëria e oficerëve  e jo nga tradita. Për këtë arsye, themelet e një strategjie të suksesshme policore e cila dha benefite për popullin e Kosovës dhe ktheu Policinë e Kosovës  në një nga institucionet më të besueshme në vend janë të ngulitura në lidhjet në mes të policisë dhe komunitetit si tërësi dhe kuptueshmërisë se policia është aty për t’i mbrojtur liritë e tyre dhe ta ruaj paqen. Ne ishim të udhëhequr nga kjo në muzgun e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ishte një test i madh për ne dhe Policia e Kosovës dha një shembull  të cilën të tjerët e vazhduan. U bë një nga institucionet e para të arrijë pavarësinë e saj pas një dekade të mbikëqyrjes ndërkombëtare. Sot, nuk ka më trupa të NATO-s të cilat patrullojnë në Kosovë ose te cilët mbajnë vendkontrolle. Ne kemi marrë mbi vete përgjegjësinë për sigurinë e të gjithëve ne Kosovë dhe nëpërmes politikës së dialogut gradual dhe angazhimit, ne jemi duke rifituar autoritetin ne mbarë Kosovën. Kjo nuk do të thotë se nuk kemi sfida, ato ekzistojnë dhe janë reale, posaçërisht në pjesën veriore të Kosovës ku rrjetet kriminale, financiarisht dhe politikisht të mbështetura nga Beogradi, vazhdojnë të zhvleftësojnë autoritetin e institucioneve legjitime të Kosovës. Definicioni i ynë i gjerë i sigurisë, duke marrë parasysh me kujdes historinë e Kosovës, strukturën e saj dhe ambiciet e saj për të ardhmen, janë bërë po ashtu principi ynë udhëheqës në qendër të rishqyrtimit të sektorit të sigurisë dhe identifikimit të reformave. Në një angazhim të gjatë dhe të mundimshëm, i cili përfshiu një shqyrtim të gjithanshëm të sektorit të sigurisë, vitin e kaluar, të bazuar në vlerësimin e detajuar të nevojave dhe mundësive tona, ne arritëm deri tek vendimi që të ndërmarrim themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës në kuadër të një procesi gradual, në shumë faza, në partneritet të plote me NATO-n dhe sipas standardeve të NATO-s. Në këtë fazë të ardhshme të kompletimit të formës së një shteti sovran, përgjegjës për sigurinë  e vet, qëllim i yni është ndërtimi i një force modern fleksibile mbrojtëse e cila do të jetë një vlerë e sigurisë regjionale dhe e cila do ta ruajë paqen evropiane. Qëllim i yni strategjik është anëtarësimi në NATO dhe ky qëllim përkrahet nga mbarë spektri politik në Kosovë. Ne nuk shohim alternativë tjetër dhe jam e vetëdijshme se angazhimi ynë komplikohet me faktin se katër shtete anëtare të NATO-s nuk na kanë njohur akoma, por dëshiroj të mendoj përpara dhe të përdorë këtë momentum për ta ndryshuar rrjedhën e historisë së Ballkanit perëndimor. Marrëdhënia jonë nuk është e definuar vetëm nga KFOR-i, forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë. Ne nuk duam që të jemi vetëm pranues të sigurisë, por  dëshirojmë të shndërrohemi në kontribuues të sigurisë. Ne dëshirojmë të jemi partner, ndaj i gëzohem fillimit të marrëdhënieve kontraktuale në mes të Kosovës dhe NATO-s në një të afërme jo aq të largët. Përtej angazhimeve tona ditore për t’u qenë pranë, për t’i mbrojtur dhe integruar të gjitha komunitetet në jetën institucionale dhe shoqërore, ne jemi angazhuar në mënyrë konstruktive më Republikën e Serbisë në një dialog ndërshtetëror për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Ne kemi punuar në mënyrë intensive për të filluar një kapitull të ri të një politike të fqinjësisë së mirë, e cila promovon bashkëpunim dhe besim të dyanshëm – një ndryshim thelbësor në një regjion i cili ishte i mbërthyer në luftëra para më pak se dy dekada. Në këtë rrugëtim ne ishim të udhëhequr nga besimi i thellë se nuk duhet të lejohet përsëritja e të shkuarës së dhimbshme dhe të vuajtjes së pamasë të shkaktuar ndaj qytetarëve të Kosovës për ta përcaktuar të ardhmen e gjeneratave të reja, të cilët nuk duhet që edhe më tej të humbin mundësi dhe që e meritojnë të jetojnë në liri dhe prosperitet. Përderisa i gëzohemi progresit të arritur në bisedimet e lehtësuara nga BE-ja, dua ta theksoj nevojën që mbarë komuniteti ndërkombëtar, e posaçërisht BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, ta mbajnë Serbinë përgjegjëse për implementimin e marrëveshjeve dhe ta kushtëzojnë fuqishëm rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE me përmbushjen e këtyre marrëveshjeve. Edhe pse kam besim se përfundimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve do ta sjellë Serbinë drejtë njohjes së pavarësisë së Kosovës – një realitet i pakthyeshëm të cilin edhe Serbia e ka kuptuar- veprimet e Serbisë ende nuk kanë dëshmuar se ajo ka lëvizur nga e kaluara e saj nacionaliste. Ka një diskrepancë të madhe në mes të retorikës dhe veprimeve të Serbisë. Ato dyja nuk janë të njëjta. Përderisa në dialogun me Kosovën në Bruksel Serbia ka treguar angazhim konstruktiv properëndimor, ajo ka vazhduar me veprime për ta zhvleftësuar sovranitetin dhe autoritetin e Kosovës, nëpërmes financimit të vazhdueshëm dhe mbështetjes së strukturave ilegale paralele, të barrikadave të cilat pengojnë lirinë e lëvizjes dhe vënies së pengesave karshi anëtarësimit të Kosovës në organizata regjionale dhe ndërkombëtare. Zonja dhe Zotërinj:Siç e kanë dëshmuar këto vitet e fundit, ne sfidohemi nga kërcënime të cilat e ndikojnë në secilin dhe prekin themelin e lirive tona të fituara me shumë mund. Dhe në këto sfida globale nuk ka dallime qenësore në mes të shteteve të mëdha dhe të vogla. Ne jemi të gjithë të prekur siç jemi të gjithë të ndërvarur.Kosova ka dëshmuar se i merr shume seriozisht çështjet e sigurisë së saj, sigurisë së regjionit dhe atë të aleatëve të saj. Fatkeqësisht, vendi ynë nuk ka mbetur imun ndaj kësaj sfide të sigurisë globale, por ne e kemi sfiduar atë në mënyrë efikase. Në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë, unë kam koordinuar angazhimet e mekanizmave tanë të sigurisë për ndërmarrjen e operacioneve në mbarë vendin kundër mbështetësve të ISIS-it.Agjencitë e sundimit të ligjit kanë burgosur 60 qytetarë kosovarë, të cilët në një periudhë kohore i janë bashkangjitur ISIS-it dhe grupeve të ngjashme si al-Nusra në Siri dhe Irak në një operacion të koordinuar në mbarë territorin e vendit. Shtatë imamë të cilët ishin të kyçur në inspirimin dhe nxitjen si dhe rekrutimin direkt të qytetarëve të Kosovës për të luftuar në Siri dhe Irak po ashtu janë arrestuar. Ne kemi mbyllur OJQ të cilat dyshohet se kanë funksionuar si front për aspekte organizative dhe financiare të rekrutimit terrorist, si dhe një numër të xhamive ilegale, të cilat shërbenin si burim i indoktrinimit dhe rekrutimit. Ne po ashtu kemi intensifikuar dhe ripërtërirë partneritetet tona regjionale dhe globale. Bashkëpunimi i ngushtë dhe efikas në mes të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë ka sjellë deri te arrestimi i figurave kyçe, për të cilët besohet se janë mbështetës kryesorë të rekrutimit të ISIS-it në regjion. Veprimet tona në zbatimin e ligjit janë përcjellë edhe me masa ligjore. Në fillim të këtij viti Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin i cili ndalon pjesëmarrjen  në luftëra të huaja duke e konsideruar si krim i cili dënohet deri më 15 vjet burgim. Prokurorët e Kosovës kanë ngritur 30 aktakuza dhe të akuzuarit do të sillen para drejtësisë,  me ç’rast për herë të parë luftëtarët e luftërave të huaja do të sillen para drejtësisë dhe do të gjykohen nga gjykatat e Kosovës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë evropianë mbesin partnerët tanë kyçë në luftimin e këtij rreziku dhe do të punojmë ngushtë me ta për të siguruar se këtë kërcënim do ta luftojmë në mënyrë efektive. Të gjitha këto masa të cilat i kemi ndërmarrë si dhe vendosmëria jonë për ta degraduar këtë kërcënim ishin një shmangës serioz. Ne mundëm pothuajse plotësisht të ulim rrjedhjen e luftëtarëve në luftëra të huaja dhe është qëllim imi ta mbaj këtë si një nga prioritetet më të mëdha të institucioneve tona shtetërore dhe të sigurohemi se  kjo nuk do të jetë ende kërcenim për Kosovën dhe aleatët e saj. Ne kemi forcuar aleancat tona regjionale dhe globale dhe kemi ndërtuar aleanca të reja. Në Kosovë ne kemi themeluar një model i cili duhet të pasohet nga vendet tjera të regjionit dhe më tej. Nëpërmes veprimeve tona ne kemi bërë të qartë terroristëve dhe atyre të cilët e mbështesin këtë kauzë se Kosova nuk do të jetë një strehë për ta. Dhe kemi demonstruar se vërtetë mendojmë ashtu. Në fund, më lejoni të përfundoj duke thënë se progresi në Kosovë ka qenë i jashtëzakonshëm.  Në jemi të vetëdijshëm se më shumë duhet bërë që ta transformojmë Kosovën në një vend të cilin të gjithë e aspirojmë. Politikisht, ne kemi bërë një hap gjigand përpara, por na nevojitet edhe një shtytje për t’u siguruar se investimi në ndërtim të paqes dhe stabilitetit në 20 vitet e kaluara është i pakthyeshëm. Ne mbetemi një shoqëri e cila shikon përpara, por duhet ta mbajmë këtë momentum. Angazhimi aktiv i aleatëve tanë në këtë fazë të ardhshme mbetet esencial për paqen dhe stabilitetin ne Ballkan. Ka akoma punë të papërfunduar dhe duhet të sigurohemi se sukseset e viteve të kaluara do të vazhdohen. Kosova ka pasur shumë miq në këtë rrugëtim të suksesshëm të shtetndërtimit. Dhe kjo punë e jona e përbashkët ka ndryshuar drejtimin e historisë së Ballkanit.Vetëm 15 vjet më parë Kosova ishte zonë lufte. Sot, Kosova është një burim i paqes dhe stabilitetit dhe kjo duke iu falënderuar vullnetit të pathyer të popullit të Kosovës dhe partnerëve tanë për të jetuar në liri dhe demokraci. Ju faleminderit që më ftuat sot këtu dhe për këtë mikpritje aq të ngrohtë!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.