Më vjen mirë që jemi mbledhur sërish për të shënuar ditën globale të grave sipërmarrëse duke e sjellë këtë event në qytetin e bukur të Gjakovës, që dikur ishte kryeqendra industriale e Kosovës dhe kishte një punësim të lartë të grave në Kosovë.
E nderuara zonja Kusari Lila,
E nderuara zonja Kusari Purrini,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
I nderuar zoti Gnocchi,
I nderuar drejtor i UNDP-së në Kosovë, zoti Russell,
E nderuar Shkëlqesia Juaj Zaharia,
Të nderuara përfaqësuese të biznesit,
Të nderuar pjesëmarrës,
Më vjen mirë që jemi mbledhur sërish për të shënuar ditën globale të grave sipërmarrëse duke e sjellë këtë event në qytetin e bukur të Gjakovës, që dikur ishte kryeqendra industriale e Kosovës dhe kishte një punësim të lartë të grave në Kosovë.
Kjo nismë ndërkombëtare që i dedikohet rëndësisë së grave sipërmarrëse në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik, për vitin e dytë me radhë vë në pah nevojën për ngritjen e vetëdijes institucionale dhe shoqërore në të gjitha vendet e botës për situatën jo të barabartë në të cilën gratë gjenden në sektorin e ekonomisë, dhe nevojën për të ndërmarrë hapa konkretë për ta ndryshuar atë.
Patjetër që domosdoshmëria për politika gjinore rrjedh nga parimet universale të njeriut, të cilat janë pjesë integrale e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit tonë, me të cilat ne u garantojmë si burrave dhe grave të drejta dhe obligime të barabarta.
Por, përderisa ne flasim për fuqizimin ekonomik të gruas, janë edhe indikatorët ekonomikë që na dëshmojnë shumë qartë që shoqëritë të cilat ndjekin politika që garantojnë pjesëmarrje më të madhe të grave në çdo fushë të jetës, e specifikisht në sektorin e ekonomisë, janë shoqëri të cilat gëzojnë mirëqenie më të lartë dhe zhvillimin më të qëndrueshëm ekonomik.
Besoj që është e mençur që dhe ne të ndjekim shembullin e këtyre shoqërive, pasi ndajmë synimin e përbashkët për të ndërtuar politika të cilat u garantojnë qytetarëve mirëqenie, qasje në jetë dinjitoze, garantim të të drejtave të tyre dhe mbi të gjitha vend me ekonomi të zhvilluar.
Në shoqërinë tonë në Kosovë, gratë përballen me barriera të shumta të cilat jo rrallë herë ua pamundësojnë atyre pjesëmarrjen aktive në sektorin e ekonomisë. Barriera që lidhen me qasjen në pronësi, në burimet financiare dhe ato ekonomike apo dhe në edukimin profesional të cilat vështirësojnë realizimin e iniciativave që gratë mund të kenë për të hapur një biznes, për të zgjeruar biznesin e tyre apo dhe për të formalizuar biznesin e tyre.
Këto problematika na kanë ndjekur për vite me radhë, të cilat kanë reflektuar dhe në numrin e ulët të grave sipërmarrëse, në numrin e ulët të bizneseve të cilat janë të regjistruara në emrin e grave apo dhe në hezitimin e vajzave të reja për të ndërmarrë nisma në sektorin e ekonomisë.
Këto pasoja i ndjejmë të gjithë, pasi një e drejtë e mohuar ndaj gruas është një e drejtë e cila i mohohet të gjithë shoqërisë.
Prandaj dhe evente të tilla si ky i sotmi janë tejet të rëndësishëm për të nxjerrë në pah problemet me të cilat gratë përballen, për të diskutuar rreth nismave të ndërmarra për të adresuar këto barriera dhe mbi të gjitha për të identifikuar politikat e nevojshme të cilat duhet të ndërmerren si nga sektori publik po edhe ai privat për të garantuar qasjen e gruas në sektorin ekonomik.
Të dashura mike,
Të nderuar pjesëmarrës,
Në Kosovë kemi gra sipërmarrëse shumë të suksesshme të cilat kanë prekur majat në sektorët ku veprojnë. Një pjesë e këtyre grave, me mbështetjen që unë i kam ofruar së bashku me kryetaren Kusari-Lila, në atë kohë Ministre e Tregtisë dhe Industrisë, kanë krijuar edhe organizatë për të hapur rrugën edhe për të tjera, dhe ajo është grupi i ashtuquajtur G7 të Dhomës Ekonomike të Grave.
Kemi gra të fuqishme në shoqërinë civile, si Mirlinda Kusari Purrini, e cila me atë të organizatës së saj Sheera dhe rrjetit të gjerë që ka ndërtuar, ka ofruar mundësi ekonomike të shumë munguara për shumë gra në tërë territorin e vendit.
Kemi edhe gra të cilat kanë ndërtuar bizneset e tyre mbi rrënojat e luftës për të siguruar mbijetesën e familjes së tyre, si gratë e Krushës të cilat tashmë kanë arritur të thyejnë barrierat edhe jashtë vendit, duke arritur që të eksportojnë produktet e tyre dhe t’ju ofrojnë fëmijëve të tyre jetë dinjitoze.
Janë shembujt e këtyre grave dhe shumë grave të tjera të cilat duhet të na frymëzojnë dhe të na shtyjnë që të ndërmarrim hapa për të avancuar rolin që gratë dhe vajzat luajnë në ekonomi si agjente të rëndësishme të garantimit të mirëqenies sonë të përgjithshme.
Kemi filluar të avancojmë në retorikën me të cilën trajtojmë fuqizimin ekonomik të grave. Është e vërtetë, ende vazhdojmë të flasim rreth rëndësisë së fuqizimit ekonomik të gruas për mirëqenien e të gjithë shoqërisë dhe zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik të vendit.
Por, kemi filluar të flasim edhe rreth hapave konkretë që mundësojnë fuqizimin ekonomik të gruas. Këtë vit fuqizimi ekonomik i grave ka njohur një vit të mbarë me iniciativat e shumta të cilat kanë adresuar qasjen e gruas në pronësi.
Iniciativa si “Për të mirën Tonë”, e cila me mbështetjen time, të USAID dhe partnerëve të shumtë, ngre rëndësinë e regjistrimit të pronës së përbashkët edhe në emrin e gruas dhe qasjen e gruas në trashëgimi.
Iniciativa të ndërmarra nga institucionet e vendit së bashku me organizata joqeveritare dhe donatorë të shumtë për të fuqizuar rolin e grave në bujqësi dhe ndërmarrësi. Iniciativa nga sektori bankar për të ofruar qasjen në burime financiare dhe këshille profesionale apo edhe iniciativa për të garantuar pjesëmarrjen sa më të gjerë të vajzave të reja në sektorin e teknologjisë, të inovacionit, të turizmit, të biznesit e kështu me radhë.
Patjetër që gjithë këto nisma, këto politika duhet të përshëndeten duke i konsideruar ato si hapa të parë drejt ndërtimit të politikave të bashkëpunimit të ngushtë institucional dhe shoqëror, që evidentojnë barrierat e shumta të cilat ende mbajnë larg gratë dhe vajzat nga pjesëmarrja aktive në ekonomi, duke gjetur zgjidhje të përbashkëta për t’i kapërcyer ato.
Përgëzoj dhe njëherë Mirlindën dhe partnerët e shumtë që kanë mbështetur eventin e sotëm, duke ju lënë me mesazhin se me fuqizimin ekonomik të gruas fuqizojmë të gjithë shoqërinë tonë, fuqizojmë gjithë shtetin tonë. Në mua keni pas një mik, një aleatë të fuqishëm dhe unë asnjëherë nuk kam reshtur dhe gjithmonë kam qenë e pakompromis në realizimin e plotë të të drejtave tona, të të drejtave të barabarta jo vetëm të miratuara dhe të ngërthyera në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, po ato që t’i jetësojmë në jetën tonë të përditshme, sepse vetëm fuqizimi ekonomik i grave garanton një fuqizim dhe një qëndrueshmëri të shtetit tonë.
Punë të mbarë dhe suksese!