Hapja e kësaj ekspozite, që sjell rrëfimet e heshtura të të mbijetuarave të krimeve më mizore, të dhunës seksuale gjatë luftës, mëton të tregojë dhimbjen e kurajë dhe, mbi të gjitha , thirrjen e tyre drejtuar neve, për të njohur njëkohësisht vuajtjen dhe të drejtën për të jetuar.
E nderuar Ministre Çitaku,
Të nderuar ambasadorë të vendeve mike në Republikën e Kosovës,
I nderuari komandant i KFOR-it,
Veçanërisht ju ta dashura mike, që kemi biseduar jashtëzakonisht shpesh, sidomos në këto tri vitet e fundit.
Hapja e kësaj ekspozite, që sjell rrëfimet e heshtura të të mbijetuarave të krimeve më mizore, të dhunës seksuale gjatë luftës, mëton të tregojë dhimbjen e kurajë dhe, mbi të gjitha , thirrjen e tyre drejtuar neve, për të njohur njëkohësisht vuajtjen dhe të drejtën për të jetuar.
Është e dhimbshme përballja jonë me vuajtjet e të pathënat e këtij krimi mizor të luftës, që la pas jetë të shkatërruara, shpirtra të thyer dhe thirrje të pandërprera për drejtësi.
Për 15 vjet nuk kemi arritur të kuptojmë dhimbjen e këtyre grave, të këtyre vajzave, ta kuptojmë se heshtja jonë për vuajtjet e tyre ka qenë dhe është padrejtësi për to dhe se njohja e dhimbjes së tyre është e drejtë njerëzore.
Ashtu siç e dëshmojnë qartë edhe këto piktura, nuk ka ndarje mes nesh dhe atyre – dhimbja e tyre është dhimbje e secilit prej nesh dhe përballja e shoqërisë sonë me këtë plagë të rëndë lufte, është obligim yni që respekton dinjitetin e tyre njerëzor.
Ju keni gjetur forcën brenda vetes për të tejkaluar këtë dhimbje shpirtërore të paimagjinueshme, për të ecur përpara e për të ndërtuar të ardhmen e fëmijëve tuaj.
Pyetja pse unë – është guximi dhe kuraja juaj e jetës dhe një thirrje e fuqishme për drejtësi.
Jemi të vetëdijshëm se plaga juaj shpirtërore nuk mund të kompensohet me asgjë, mirëpo unë ju garantoj se do të bëj çdo gjë që është e mundur që ju të gëzoni çdo të drejtë që ju takon me ligj dhe norma ndërkombëtare, si viktima civile të luftës.
Dhe ky ka qenë synimi dhe ka qenë theksi i veçantë për themelimin e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës.
Të nderuar pjesëmarrës,
Mike të dashura,
Sot në të gjithë botën po shënohet dita ndërkombëtare për të mbështetur viktimat e torturës, prandaj ju inkurajoj që të gjithë së bashku të shohim forcën, ta dëgjojmë zërin e kurajës dhe shpresën që këto gra na përcjellin me anë të këtyre veprave të artit.
Dhe me këto mesazhe t’ju themi atyre se ato nuk janë vetëm. Heshtja është thyer dhe ne do të sigurohemi që zëri i tyre të mos ndrydhet më. Ne nuk mund t’ua ndryshojmë të kaluarën, por do të punojmë që e ardhmja të mos përcaktohet nga kjo e kaluar.
Siç kam thënë disa herë, në këtë çështje nuk jemi ne dhe ato – jemi ne dhe jemi një.
Dëshiroj t’ju përgëzoj për këtë iniciativë dhe për këtë punë. Dua ta them se për këto tri vite me radhë unë kam ardhur shpesh tek ju dhe e kam parë përjetimin e secilës grua përmes këtyre veprave të artit. Dhe këto flasin shumë, për ata që dëshirojnë t’i lexojnë.
Faleminderit!