presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në ceremoninë e betimit të grupit të dytë të vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Kosovë

Kam kënaqësinë që në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës t’i dëshiroj grupit të dytë të vullnetarëve të Korpusit të Paqes mirëseardhje në Republikën e Kosovës.

I nderuar ministër Bajrami,I nderuar ministër Abrashi,I nderuar ambasador Delawie,I nderuar Drejtor i Korpusit te Paqes, z. KurtzTë nderuar vullnetarë të Korpusit të Paqes,Të nderuara familje,Të nderuar të pranishëm, Zonja dhe Zotërinj,Kam kënaqësinë që në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës t’i dëshiroj grupit të dytë të vullnetarëve të Korpusit të Paqes mirëseardhje në Republikën e Kosovës.  Dëshiroj po ashtu që të përgëzoj grupin e parë të vullnetarëve që treguan gjatë këtyre muajve se miqësia e dy popujve tanë është miqësi e sinqertë. Vullnetarët e grupit të parë punuan me devotshmëri në tërë Kosovën, me komunitetin ku shërbyen dhe ofruan një dritare për kulturën amerikane. U vërtetuan se vlerat të cilat të dy popujt tanë i kultivojnë me krenari janë vlera të përbashkëta. Ju ishit ambasadorët më të mirë të shtetit tuaj. Familjet kosovare nuk i hapën vetëm dyert e shtëpive të tyre, ata i hapën edhe zemrat për të akomoduar vullnetarët nga shteti më mik i Kosovës, nga shteti i cili mundësoi që ne sot të jetojmë të lirë dhe besoi do të ndërtojë në paqe. Gëzohem që suksesi i këtij programi po vazhdon më tutje. Ju, vullnetarë të rinj, do të shihni se familjet ku do të jetoni, shkollat ku do të punoni dhe komuniteti të cilit do t’i shërbeni kanë një traditë të gjatë të mikpritjes. Ju do të ndjeni që miku i shtëpisë është pjesë e familjes dhe gëzon respektin më të madh. Do të shihni se jo vetëm në komunitetin ku shërbeni por në tërë Kosovën populli ynë është krenar për partneritetin dhe miqësinë e përjetshme të shtetit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Kjo do të jetë përvoja juaj më domethënëse dhe më fisnike. Në familjet kosovare dhe në punën tuaj do të përjetoni momente të veçanta. Do të ndani bukën, kripën dhe zemrën. Do të mësoni për besën e për rëndësinë e saj ndër shekuj. Do të keni përgjegjësi për ta ruajtur nderin e shtëpisë e do ta kuptoni sa i shenjtë është shkollimi për ne. Në odat tona do të dëgjoni tregime për mbijetesën, nderin e përpjekjet e qytetarëve të Kosovës. Do të qani me përjetimet e luftës, me kujtimin e atyre që u vranë, atyre që u dhunuan dhe atyre që ende janë të zhdukur.Patjetër që do të mahniteni me stoicizmin e qytetarëve tanë për të krijuar një shtet ndryshe, për të falur dhe për të vazhduar tutje. Do të mahniteni me vullnetin dhe guximin e vajzave dhe djemve të Kosovës për të kontribuuar në ndërtimin e shtetit tonë. Kjo energji e të rinjve është ekzistenciale për shtetin tonë. Kosova do të jetë përvojë e paharrueshme për të gjithë ju. E di që ky grup i vullnetarëve, për herë të parë do të jetojë dhe do të ndihmojë edhe komunitetin serb të Kosovës. Ju do të shihni se Kosova është shtet i të gjithëve. Do të kuptoni që dallimet nuk na ndajnë, por na bëjnë më të fortë. Srpska zajednica Kosova je važan deo naše države. Zajedno mi gradimo drugačije Kosovo, državu slobode, ravnopravnosti i mira. Dëshiroj që të falënderoj ambasadorin Delawie i cili dje i dorëzoi kredencialet dhe filloi punën si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, për përkrahjen e këtij programi që në ditën e tij të parë të punës. Gjithashtu, dua që t’i them se nga sot ai do të ballafaqohet me konkurrencë nga këta ambasadorë të paqes dhe të bashkëpunimit.Një falënderim i veçantë për drejtorin e përgjithshëm z. Kurtz dhe stafin jashtëzakonisht profesional të Korpusit të Paqes këtu në Kosovë. Puna e tyre e ka bërë Korpusin e Paqes një ndër programet më të suksesshme deri më sot në Kosovë.   Korpusi i Paqes këtu në Kosovë është një program i rëndësishëm për fuqizimin e miqësisë së përjetshme të popujve tanë dhe në mes të dy shteteve tona.Ju dëshiroj fat, sukses dhe punë të mbarë në misionin tuaj këtu në Kosovë, në vendin më mik.Ju faleminderit! 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.